Me rregulla të reja dhe distancë sociale nga sot kafenetë dhe restorantet në Prishtinë dhe jo vetëm kanë hapur dyert për të mirëpritur klientët e tyre.

Distancë 1 metër e gjysmë mes tavolinave dhe me staf të pajisur me maska, kafenetë dhe restorantet, përkatësisht punëtorët e tyre sot shërbyen pas dy muajsh mbyllje.

Hapjen e gastronomisë e ka mirëpritur pronari i kafenesë Crème de la Crème, Valon Majanci.

Ai për Telegrafin ka thënë se pandemia e coronavirusit ka ndikuar negativisht në biznesin e tij.

“Prej datës 13 mars ne jemi mbyllë – domethënë komplet gastronomia në Kosovë. Po bëhen dy muaj e gjysmë që ne nuk kemi punu. Ne si biznes nuk kemi pas të hyra, punëtorët gjithashtu kanë mbetur nëpër shtëpi. Gjysmë sezone ka shku, pranvera gati ka shku. Po meqë ka qenë globale për krejt ne prej fillimi kemi qenë shumë bashkëpunues me Qeverinë, në momentin që kanë kërku më i mbyllë lokalet ne i kemi mbyllë, kemi prit deri tash ndërsa sot kemi startu”, tha ai.

Majanci pohoi se ndihmat nga ana e Qeverisë kanë qenë të mirëseardhura në këtë kohë.

“Kanë qenë të mjaftueshme, ne si biznes nuk kemi marrë, por punëtorët po nga 170 euro për staf, ndërsa neve gjysmën e qirasë.  Po pritet tash pakoja e re për diku gjashtë muaj me na ndihmu”.

Majanci shtoi më tej si nuk kanë punuar me opsionin (merr me veti apo take away) pasi që shpenzimet kanë qenë të mëdha dhe nuk ka pasur shumë njerëz që kanë dalë.

“Ne kemi prit tamam fazën e tretë për me hap lokalin”, tha ai.

Më tej pronari i kafenesë “Crème de la crème”, tha se nuk ka bërë reduktim të punëtoreve.

“Stafi është i njëjtë nuk ka numër të reduktuar”.

Megjithatë, Majanci pohoi se gjendja nuk është e njëjtë sikur para pandemisë, duke shtuar së në ditën e parë të rikthimit të punës vërehet se ka rënë intensiteti i njerëzve.

Në fund, Majanci tha se pavarësisht vështirësive, çmimet e kafesë nuk duhet të shtrenjtohen. /Telegrafi/