Rrezikohet jeta e qytetarëve, Inspektorati i Mitrovicës ndalon punimet e një kompanie

Komuna e Mitrovicës ka ndërmarrë masa ndaj një kompanie ndërtimore pas raportimeve për rrezikim të sigurisë së qytetarëve në dy rrugë të qytetit.
Sipas njoftimit zyrtar, Inspektorati Komunal, i udhëhequr nga drejtori Mujë Igrishta, ka reaguar pas informatave të pranuara nga qytetarët se në rrugën “Ukshin Kovaqica” dhe në rrugën “Ehat Prekazi”, kompania “Ari Kompani” kishte nisur punime pa respektuar dispozitat ligjore për rrënim.

“Pas pranimit të informatës nga qytetarët, inspektorët kanë dalë në terren dhe kanë konstatuar se punimet po zhvilloheshin në kundërshtim me ligjin, duke rrezikuar jetën e qytetarëve dhe nxënësve që qarkullojnë në këtë zonë”, thuhet në njoftim.
Autoritetet komunale kanë ndërhyrë menjëherë duke ndaluar punimet, duke shqiptuar gjoba ndaj ndërtuesit dhe operatorit të rrënimit, si dhe duke bërë konservimin e vendpunishtes përmes vendosjes së shiritave sigurues.
“Shiritat nuk do të largohen deri në përmbushjen e të gjitha obligimeve sipas dispozitave ligjore”, thekson Komuna e Mitrovicës.
Ky veprim, sipas komunës, është ndërmarrë me qëllim të garantimit të sigurisë publike dhe respektimit të ligjit në realizimin e punimeve ndërtimore. /Telegrafi/





















































