LAJMI I FUNDIT:

Rifillojnë gërmimet arkeologjike në Amfiteatrin Romak të Durrësit

Rifillojnë gërmimet arkeologjike në Amfiteatrin Romak të Durrësit

Në Amfiteatrin Romak të Durrësit, të zbuluar në vitin 1966 nga arkeologu i njohur Vangjel Toçi, kanë rinisur gërmimet arkeologjike.

Instituti i Monumenteve të Kulturës bën të ditur se pjesë e gërmimeve do të jenë edhe studentë shqiptarë dhe studentë italianë nga Universiteti “G. D’Annunzio”, Chieti-Pescara.


Misioni Arkeologjik Italian ka nisur punën e tij në qytetin e Durrësit që prej vitit 2001, me qëllim realizimin e hartës së rrezikut arkeologjik, si dhe evidentimin e aktivitetit të gërmimit dhe projektimit të vlerësimit të monumenteve urbane, veçanërisht të amfiteatrit romak.

Amfiteatri i Durrësit ka arkitekturë romake dhe është ndërtuar në fund të shekullit të I-rë, në periudhën e perandorit Trajan. Nga të dhënat e deritanishme mendohet se amfiteatri mirëpriste mbi 15 mijë spektatorë njëherësh.

Amfiteatri i Durrësit ka përmasa mesatare mes 30 amfiteatrove të zbuluar të botës antike nga Roma deri në Budapest dhe Lion.

Deri tani është zbuluar rreth gjysma e amfiteatrit, me pjesën perëndimore dhe veriore të shkallareve, si dhe një pjesë e galerive. /ATA/