Rilindja e Mason Greenwood: Nga një emër i harruar në hero për tifozët e Marseille

Mason Greenwood po kalon një periudhë rilindje te Marseille. Në ndeshjen ndaj Le Havre, ai shkëlqeu me katër gola në fitoren 6-2, duke u bërë lojtari i parë i klubit që realizon një “poker” në Ligue 1 që nga Jean-Pierre Papin në 1991.
Por për Greenwood, nuk ishin vetëm golat: ishte qetësia, buzëqeshja, dhe një sinjal i qartë se ky nuk është më thjesht një talent premtues, është një lider në formim.
Pas një sezoni të mirë në Spanjë me Getafe, Greenwood iu bashkua Marseilles si një lojtar i heshtur dhe i rezervuar. Por në pak muaj, ai është transformuar falë një ambienti të shëndetshëm dhe punës me trajnerin italian Roberto De Zerbi, i cili ka besuar tek ai që në ditën e parë.
“Mund të bëhet një nga më të mirët në botë”, ka deklaruar De Zerbi, duke e mbrojtur publikisht dhe duke e vendosur në zemër të projektit të tij.

Në fushë, Greenwood ka nisur sezonin 2025/2026 në mënyrë brilante: 6 gola dhe 3 asistime në 8 ndeshje, pas një sezoni të kaluar ku mbylli me 21 gola e shtatë asistime, duke e çuar Marseillen në vendin e dytë.
Në total - 27 gola dhe 10 asiste në 42 ndeshje me fanellën bardheblu, shifra që tregojnë rritjen dhe ndikimin e tij.
Por ajo që bie më shumë në sy është ndryshimi jashtë fushës. Greenwood tashmë flet frëngjisht, është më i hapur me shokët e skuadrës, ndjek kurse, ndërvepron me tifozët dhe është pjesë aktive e jetës së klubit.
Në qendrën stërvitore të Marseille, ku lojtarët kalojnë të gjithë ditën në një ambient që funksionon si “familje”, Greenwood ka gjetur stabilitetin dhe sigurinë që i mungonte.

Marseille është bërë shtëpia e tij e re, dhe ai po shpërblen klubin me përkushtim dhe performanca të larta
Në dhomën e zhveshjes pas pokerit, bashkëlojtarët e pritën për të festuar, një moment që tregon se Greenwood nuk është më vetëm një individ në rikthim, por një pjesë kyçe e grupit.
Nga izolimi në protagonizëm, nga presioni në pjekuri
Greenwood po ecën drejt elitës me hapa të sigurt. Dhe nëse e ardhmja i përket nivelit më të lartë të futbollit, kjo është sepse në Marseille ai ka gjetur vendin e duhur për ta rilindur veten./Telegrafi/








































