Rikthehet sifilizi në Shqipëri, Dr. Balili: Mendohet se vjen nga “turizmi seksual”

Sifilizi, një nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme, ka shënuar rritje të rasteve në Shqipëri.
Mjeku gjinekolog, Shkëlqim Balili, shprehet se vitet e fundit, ndikuar edhe nga rritja e numrit të turistëve, janë shtuar pacientët me këtë infeksion seksual.
Sëmundja transmetohet përmes kontaktit me personin e infektuar. Mjeku bën thirrje për marrjen e masave nga autoritetet për zhdukjen e kësaj sëmundjeje që i përket shekullit të kaluar.
Shkëlqim Balili: Para 2 javësh kam qenë në një konferencë ndërkombëtare dhe kam dëgjuar referimin e shëndetit publik në Tiranë që është shtuar sifilizi. Kjo është një problematikë…
Katerina Trungu: Ka më shumë pacientë tani, vitet e fundit?
Shkëlqim Balili: Po. Ka edhe një mendim që është shtuar nga turizmi, ka turizëm seksual që vijnë apostafat. Mandej, ka turizëm seksual me grupe të organizuara, mandej ka grupe seksualisht edhe te meshkujt. Dua të them që sifilizi është sëmundje e shekullit të kaluar, hyn te sëmundjet veneriane, sëmundje që merret me kontakt seksual, me lëngje, inde, prekje, me lëkurë, me puthje, veshje, vaska.
Katerina Trungu:Edhe nga puthja?
Shkëlqim Balili: Edhe puthja. Me gërvishtje, plasjet e lëkurës, pra kontakti i lëkurës. Sifilizi, unë mendoj që shteti dhe parlamenti duhet të marrë masa urgjente që të zhduket si sëmundje sepse është një sëmundje pa shenja, një sëmundje që neglizhohet, një sëmundje që vazhdon me vite dhe që në fund i sëmuri vdes.
Kjo sëmundje ka disa simptoma si nyje apo ulcera në lëkurë, puçrra të vogla që neglizhohen. Në çdo rast, duhet kryer një analizë gjaku që tregon menjëherë praninë e sëmundjes. Kapja e hershme e saj mundëson trajtimin dhe shërimin. Në faza të vona, sifilizi depërton në organet e trupit, në sy, tru, zemër etj duke shkaktuar mosfunksionim të tyre e deri në vdekje të pacientit./Tv Klan


































