Pas dëmtimeve të rënda nga një zjarr që e kishte përfshirë vite më parë, një prej shtëpive më të vjetra dhe më karakteristike të Mitrovicës – ajo e familjes Koroglu – po i kthehet shkëlqimit të dikurshëm.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se punimet e restaurimit janë drejt përfundimit, me fokus në ruajtjen e elementeve origjinale të arkitekturës tradicionale, që e bëjnë këtë objekt një pasuri të veçantë të trashëgimisë kulturore të qytetit, raporton Telegrafi.




“Shtëpia e familjes Koroglu po shkëlqen përsëri. Po punohet në detajet e fundit të restaurimit në këtë perlë të trashëgimisë sonë kulturore”, ka bërë të ditur MKRS-ja, duke theksuar rëndësinë që ky monument të ruhet për brezat e ardhshëm.

Sipas ministrisë, restaurimi i shtëpisë së Korogluve është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për mbrojtjen dhe valorizimin e trashëgimisë arkitekturore në të gjitha rajonet e Kosovës, në mënyrë që këto vlera të trashëgohen si dëshmi e identitetit dhe historisë sonë kulturore. /Telegrafi/