Futbollisti portugez, Cristiano Ronaldo, ka mbërritur në qendrën stërvitore të Manchester United në “Carrington”, ku ka në plan të diskutojë të ardhmen e tij me klubin anglez.

Ronaldo prej muajsh është i lidhur me largimin nga Manchester United dhe siç raportuan më parë të gjitha mediat botërore, dëshira e tij është që sezonin e ardhshëm të luajë në një skuadër që garon në Ligën e Kampionëve.


Duke qenë se Man United nuk u kualifikua në garën më elitare të futbollit në Evropë, Ronaldo filloi menjëherë të kërkonte një klub të ri, por me agjenti Jorge Mendes nuk ia doli dhe u refuzua nga Bayern Munich dhe Chelsea.

Ditët e fundit ai është lidhur edhe me Atletico Madridin, por më shumë informacione do të dihen patjetër gjatë ditës kur ai të ketë një bisedë me drejtuesit e klubit dhe trajnerin Erik Ten Haag.

Ronaldo mbërriti në qendrën stërvitore me një makinë elegante Bentley Flying Spur me vlerë 250 mijë euro, të cilën e bleu në shtator të vitit të kaluar.

Me të në veturë ishte edhe agjenti i tij Jorge Mendes.

Disa media angleze shkruajnë se në qendrën stërvitore ka ardhur edhe Sir Alex Ferguson. /Telegrafi/

telegrafi sport app