Revolucioni, si e drejtë njerëzore
Derisa, as e drejta dhe as ligjet nuk shërbejnë për të mirën e shoqërisë njerëzore me vlerësimin që të orientohen drejt udhëheqjes së kualifikuar shtetërore, atëherë politikës duhet t’i trokitet te dera me mjete të tjera që janë më pranë shprehjes së reformës shoqërore. Politika në thelb ka detyrën që ta zhvillojë dhe rrisë standardin e shtetit në formë që t’i kënaqë nevojat dhe ambiciet themelore të shoqërisë.
Politikat pluraliste të shteteve ndryshojnë nga politikat regresive e izoluese, sepse këtu varen nga kushtet dhe ambiciet që pretendojnë vetë shtetet. Politika pluraliste është formë e demokracisë së përsosur, ndërsa politikat izoluese praktikohen në raste tepër të ngjeshura, kur vullneti i popullit bashkë me autoritetet shtetërore bien në ndesh me vullnetin e përgjithshëm të kombeve. Prandaj, kjo kontradiktë lind si nevojë e të bërit politikë izoluese, e cila është e detyruar t’i imponohet vetvetes, ngase vullneti tjetër të dikton udhën vetjake tënden me mjete pothuajse diplomatike.
Edhe e vërteta ka një shprehje diplomatike brenda vetes, veçanërisht kur pala tjetër politike ndodhet në udhëkryq, ndërsa vullneti tjetër politik t’i errën sytë duke ta diktuar të vërtetën me anë të njohjes politike të së drejtës. Megjithëkëtë, politikat izoluese nuk jetojnë gjatë në asnjë vend të botës, sepse izolimi i tepërt, gati ta merr frymën gjer në humbjen e vetëdijes. Kjo do të thotë që izolimi është afatshkurtër, dhe larg çdo mjeti diplomatik për ta ndryshuar e mbrojtur të mirën tënde nga tjetri.
Kundrejt kësaj, politika është e nevojës të jetë më e hapur, më syçelur ndaj fenomeneve të ndryshme politike që në fakt duhet të mbrojnë të drejtën themelore të shoqërisë dhe të shtetit. Pavarësisht, kushteve, politika duhet të funksionojë vigjilente, transparente, dhe para së gjithash me mjete diplomatike. Kur këto elemente nuk gjejnë zbatim, atëherë vjen në shprehje të bërit politikë izoluese, larg çdo realiteti...
Kur e drejta dhe ligjet nuk vihen në shërbim të shoqërisë njerëzore për të mirën e tyre të përgjithshme;
Kur politika shndërrohet në mjete të izolimit, automatikisht ndikon në contradictio in adjecto në vetëdijen shoqërore, po ashtu dhe në atë shtetërore;
Kur politika humb karakterin diplomatik ndaj shteteve konkurrente, dhe orientohet drejt izolimit individual;
Kur shoqëria detyrimisht neglizhohet si në vlera shkencore, po ashtu dhe në vlera kombëtare për fajin e politikës ditore;
Kur politika shndërrohet në mjete izoluese duke bërë naivin në masë, me shpresë se shteti mund të qeveriset edhe jashtë kornizave, tashmë të “globalizmit”, atëherë duhet të lindë nevoja e një revolucioni, si e drejtë njerëzore për të ndryshuar politikën e tillë të gabuar.
Ky lloj realiteti është e keqja e organizuar e shoqërisë. E keqja lind dhe imponohet. Tek ne, e keqja dhe ka lindur dhe është imponuar. Prandaj, kundrejt kësaj është nevoja e vullnetit të organizuar nën parullën: “përpjekje drejt ndryshimit të përgjithshëm”. Parulla “përpjekje drejt ndryshimit të përgjithshëm” simbolizon për mendimin tim termin e revolucionit.
Duhet të kihet parasysh se qëndrimet që thyejnë të drejtat thelbësore të shoqërisë njerëzore mund të nxisin një mënyrë më radikale të të trajtuarit të realitetit aktual politik, dhe nevoja për t’u revoltuar mund të jetë një shprehje e mundshme. Çdo ndryshim është nevojë e kohës, prandaj dhe revolucionet janë të domosdoshme drejt përsosjes shoqërore dhe shtetërore...
Kur politika pluraliste mungon, tashmë bashkë me njerëzit e çështjes, atëherë duhet të lindë nevoja e revolucionit, si e drejtë njerëzore. Revolucioni mund të ndryshojë çfarëdo lloj koncepti dhe fenomeni shoqëror brenda shtetit. Pra, jo se revolucioni te ne është gati i pamundur, por dhe perceptohet si diçka jashtë organizimit konceptual, jashtë vetëdijes për ta realizuar si pasojë e kohës.
Edhe Revolucioni Borgjez Francez, as dhe Revolucioni Anglez nuk qenë koncepte absurde, jashtë vetëdijes njerëzore, por qenë brenda një kolektivi mendor për ta shqyrtuar nevojën e një revolucioni, me dimensionin për ta mposhtur të padrejtën dhe të keqen e imponuar. Tashmë, gjithë shtetet që sot janë të fuqishme të mirën e përgjithshme e kanë arritur nëpërmjet revolucionit, prandaj, sot ekzistojnë të lirë dhe të vullnetshëm. Prandaj, revolucioni në njëfarë mënyre shfaq botëkuptimet dhe pikëpamjet e një shoqërie të caktuar. Që ta realizosh revolucionin duhet mobilizim të përgjithshëm të elitës shoqërore, por që të jetë i suksesshëm duhet vullnet dhe vetëdije të organizuar...
Asgjë nuk është e pamundur, madje as revolucioni. Këtë të fundit duhet kuptuar si sistem i të menduarit në mënyrë idealiste, sepse revolucioni në thelb ka karakter ideal. Revolucioni rrjedh drejt ndryshimit, ndërsa ndryshimi sjell të përsosurën, pra idealen. Ashtu si e mira që duhet të realizohet, ashtu dhe revolucioni duhet të realizohet ndonjëherë. Që të vish deri te udha e revolucionit duhet interes, nevojë, kohë, sistem inteligjent.
Revolucionet që u ndikuan sipas përvojës bon sens kanë mundur të ndryshojnë sisteme, koncepte, fenomene, çështje, politikë dhe gjithçka e nevojshme për një shoqëri të ngritur intelektualisht. Revolucionet kudo kanë ndryshuar jo veçse politikën shtetërore e më gjerë, por dhe botën. Prandaj, revolucionin nuk e shoh vetëm si një e drejtë njerëzore, por edhe si nevojë e kohës drejt përsosjes shoqërore brenda një shteti të së drejtës, ku e mira do të jetë kushti i vetëm për ekzistencën e tyre të ardhshme...



































