Derisa po bëhet gati për koncertin e madh në Prishtinë, Rita Ora ka vazhduar ta promovojë botërisht Kosovën.

Në profilin e saj në Instagram, ku numëron afro 13 milionë ndjekës, këngëtarja e ka publikuar një fotografi, në të cilën ka pozuar me një bluzë të prodhuar për nder të dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Republikës.


rita1 4

"Qetësia para stuhisë... Këto bluza janë prodhuar posaçërisht për këtë ditë mahnitëse, Ditën e Pavarësisë të vendit tim të mrekullueshëm!".

"Gjithçka shkon për bamirësi', ka shkruar Rita duke ia bashkëngjitur hashtagun 'Kosova10', ndërsa postimin e ka shoqëruar në shqip me fjalët: "Kena me kall!".

"Jemi shumë pranë kohës së performancës", ka shkruar më tej 27-vjeçarja.

Krahas bluzës së veshur me mbishkrimin "Kosova", ajo ka në dorë edhe një trëndafil që shfaqet duke i marrë erë.

Koncerti festiv për nder të dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës do të fillojë nga ora 20:00, ndërsa shqiptarja e famshme pritet të dalë në skenë rreth orës 22:00.

Ditë më parë në një video-mesazh, Rita i ka ftuar të gjithë të jenë pjesëmarrës në koncert që sa më shumë të jenë të pranishëm në festën e madhe të vendit. /Telegrafi/