LAJMI I FUNDIT:

Rrëfimi i kosovarit 21-vjeçar: Ja si u përballa me sulmuesin e armatosur në kinemanë e Viernheimit (Video)

Rrëfimi i kosovarit 21-vjeçar: Ja si u përballa me sulmuesin e armatosur në kinemanë e Viernheimit (Video)

Kinemaja “Kinopolis”, në qytetin jugperëndimor Viernheim të Gjermanisë, pasditën e 23 qershorit ishte cak i një sulmuesi, i cili kishte mbajtur peng afër 50 persona në këtë kinema, gjysma prej të cilëve kishin qenë fëmijë.

Sulmuesi 19 vjeçar, ishte vrarë nga Policia me plumb në kokë në njërën nga sallat e kinemasë. Ndërsa, Policia kishte njoftuar se pengjet nuk ishin lënduar dhe se të gjithë ishin në gjendje të mirë shëndetësore.

Pas vrasjes së sulmuesit, ishte bërë e ditur se arma e tij nuk kishte qenë e mbushur me plumba të vërtetë.

Organizatori i këtij sulmi kishte qenë me probleme mendore, ngjashëm si edhe sulmuesi në qendrën tregtare në Mynih, i cili kishte lënë të vdekur nëntë persona, tre prej të cilëve nga Kosova.

21 vjeçari nga Kosova, Guri Blakaj, shitës i biletave në këtë kinema, rrëfen për KosovaPress për sulmin e 23 qershorit.

Ai tregon se si me kolegët e tij e kishin parë sulmuesin, për të cilin kishin menduar se ishte maskuar për shaka, deri në momentin kur ai ishte afruar dhe kishte filluar t’i kërcënonte me armë.

Guri Blakaj, së bashku me dy kolegët e tij, me kërkesë të sulmuesit ishin shtrirë në dysheme, ku kishte arritur që të shtypte alarmin për emergjencë, i cili nuk bën zhurmë, por vetëm alarmon Policinë.

“Kolegia ime dhe një koleg tjetër t’u nejt aty, as 5 minuta s’ka pas që jom kanë aty, edhe kqyrim nja 10 -15 metra ku shiten kupat, po e shohim një djalë, i ri, si i vogël, i shkurtë, me maskë edhe armë të madhe. Duke e pa edhe në fakt tu mendu që është dikush i veshur kështu për hajgare, sepse zakonisht në kinema vijnë për ‘starwwars’ e filma të tjerë. Edhe tu mendu që për hajgare është veshë. Tani u drejtua kah ne informacioni edhe me armë. Ajo kolegia ime u shqetësua edhe tha kqyre çka është kjo kështu, edhe na tre kolegët ia nisëm me u shtri në tokë edhe në fund erdh ai djali na kërcënoi, na tha: shtrinu në tokë! Ddhe na tha rrini ashtu. Unë tani tu e pa atë djalin qysh po sillet, u sill kah ne, e kqyra një moment që nuk është t’u na kqyr neve dhe e shtypa alarmin që është për emergjencë. Nuk është alarm me sirena që bën zhurmë, por është alarm pa zë, që alarmon Policinë menjëherë”, rrëfen Blakaj.

I shoqëruar nga sulmuesi, i cili e kishte kërcënuar me armë, Blakaj rrëfen se në momentin kur ishte duke mbyllur dyert kryesore të kinemasë, dy kolegët e tij, që po qëndronin tek informacioni, kishin ikur.

Blakaj thotë se sulmuesi nuk donte para.

Ai kishte kërkuar nga Blakaj që të shkonte lartë tek zyret, ku gjatë kohës sa ishte lifti duke u ngjitur, ishin dëgjuar të shtëna me armë.

Për orë të tëra, së bashku me shefin dhe dy kolegë të tij, 21 vjeçari nga Kosova, kishte qëndruar i mbyllur në zyrat e kinemasë, duke pritur intervenimin e Policisë.

