Informimi mund të konsiderohet si oksigjen i demokracisë. Informimi i drejt dhe korrekt arrihet vetëm në saje të medieve të lira. Liria e medieve është një nder shtyllat kryesore për funksionimin e një shoqërie demokratike, dhe më të drejtë media konsiderohet si “fuqi e katërt” e një shteti, pas fuqive të legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit. Por sa është e pranishme kjo liri e medieve në vendin tonë?.

Shpesh herë jemi dëshmitarë se mediumet tona janë të kufizuara të pasqyrojnë gjendjen reale, kjo ndodh për shkak të presioneve që vijnë nga ana e pushtetarëve dhe tendencës që të kenë një kontroll absolut mbi to. Në edicionet informative të mediumeve tona, sidomos televizionit publik, vend kryesor zënë anët “pozitive” të punës së qeverisë, dhe shumë pak informacione për anët e dobëta të kësaj qeverie, e që nuk janë të pakta. Prerja e shiritave për fillimin e rregullimit të rrugëve zënë hapësirën më të madhe në edicionet e lajmeve në disa mediume tona, por jo edhe problemet e shumta që përballën qytetarët e vendit, siç janë: varfëria e skajshme, papunësia e madhe, mungesa e energjisë elektrike, mungesa e ujit të pijshëm dhe shumë e shumë probleme me të cilat përballën qytetarët, e që ishin premtimet kryesore të kësaj qeverie gjatë fushatës zgjedhore.


Kontrolli i mjeteve të informimit është sinonim i kontrollit të vendimmarrjes në demokraci, prandaj liria e medieve ka rëndësi vitale për funksionimin e një shoqërie demokratike. Hapi i parë që zakonisht e ndërmarrin qeveritë autoritare apo diktatoriale është shkurtimi apo persekutimi i lirisë së të shprehurit dhe medieve, e kjo po ndodh edhe në vendin tonë. Liria e të shprehurit është një nder të drejtat themelore të njeriut për realizimin dhe funksionimin e demokracisë. Shumë shpesh liria e një shoqërie përcaktohet nga liria e shtypit dhe e medieve në përgjithësi. Natyrisht se mediet kanë një rol qendror në demokraci, i cili rol është informimi i publikut për çështje që ndodhin në shoqëri.

Funksion tjetër i medieve është të mbikëqyrin punën e qeverisë dhe institucioneve tjera të fuqishme të shoqërisë. Mediet duhet të kenë qasje kritike ndaj pushtetit, mirëpo vetëm me fakte, dhe pa anime politike. E drejta e kërkimit, marrjes dhe dhënies së informacionit konsiderohet si e drejtë e pamohueshme politike dhe civile. Është po ashtu e drejtë e çdo qytetari dhe mediumi që të kritikoj udhëheqësin e vendit dhe qasja e medieve në një rrjedhë të lirë të informatave është një element mjaft i rëndësishëm për një shoqëri të hapur dhe pluraliste. Në shumë vende të botës me demokraci të avancuar janë mediet ato që u paraprinë zbulimit të shume dukurive, siç janë: krimi i organizuar, korrupsioni, nepotizmi në institucionet publike dhe shtetërore etj. Zakonisht kjo ndodh në vendet me demokraci të zhvilluar, ku mediet kanë liri të kërkimit, marrjes dhe dhënies së informacionit. Por sa po ndodhë kjo në vendin tonë?

Në vendin tonë mediet janë nën presionin e qeverisë dhe nuk janë të lira të informojnë opinionin objektivisht. Shembulli më i mirë për të arsyetuar këtë është mediumi i vetëm publik, Radio Televizioni i Kosovës. Vetëm tek vendet që synojnë të kenë një kontroll të plotë mbi mediet ndodh që mediumi publik të financohet drejtpërdrejt nga qeveria, fatkeqësisht kjo po ndodh në vendin tonë. Mund të paramendohet sa i pavarur mund të jetë ky medium dhe sa objektive mund të jenë informacionet në raport me qeverinë, kur është i varur financiarisht nga qeveria. Çfarë qasje kritike mund të ketë ky medium publik ndaj qeverisë?. Natyrisht se kjo ndikon negativisht në informimin e qytetarëve dhe në kredibilitetin e informacioneve që jep ky medium, për shkak se gazetarët nuk kanë guxim të trajtojnë çështje delikate që kanë të bëjnë me punën e qeverisë, që është një e drejt e pamohueshme e çdo mediumi.

Pra siç u tha edhe më lartë, mund te konkludojmë se një shoqëri demokratike nuk mund të funksionoj pa ekzistimin e medieve të lira, të cilat do të pasqyronin gjendjen reale, dhe të cilat mund të kenë një qasje kritike ndaj organeve qeverisëse. Prandaj më të drejt në kohët e sotme, demokracia e një vendi identifikohet me demokracinë mediale dhe shoqëritë e sotme demokratike quhen shoqëri mediale. Fatkeqësisht ky epitet, shoqëri mediale, për shoqërinë tonë është paarritshëm momentalisht.

(Autori është sociolog i diplomuar dhe master në menaxhment)