Nuk pati asnjë rrezik të ndodhte ndonjë incident me veshjen, teksa Kate Moss dhe Rita Ora u panë krah për krah duke kërkuar makinat që i prisnin, pas një tjetër feste të Javës së Modës në Paris.

Vetëm disa orë më herët, Rita kishte marrë guximin të dilte për darkë në Hotel Costes, në rrugën Saint Honoré, e veshur me një bodysuit provokues me dekolte të thellë, shkruan DailyMail.


Megjithatë, gjatë largimit nga festa madhështore e 'Yves Saint Laurent', të organizuar nga legjenda e rokut Lenny Kravitz, këngëtarja ishte e mbuluar mirë me një pallto lëkure të gjatë, duke u shoqëruar me supermodelen britanike Kate Moss.

Pavarësisht orës së vonë, të dyja mbanin syze dielli me xhama të errët, teksa dilnin nga rezidenca luksoze e Kravitz në Paris dhe përgatiteshin të ktheheshin në hotelet e tyre.

Kate, 51 vjeçe, tërhoqi vëmendjen me një fustan elegant të zi dhe një bluzë argjendi me shkëlqim. Pamjen e saj e kompletoi me një kapelë lëkure dhe çizme të shkurtra, ndërsa aksesor i vetëm i dukshëm ishte një varëse argjendi.

Rita, 34 vjeçe, po qëndron në Paris për Javën e Modës, ndërkohë që po përgatitet të publikojë këngën e saj më të re, “All Natural”.

Duke folur për këtë projekt në emisionin e Scott Mills në BBC Radio 2, këngëtarja britanike tregoi se ka krijuar një miqësi të ngushtë me ikonën e muzikës pop, Kylie Minogue.

E pyetur nëse Kylie e ka mbështetur për projektet e reja, Rita tha: “Po, po, më ka mbështetur shumë. Jemi në të njëjtën kompani, të njëjtin ekip, dhe tani jemi si motra. Madje, vetëm dje ajo më shkroi për të parë si jam”.

Këngëtarja shtoi se “All Natural” është një nga këngët e saj më personale deri tani: “Është një nga këngët më të hapura dhe më të ndjeshme që kam bërë ndonjëherë. Është ndryshe nga gjithçka kam publikuar më parë. Desha të dilja nga zona e rehatisë, të bëja njerëzit të ndihen sikur po flas drejtpërdrejt me ta në telefon. Në sipërfaqe tingëllon sensuale, por në thelb është për vetë-reflektim dhe për të kuptuar fuqinë tënde”.

Ajo shtoi se tani ndjehet më mirë se kurrë: “Jam mirë me trupin tim, me mendjen time, dhe kam kuptuar se duke bërë më pak, po gjej mënyrën më të mirë për veten time”.

Së fundmi, Rita ka bërë edhe një shaka lidhur me këngëtaren amerikane Sabrina Carpenter, e cila fitoi popullaritet të madh me hitin “Espresso”. Ajo tha në një podcast se pas suksesit të këngës, Sabrina “nuk po i përgjigjej më mesazheve”.

Rita kujtoi se e kishte takuar për herë të parë në një festë të Vitit të Ri, pak para se “Espresso” të bëhej hit ndërkombëtar: “Ishte si në kulmin para se të dilte ‘Espresso’, dhe tani është pothuajse e pamundur të kontaktosh me të”.

Megjithatë, ajo e zbuti menjëherë deklaratën duke sqaruar se kishte qenë vetëm një shaka: “Jo, e kuptoj. Edhe unë jam e zënë. E ekzagjerova, në fakt ajo më përgjigjet. Është shumë e ëmbël”.

Java e Modës në Paris ka nisur fuqishëm, me një nga shfaqjet më të shkëlqyera të L’Oreal, e cila solli në pasarelë emra të mëdhenj të modës.

Kendall Jenner dhe Heidi Klum ishin ndër yjet e pranishëm në sallën e Bashkisë së Parisit për një shfaqje të titulluar “Liri. Barazi. Motërzim. Sepse ti ia vlen”.

Në skenë dolën gjithashtu Cara Delevingne dhe aktorja e përjetshme Helen Mirren, duke e bërë këtë event një ndër më të paharrueshmit e javës së modës. /Telegrafi/