UEFA ka bërë ndarjen e grupeve për shortin e “play-off”-it në të tri garat evropiane për klube, njofton Telegrafi.

Sot, Shkëndija do të mësojë rivalin e mundshëm nëse arrin të kalojë pengesën e radhës në Ligën e Kampionëve – skuadrën e njohur azerbajxhanase Qarabag, me të cilën përballet në rrethin e tretë kualifikues.


Në rast të kualifikimit, tetovarët do të përballen me një kundërshtar mjaft të fortë në fazën “play-off” të Ligës së Kampionëve. Ndër emrat e mundshëm janë: Celtic (Skoci), Bodo/Glimt (Norvegji), fituesi i çiftit Kopenhagë – Malmo, fituesi i përballjes Crvena Zvezda – Lech Poznan, si dhe fituesi nga dueli Ludogorets – Ferencvaros.

Por edhe në rast të eliminimit nga Qarabagut, Shkëndija do të vazhdojë garat në Evropë, këtë herë në Ligën e Evropës. Në këtë skenar, ku do të jetë pjesë e skuadrave jo-bartëse, janë përcaktuar edhe kundërshtarët e mundshëm në “play-off”-in e kësaj gare:

Kundërshtarë potencialë të Shkëndijës në “play-off”-in e Ligës së Evropës:

Young Boys (Zvicër)

Fituesi i çiftit Hamrun Spartans – Maccabi Tel Aviv

Humbësi i çiftit Ludogorets – Ferencvaros

Humbësi i çiftit Malmo – Kopenhagë

Shorti për “play-off”-in e Ligës së Kampionëve do të hidhet sot në orën 12:00, ndërsa ai i Ligës së Evropës një orë më vonë, në 13:00. /Telegrafi/

telegrafi sport app