Nga: Kate Connolly / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Një roman i panjohur më parë nga një prej gazetarëve më me ndikim të Evropës pas Luftës së Dytë Botërore, i cili përshkruan frymën e dehur dhe njëkohësisht të brishtë të ditëve të fundit të Republikës së Vajmarit, është botuar në Gjermani pasi fëmijët e autorit zbuluan dorëshkrimin, e shkruar me dorë, në tavolinën e tij.


Më shumë se nëntë dekada pasi e kishte shkruar, Abschied ose Lamtumirë i Sebastian Haffnerit, ka ngjitur majat e listës së bestsellerëve të Spiegel-i - menjëherë pas publikimit të tij në fillim të këtij muaji.

Haffner, i cili u arratis nga Berlini nazist me të fejuarën e tij hebreje në vitin 1938, fitoi menjëherë famë në vitin 1940, me veprën e tij klasike dhe të mprehtë Gjermania: Xhekilli dhe Hajdi [Germany: Jekyll and Hyde]. Thuhet se Winston Churchill i kishte kërkuar kabinetit të tij ta lexonte atë për të kuptuar kërcënimin nazist.

Haffner, i cili ndryshoi emrin e tij në Mbretërinë e Bashkuar nga Raimund Pretzel - për të mbrojtur familjen e mbetur në Gjermani - punoi më pas si gazetar në Londër për Observer-in. Ai u njoh si një nga analistët më me peshë të nazizmit dhe faktorëve që sollën Hitlerin në pushtet, duke u rikthyer në Berlin për Observer-in, në vitin 1954, dhe më pas duke u bërë kolumnist i njohur për revistën Stern.

I biri, Oliver Pretzel, 86 vjeç, tha se familja e tij kishte hezituar për vite me radhë nëse duhej ta botonte Lamtumirën pas vdekjes së Haffnerit në Berlin, në moshën 91-vjeçare në vitin 1999. Ata ishin të shqetësuar, tha ai, se kjo vepër, një histori dashurie, mund të dukej tepër e lehtë dhe të zbehte reputacionin e madh të të atit të tij si komentator me peshë.

“Motra ime nuk mendonte se romani ishte shumë i mirë,” i tha Pretzel, profesor matematike që jeton në Londër, gazetës Süddeutsche Zeitung. “Fillimisht edhe unë e ndaja disi këtë mendim. Por kur e rilexova dhe qëkur nisa ta përkthej në anglisht, papritur kuptova sa mjeshtërisht ishte ndërtuar.”

Për fat, kritikët duket se pajtohen. Në Gjermani ata e kanë lavdëruar veprën 181-faqëshe, duke e quajtur “një dhuratë letrare”, “një tekst tepër i rrjedhshëm, i lehtë dhe plot gjallëri” dhe “një libër i bukur me shkëlqimin rinor dhe me ndikim të madh emocional”.

Ngjarja zhvillohet ditën e fundit të një qëndrimi dyjavor në Paris, të protagonistit dhe të dashurës së tij, Tedi, përpara se ai të kthehet në një Berlin të pushtuar nga një ndjenjë gjithnjë e më e madhe frike dhe pasigurie politike. Romani ishte “shumë i qartë”, shkroi Marie Schmidt në Süddeutsche.

Romani reflekton të njëjtën “ndërgjegje të mprehtë historike që habiti dhe mahniti botën” si në veprën tjetër pas vdekjes së Haffnerit, Historia e një gjermani [History of a German], shtoi ajo. Ky libër u shkrua në vitin 1939, por u botua për herë të parë në gjermanisht në vitin 2000 dhe në anglisht me titullin Duke sfiduar Hitlerin, në vitin 2002. Ai u vlerësua për qartësinë e tij kritike dhe u cilësua si vepra që i dha fund pretendimeve të përsëritura të bashkëkohësve të Haffnerit se ata nuk kishin ditur për krimet naziste.

Xhekilli dhe Hajdi u botua për herë të parë në Gjermani në vitin 1996, me titullin: 1939 - Deutschland von innen betrachtet [Gjermania e vëzhguar nga brenda]. Të dy librat, kur u botuan, kryesuan gjithashtu listat e bestsellerëve gjermanë.

Haffner ishte 24 vjeç kur shkroi Lamtumirën - në vetëm disa javë gjatë tetorit dhe nëntorit të vitit 1932, vetëm pak muaj përpara se nazistët të vinin në pushtet. Përpjekjet e tij për ta botuar dështuan.

Narratori i tij, Raimund, është një jurist i ri që pi cigare “Gitanes Rouge” dhe lexon autorin Aldous Huxley. Në Paris, në pranverën e vitit 1931, ai takon Tedin, e cila e kishte lënë Berlinin, duke e përshkruar atë si një kohë në të cilën “kriza ende nuk ishte shpikur.”

Mendohet se Tedi është bazuar te Gertrude Joseph, një grua hebreje nga Vjena me të cilën Haffner kishte qenë i dashuruar. Ai e përshkruan në librin e tij autobiografik, Historia e një gjermani, se si ajo ishte kthyer në Berlinin nazist nga Parisi, për herë të fundit në verën e vitit 1933, duke sjellë me vete “një ajër që mund të thithej dhe që merrej me lakmi.” Raimundi në roman përshkruan parandjenjën e rëndë të detyrimit për t’u “nisur drejt një Berlini të ftohtë.”

Haffner dhe Joseph, e cila përfundoi në Suedi, mbajtën lidhje deri në fund të jetës. Njëzet letra prej tij për të u gjetën pas vdekjes së saj.

Në një epilog të romanit, kritiku letrar Volker Weidermann thotë se frika e familjes për botimin e tij ishte e pabazë.

Lamtumirë e plotëson pamjen historike që Haffner na ka paraqitur në shkrimet e tij historike, sepse përshkruan shkakun rrënjësor të pikëllimit mbi të cilin mbështeten librat e tij të mëvonshëm - gjithçka nga ajo Gjermani e mirë që u humb: kozmopolitizmi, toleranca dhe njerëzorja. Vetë Haffneri e theksonte vazhdimisht se historia zhvillohet në mikro-histori private, të cilat së bashku formojnë historinë e madhe botërore. Në Lamtumirë ai ka paraqitur këtë ide thelbësore.” /Telegrafi/