LAJMI I FUNDIT:

Rrëfimi prapa këngës “You’re Beautiful”

Rrëfimi prapa këngës “You’re Beautiful”

Në prag të turneut për albumin e ri “Once Upon a Mind”, James Blunt rrëfen se si u krijua kënga “You’re Beautiful”. Shkrimin e gazetarit Dave Simpson, të publikuar në ditoren “Guardian”, Telegrafi e sjell të plotë më poshtë.

James Blunt: Qëkur isha 14 vjeç, ju kam thënë miqve se do të bëhem muzikant profesionist. Kur isha kapiten në Ushtrinë britanike në Kosovë, e kisha një kitarë të lidhur për tankun tim. Pasi e lashë Ushtrinë, i bëra disa demo për EMI-n. Pastaj e humba ekuilibrin tim në motoçikletë dhe e shkatërrova kitarën që i kishte mbijetuar një zone lufte. Të gjithë qeshnin. E, nuk është e nevojshme të shtoj se nuk nënshkrova kontratë me EMI-n

Një ditë isha në metro të Londrës, kur rastësisht e pashë ish-të dashurën time me të dashurin e saj të ri. Shikimet tona u kryqëzuan, por thjesht kaluam në heshtje pranë njëri-tjetrit. Shkova në shtëpi dhe për dy minuta e shkrova tekstin për këngën “You’re Beautiful” (E bukur je). Shkova në Los Angjelos për ta takuar shokun tim kompozitor, Sacha Skarbek, dhe me Amanda Ghost-in si bashkautore e përfunduam këngën. Gjithmonë është portretizuar si këngë romantike, por në të vërtetë është paksa ngjethëse. Bëhet fjalë për një djalë (mua) i cili është në “tripa” e që e ndjek të dashurën e dikujt tjetër në metro. Por, të gjithë i kanë ato momentet kur e pyesin veten: “Çka sikur të flisja diçka?”

E interpretova këngën në katin e 25-të të një hoteli në Teksas, gjatë festivalit “South by Southwest” (SXSW). Linda Perry (këngëtare, kompozitore dhe producentë) ishte aty dhe tha se dëshiron të nënshkruaja kontratë me kompaninë e saj të re diskografike. Kompania kërkoi të hiqja fjalët “fucking high” (shumë në “tripa” – v.j.) nga “You’re Beautiful”. Provova me “particularly high”, “especially high”! Në fund këndova “Flying high” (fluturoj lartë – v.j.) në editimin për radio, por doja që versioni që publikohet të mbetet ashtu siç ishte. Thash: “I was fucking high”!

Kënga e ka një fillim befasues. E këndova dy herë vargun “jeta ime është e shkëlqyer”, që ishte një shaka e imja e vogël, por mendoj se në atë gjendjen time të ngazëllyer, çfarëdo tronditje që të kisha marrë atë kohë, jeta do të më dukej vërtet e shkëlqyeshme. Bota sigurisht që dukej me ngjyra.

Për video u pajtova të hidhem nga një shkëmb në Majorkë. Por, kur arrita atje, kuptova se e kisha bërë një gabim të tmerrshëm që ishte tepër vonë ta korrigjoja. Ata kishin zhytës në ujë, në rast se do të bija pa vetëdije. Më duhej të kërceja dy herë, sepse xhirimi i parë nuk ishte i duhur dhe përfundova me çarje në buzë. Më dhembte, por kjo e bëri një video të shkëlqyeshme.

Nuk e kisha idenë se kënga do të bëhet hit kaq i madh, dhe kjo më trembi në fillim. Mendova se po bëhem muzikant që veç bën muzikë. Kënga (u publikua në 2004) ishte e kudondodhur sa nisi të irritojë njerëzit, por unë jam akoma krenar për të dhe e dua punën time. E këndova në ceremoninë martesore të Elton John-it dhe David Furnish-it dhe jam gati ta nis turneun tim të gjashtë botëror. Pa këngën “You’re Beautiful” do të isha në një turne në veri të Londrës.

Tom Rothrock, producent: E shikova në internet festivalin “South by Southwest” dhe aty e pash James-in. Dukej mjaft interesant, por shpejtë harrova gjithçka për të. Disa ditë më vonë, Linda Perry kërkoi nga unë të jem producent i një artisti të ri. Ajo veç i kishte hite të mëdha me këngëtaret Pink dhe Christina Aguilera. Thash me vete, nëse është mjaft e çmendur për të nënshkruar një artist të ri nga SXSW edhe unë jam i çmendur ta incizoj.

Kaseta demo e James-it ishte kudo, e aty ishin edhe këngët “You’re Beautiful” dhe “Goodbye My Lover”. Kishim një takim dreke e unë s’e dija se si duket, por kur ai hyri me menaxherin e tij, menjëherë ndjeva një lidhje dhe mendova: “Ky duhet të jetë ai”. E vizitova në banesën e tij në Londër dhe ai i interpretoi këngët me instrumentin me të cilin i ka bërë, për të hequr nga mendja dyshimet për demon. I kemi bërë shumë incizime në studion time në shtëpi, që atë kohë nuk ishte diçka e zakonshme, por buxheti jonë ishte modest.

Një ditë po i bënim instrument harkore me një kuartet, dhe diçka nuk ishte si duhet. Këto kushtojnë, kështu që e thirra aranzhuesin që t’ia dalim mbanë. Ishte hera e parë ku kisha mundësi të tërhiqesha dhe thjesht të dëgjoja. E kisha një drithërimë që të vjen kur e di se një këngë është e veçantë apo se do të ketë shtrirje të gjerë.

Disa muaj më vonë, “You’re Beautiful” korr suksese dhe ai i bën dy koncerte të njëpasnjëshme në “Shepherd’s Bush Empire”. Ishim në një pijetore jashtë sallës, ku u rrethuam. Thash: “James, kujto kur disa muaj më parë pinim birrë e askush nuk e dinte se kush je?” Ai tha: “Po, a nuk ishte gjë e mirë ajo?” /Telegrafi/