Rregull i çuditshëm në Angli: Hoteli brenda stadiumit paralajmëron 3,000 euro gjobë për tifozët

Hoteli i vendosur brenda stadiumit të klubit anglez Blackpool ka vendosur masa të rrepta për ditët e ndeshjeve, duke paralajmëruar gjoba deri në 3,000 euro nëse klientët shikojnë fushën nga dritaret e dhomave të tyre gjatë zhvillimit të takimeve, raporton The Telegraph.
Sipas njoftimit zyrtar në faqen e hotelit, mysafirët që qëndrojnë në dhomat luksoze me pamje direkte nga fusha janë të detyruar t’i mbyllin perdet 90 minuta para fillimit të çdo ndeshjeje në shtëpi dhe t’i mbajnë ato të mbyllura gjatë gjithë kohës së ndeshjes.
Këto masa zbatohen pavarësisht faktit se çmimet e dhomave rriten ndjeshëm në ditët e ndeshjeve, me klientët që paguajnë deri në 160 euro për natë për akomodim në dhoma që më parë përdoreshin si lozha VIP.
Një gazetar i Telegraph, i cili qëndroi së fundmi në hotel gjatë ndeshjes mes Blackpool dhe Bradford, ka zbuluar se nuk ishte informuar paraprakisht për këtë rregull, ndonëse ishte regjistruar në hotel pak më shumë se një orë para fillimit të takimit.
💸 'You absolutely need to draw the curtains'
Football fans staying in a pitch-view room at this Blackpool venue risk falling foul of a confusing match-day rule
Find out more ⬇️https://t.co/iYuCzuWdHT pic.twitter.com/fBWlhAau8d
— The Telegraph (@Telegraph) January 7, 2026
“Ne si hotel nuk bëjmë monitorim aktiv, por perdet duhet patjetër të mbyllen. Me sa duket, mund të gjobitesh rreth 3,000 euro nëse të kapin”, e paralajmëroi recepsionisti.
Hoteli i referohet Ligjit për Ngjarjet Sportive të vitit 1985, i cili ndalon konsumimin e alkoolit në ambiente nga të cilat fusha mund të shihet gjatë ndeshjeve të pesë ligave të para të futbollit anglez.
Dhomat e hotelit me pamje direkte nga fusha, ku mysafirët teorikisht mund të konsumojnë pije alkoolike, mund të konsiderohen shkelje e këtij ligji, duke sjellë potencialisht një gjobë të shkallës së tretë, e cila arrin deri në 1,150 euro, në rast se çështja përfundon në gjykatë për kundërvajtje. /Telegrafi/















































