LAJMI I FUNDIT:

Rrëfimi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë: “Edhe dielli më pengonte”

Rrëfimi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë: “Edhe dielli më pengonte”
Foto: Ilustrim

Historia e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë është po aq e panjohur sa edhe numri i saktë i këtyre rasteve. Traumat e tyre të patrajtuara i kanë vuajtur në disa raste edhe fëmijët e tyre. Radio Evropa e Lirë ju sjell rrëfimin e një nëne, e cila këtë ngjarje, më tragjiken, të jetës së saj e ka mbajtur sekret. Megjithatë, ajo ia doli. Forcën e gjeti te bashkëshorti dhe fëmijët e saj.

Akrepat e orës në dhomën e vogël, por shumëngjyrëshe, tregonin kalimin e kohës. Por, për Yllkën, të veshur në ngjyrë kafe dhe të zezë, shpeshherë koha kthehet në vitin 1999, kur ajo ishte 18 vjeçe.

Të vetme në shtëpinë e familjes diku në rajonin e Llapit, Yllka dhe një familjare e saj, Drita, ishin përballur me forcat serbe. Atë ditë, Yllka ishte dhunuar në shtëpinë e saj.


“Te dera e shtëpisë kur shkoja [pas luftës], e kisha një ndjenjë… Por, mundohesha ta fshihja, që të mos e merrte vesh askush. Më vonë, i patën ndryshuar disa gjëra në shtëpi dhe nuk më dukej më si i njëjti vend”, rrëfen Yllka.

Me buzëqeshjen që i reflektohet edhe në sytë herë-herë të përlotur, Yllka tregon se, si fëmijë, ajo kishte qenë e hareshme, energjike dhe me shumë ëndrra për të ardhmen.

Ndërsa, duke pëshpëritur e me zërin që i mbytet nën tingujt e akrepave të orës, ajo tregon se si ajo ditë, 24 vjet më parë, ia ndryshoi jetën.

“Gjithçka kam pasur përpara. Por, lufta më shkatërroi”, thotë Yllka.

“Për një kohë, nuk kam qenë shumë mirë. Gjithçka më ka penguar, edhe dielli kur dilte. Nuk doja as diellin ta shihja me sy, as dritë, as asgjë”, shton ajo.

Para se ta përjetonte dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë, Yllka ishte takuar me një djalë, Endritin.

Kur lufta përfundoi, ai kërkoi ta takonte sërish Yllkën, por fillimisht nuk pati sukses.

E shkatërruar nga ajo që kishte përjetuar, Yllka thotë se nuk donte ta takonte askënd nga frika se sekreti i saj do të zbulohej.

Por, më vonë, Endriti arriti ta bindte familjaren e Yllkës, Dritën, të takoheshin të tre së bashku – të vetmit persona që dinin sekretin e Yllkës.

“Unë ndihesha sikur ai po dilte veç për ta parë se si jam bërë. Mendoja se nuk ka asgjë prej kësaj pune”.

“Por, ai ka bërë gjithçka për mua. Atë e kam pasur gjithçka, dashuri dhe gjithçka, krah për t’u mbështetur”, thotë ajo.

Deri më sot, Yllka dhe bashkëshorti i saj nuk e kanë diskutuar kurrë atë që i ka ndodhur asaj gjatë luftës.

Për Yllkën, kjo ka qenë përkrahja më e mirë që mund t’ia kishte dhënë ai.

“Kur e kam pasur ndonjë moment të keq, më ka kapur vaji, kam qarë aq shumë deri sa gati jam alivanosur. Mundohesha shpirtin ta qes prej gojës. Ai trokiste në derë, dilte në dritare. Më thoshte ‘hajde shkojmë te një mjek ose dalim në qytet’. Nuk i interesonte çka mund të thonë komshinjtë”, shton Yllka.

Mos t’i kisha fëmijët, do të çmendesha krejt”

Ajo ndien dhimbje për gratë që nuk kanë gjetur përkrahjen e burrave të tyre.

“Mua ma ka dhënë Zoti… siç thonë, ku është terr, bie dritë. Por, jo për të gjithë. Për disa, ku ka qenë terr, është bërë natë krejt. Por, pse?! Ajo nuk ka dashtë, duhet ta kuptojnë… cila grua do që t’i bëhet ajo e zezë?”, rrëfen 42-vjeçarja.

Përveç te burri i saj, Yllka ka gjetur forcë edhe te pesë fëmijët e tyre.

“Si thuhet, nënat janë shumë të forta, prej gurit. Nganjëherë them se mos t’i kisha fëmijët, do të çmendesha krejt”, thotë ajo.

Por, Yllka tregon se është shqetësuar shpeshherë për mirëqenien e fëmijëve të saj, nga frika se mos u është bartur edhe atyre trauma që ajo ka përjetuar.

Një hulumtim i prezantuar në muajin mars 2023 nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) në bashkëpunim me Institutin Danez Kundër Torturës, ka zbuluar se fëmijët e grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë kanë nivele më të larta të kortizolit – hormonit kryesor që bën rregullimin e stresit.

