LAJMI I FUNDIT:

Rreth 1.8 milion votues në zgjedhjet e 14 shkurtit, 143 mijë më pak se në zgjedhjet e 16 tetorit 2019

Rreth 1.8 milion votues në zgjedhjet e 14 shkurtit, 143 mijë më pak se në zgjedhjet e 16 tetorit 2019
Foto: Arkiv

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar listën përfundimtare të votuesev për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Gjatë mbledhjes u bë e ditur se në zgjedhjet e 14 shkurtit të drejtë vote kanë 1,794,862 qytetarë, transmeton Telegrafi.


Në këto zgjedhje janë 143.006 votues më pak sesa në zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Kjo ka ndodhur pasi që është bërë pastrimi i listave nga personat e vdekur dhe nga ata me dokumente të UNMIK-ut.

Në listë janë mbi 102 mijë votues nga diaspora, që janë verifikuar gjatë ditëve të kaluara.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se pavarësisht që nuk kanë arritur të telefonojnë të gjithë votuesit në diasporë, ata prapë do të kenë të drejtë të votojnë, transmeton Telegrafi.

“Të gjithë ata që kanë dokumentuar zotësinë juridike të tyre, pra kanë bashkangjitur dokumentacionet që janë verifikuar nga shërbimi i listës së votuesve, janë përfshirë në listën përfundimtare të votuesve, dhe do të kenë të drejtë të votojnë pas pak çastesh. Askujt nuk do t’i mohohet e drejta kushtetuese. Edhe pse nuk kemi mundur t’i thërrasim të gjithë, ata prapë do të mund të votojnë”, u shpreh ajo.

Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj theksoi se pas publikimit të listës së votueseve të gjithë ata që s’e kanë emrin në listën e votueseve mund të përdorin të drejtat për ankesë.

“Në momentin që publikohet lista jashtë vendit, të gjithë aplikuesit të cilët nuk mund ta gjejnë emrin e tyre në listën e votuesve jashtë vendit mund t’i shfrytëzojnë mjetet e tyre juridike duke iu adresuar PZAP-së”, tha ai.

Numri i Qendrave të Votimit në të gjithë Kosovën është 888, me gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime.

Ndërsa, me shumicë votash është miratuar lista e votueseve jashtë vendit. Kurse, s’ka kaluar propozimi i Kurteshit për zgjatje të afatit për votim jashtë vendit. Po ashtu, KQZ-ja ka akredituar vëzhguesit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit,

211 vëzhgues për KDI-në, 656 PDK-në, 5 nga Germin, 180 nga Syri i Vizionit, 20 vëzhgues nga D+, 41 për BIRN-in, VV-ja 25 vëzhgues, 3 vëzhgues nga Anadolu Agency dhe 2 nga Tv gjerman. Po ashtu, KQZ-ja ka miratuar edhe rekomandimin për rritjen e numrit të votuesve në vendvotim nga 750 në 950 votues.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 14 shkurt. /Telegrafi/