“Tha: ‘hajde këndej kah kupat ku shesin’. E pyeta a don para, tha ‘jo nuk dua para, veç bëj çka të them unë edhe mirë është’. Pastaj, vazhduam edhe pas një kohe ma bëri pyetje: ‘ku i keni zyrat?’. I thash: lartë i kemi, a të shkoj?, tha “po, shko lartë, pritum qitash vi’. Shkova edhe aty kom prit në zyrë. Aty e kisha edhe shefin. Tu prit me shefin edhe dy kolegë të tjerë erdhen pastaj. Në fakt në lift tu shku lartë, dëgjova zhurmën e armëve automatike. Ai kolegu llagerist që është, erdhi lartë e na tha më ka gjujt mua, po nuk më ka rrok”, rrëfen më tej Blakaj.

Sipas tij, Policia kishte arritur në kinema pas një ore, ndërsa, i tërë aksioni deri në vrasjen e sulmuesit kishte zgjatur rreth tri orë.

Aksioni i Policisë ishte zhvilluar pikërisht para fëmijëve, që po mbaheshin peng në sallë nga sulmuesi, i cili u vra me plumb në kokë.

“Pas një ore e pamë edhe Policinë Speciale duke hy brenda. E, ne duke komunikuar me Policinë, tu i thënë është kah salla 2-3, t’u i treguar Policisë. Policia mas nja dy orë e pamë që hini tek salla 3 edhe e morëm informatën që e kishin vra agresorin para fëmijëve. Dikur erdh Policia edhe na shpëtoi”, tha Blakaj.

Blakaj rrëfen për frikën që kishte ndjerë gjatë kohës sa ishte duke bashkëbiseduar me sulmuesin, për të cilin thotë se nuk ka qenë aq brutal sa do të ishte një terrorist i ISIS-it.

Sjelljet dhe frika që shfaqte sulmuesi gjatë gjithë kohës, e kishin bindur Blakajn se ai ishte një i ri me probleme mendore.

“Unë në fakt duke komunikuar me të, u shihke që është i ri. Në fakt ka qenë 19 vjeçar, edhe e shihsha që kishte më shumë frikë se unë. E kishte zërin shumë me frikë edhe e dallojsha që nuk është ndonjë terrorist, as para nuk dojke. Kështu që s’ka pas tendencë për para. Menjëherë e kam vërejtur që është psikopat, i sëmurë”, tha Blakaj më tej.

Kinemaja, në të cilin 21 vjeçari vazhdon të punojë, ishte hapur dy ditë pas sulmit, me masa të shtuara të sigurisë.
Rastin në kinema, Blakaj e njëjtëson me sulmin në Mynih, meqë sipas tij, të dy sulmuesit kanë qenë me probleme mendore, andaj, ai shprehet i lumtur, që rasti në Vierheim nuk kishte përfunduar si ai në Mynih, në të cilin kishin mbetur të vrarë nëntë persona, mes tyresh edhe tre të rinjë kosovarë.

“Pas këtyre ngjarjeve që kanë ndodhur në Mynih, unë ndihem shumë i lumtur që kam shpëtuar nga ky rast, pasi ka shumë ngjajshmëri mes këtyre dy ngjarjeve. Të dytë kanë qenë njerëz me probleme psikike edhe kështu që ndihem i lumtur që kam shpëtuar nga ky rast, sepse ka mund të ndodhë edhe më keq, siç ka ndodhur edhe në Mynih”, thotë Blakaj.

Blakaj ka treguar se një rast i ngjashëm nuk kishte ndodhur ndonjëherë në kinemanë ku ai punon, madje për një të tillë nuk kishte informacion të ketë ndodhur as në ndonjë kinema në Gjermani. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
PDK voton kryesinë e re - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

PDK voton kryesinë e re - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

Lajme
Pamje nga të shtënat ku nisi konflikti në Prishtinë, ku humbën jetën dy persona

Pamje nga të shtënat ku nisi konflikti në Prishtinë, ku humbën jetën dy persona

Kronika e Zezë
Një derë e re për drejtësi: Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?

Një derë e re për drejtësi: Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?

Drejtësi
Gjendet në një humnerë personi i raportuar si i zhdukur në Prevallë

Gjendet në një humnerë personi i raportuar si i zhdukur në Prevallë

Kronika e Zezë
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Juristat e UP-së të tretët në botë në garën ndërkombëtare për drejtësi

Juristat e UP-së të tretët në botë në garën ndërkombëtare për drejtësi

Arsim
Kalo në kategori