Për këtë arsye, kjo organizatë joqeveritare kishte nisur një projekt ku përveç terapive individuale, viktimave të dhunës seksuale iu ofrohej edhe terapia familjare.

Yllka e kishte shfrytëzuar këtë mundësi, duke sjellë fëmijët e saj në këtë qendër.

“Pas terapisë familjare, edhe vetë kam qenë më e qetë. Sepse gjithmonë e kam pasur një brengë mos po më fshehin diçka. Por, pastaj psikologja më ka thënë që janë në rregull dhe ato seanca më kanë pëlqyer shumë”, thotë ajo.

Dhjetë seancat e terapisë familjare ishin zhvilluar për klientët gjatë vitit të kaluar, ndërsa Yllka ka katër vjet që mban seanca individuale me psikologet e QKRMT-së.

“Në fillim ka qenë shumë vështirë ta shpalos ngjarjen që më ka ndodhur. Në atë kohë më dukej që e kisha përjetuar ato ditë. Tash, për fat të mirë, këtu ndihem si në familje”, tregon Yllka.

Ajo thotë se këto seanca e kanë ndihmuar “të ringjallet”, teksa tregon se më nuk ndihet “e shkelur dhe në siklet” sa herë që dikush e shikon rrugës. Më parë, shikimet e tilla e frikësonin pasi që mendonte se ata e kishin kuptuar sekretin e saj.

“Kur kam ardhur këtu, kam parë edhe shumë gra të tjera. Më kanë thënë që nuk je ti e vetmja dhe pastaj kam thënë ‘në rregull, s’qenkam veç unë’. Dhe, pastaj ka qenë krejt shumë më mirë. Tash ndihem sikur… Oh Zot, sikur kam lindur për së dyti”, tregon Yllka.

Ajo shton se po të kthehej prapa, do të kishte dashur t’i niste seancat me psikologë shumë më herët sesa që e ka bërë.

Një gjë të tillë ua rekomandon edhe të mbijetuarve të tjerë, pasi që thotë se te ajo ka pasur ndikim shumë të mirë.

“Edhe fëmijët e kanë vërejtur ndryshimin tek unë, sidomos të mëdhenjtë. E kanë vërejtur që tash jam më e qetë dhe më kanë thënë ‘sa mirë je tash nënë, kemi menduar se do të jesh gjithmonë si më parë’”, tregon Yllka.

Yllka nuk planifikon ta ndajë sekretin e saj asnjëherë me fëmijët dhe familjarët e tjerë, pasi që thotë se nuk dëshiron që ata të mërziten për atë që i ka ndodhur asaj. Por, prapëseprapë e sheh si shumë të nevojshme që secila viktimë ta ketë dikë me të cilin mund të flasë për përjetimet e veta.

“Çdo hall… kur e flet me dikë të besueshëm, të ndihmon. Të duket sikur ta largon të gjithën”, shton ajo, duke treguar se e ka statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës.

Selvi Izeti, psikologe në QKRMT, thotë se trajtimi i traumave të shkaktuara nga dhuna seksuale duhet të jetë i vazhdueshëm.

Ajo tregon se kërkesat për seanca individuale rriten veçanërisht kur raportohet në media për raste të dhunës seksuale, kur nisi lufta në Ukrainë dhe gjatë periudhës kur kishin nisur bombardimet e NATO-s meqë në atë periudhë ka pasur më së shumti raste të dhunimeve.

“Vetë termi ‘dhunë seksuale’ është nxitës i traumës për të mbijetuarit, sepse menjëherë ua kthen atë pasigurinë që e kanë ndier kur ka ndodhur ngjarja traumatike”, thotë Izeti.

Përveç punës që e ka bërë që nga viti 2007 në QKRMT me të mbijetuarit e dhunës, ajo e cilëson si shumë të rëndësishme punën që është bërë së fundi përmes terapisë familjare.

“Për neve ky ka qenë një rezultat shumë domethënës sepse kemi bërë ndryshime jo vetëm në jetën e nënës, por edhe të fëmijëve. Po mundohemi ta këpusim zinxhirin e bartjes së traumës”, thekson ajo.

Në vitin 2014, Kosova kishte miratuar një ligj për t’ia njohur statusin e viktimës së dhunës seksuale të luftës personave të përdhunuar, duke ua mundësuar kështu atyre një pension ligjor prej rreth 230 eurosh në muaj.

Së fundi, afati për të aplikuar për njohjen e këtij statusi është shtyrë edhe për dy vjet të tjera, deri më 2025. Deri më tani, këtë status e kanë gjithsej 1.451 persona.

Numri i saktë i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë nuk dihet. Sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër arrin deri në 20 mijë.

QKRMT-ja ka të dhëna për rreth 900 viktima.

Në Kosovë, për herë të parë këtë vit më 14 prill shënohet Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit. Kjo ditë, sipas autoriteteve, është shpallur për “ta njohur dhimbjen” e të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe për t’i kontribuar kujtesës kolektive. /REL/

Emrat që lidhen me rrëfimin e të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, janë vendosur nga redaksia e REL-it për të ruajtur identitetin e të mbijetuarës