Robert De Niro mbështet vajzën transgjinore: E doja si bir, e dua edhe tani

Aktori i njohur hollywoodian, Robert De Niro, ka shprehur dashurinë dhe përkrahjen e tij për vajzën Airyn De Niro, pasi ajo doli publikisht si transgjinore.
“E kam dashur dhe përkrahur Aaronin si djalin tim, dhe tani e dua dhe e përkrah Airynin si vajzën time. Nuk e kuptoj pse dikujt do t’i dukej kjo problem”, tha De Niro për Variety. “I dua të gjithë fëmijët e mi”.
Në një intervistë të fundit për Them, Airyn De Niro foli për përjetimin e saj gjatë “hyrjes në këtë identitet të ri”, si dhe për rritjen si një nga shtatë fëmijët në familjen De Niro. “Ka një ndryshim mes të qenit i dukshëm dhe të qenit i parë me të vërtetë”, tha ajo. “Unë kam qenë e dukshme. Por nuk mendoj se më parë kam qenë e parë vërtet”.
Ajo shtoi gjithashtu se “asnjë prind nuk është i përkryer, por jam mirënjohëse që prindërit e mi u pajtuan të më mbanin larg vëmendjes publike. Më thanë se donin që unë të kisha një fëmijëri sa më normale”.

Në të njëjtën intervistë, Airyn foli edhe për figurat që e kanë frymëzuar të flasë publikisht për tranzicionin e saj, përfshirë aktoren Laverne Cox. “Gratë trans që janë të sinqerta dhe të hapura, sidomos në publik dhe në rrjetet sociale, dhe që shihen duke pasur sukses – mendova: ‘E di çfarë? Ndoshta nuk është vonë as për mua’”.
Pas publikimit të intervistës, Airyn ndau një postim në Instagram duke falënderuar të gjithë për mbështetjen. “Faleminderit të gjithëve që keni qenë kaq të mirë dhe përkrahës! Nuk jam mësuar me kaq shumë vëmendje të drejtuar nga unë”, shkroi ajo.
“Dhe për të gjithë ata që më pyesin nëse kam një agjent apo nëse kam nënshkruar ndonjë kontratë – unë jam thjesht një vajzë me një telefon, më falni nëse nuk arrij të përgjigjem të gjithëve”, shtoi ajo me modesti. /Telegrafi/



























































