LAJMI I FUNDIT:

”Revolucioni Laraman” paralajmëron protestat e radhës, ja kërkesat e tyre

”Revolucioni Laraman” ka bërë publike metodat e reja të veprimtarisë, duke bërë thirrje për një protestë të radhës, për ditën e nesërme, në ora 18, para Prokurorisë Speciale Publike (PSP), transmeton Telegrafi Maqedoni.

Në thirrjen e tyre, të publikuar në facebook, kërkojnë që qytetarët të mblidhen para, siç thonë, ”para kështjellës sonë – Prokurorisë Speciale Publike”, për t’ia kujtuar pushtetit se nuk e kanë ndërmend të bëjnë kompromis për kërkesat e tyre.


Revolucioni ka dhënë ultimatum për t’u plotësuar dy kërkesa të tyre siç janë, lirimi i demonstruesve dhe për deklarimin nga Gjykata Kushtetuese për kushtetueshmërinë e ligjit për PSP. Megjithatë, ata kanë edhe disa kërkesa tjera të cilat janë:

-Dorëheqja e qeverisë së tanishme OBRM-PDUKM – BDI, formimi i një qeverie kalimtare, e cila do t’i zbatojë reformat parësore të përfshira në raportin e Priebe dhe do të krijojë kushte për zgjedhje të drejta,
-Formimi i një departamenti të posaçëm në Gjykatën penale, që do të ketë në kompetencë rastet e PSP-së,
-Përfshirja e detyrueshme e përfaqësuesve të pavarur të shoqërisë civile, në procesin e zgjidhjes së krizës.
-Procesi i zgjidhjes së krizës të bëhet në territor të Maqedonisë.
-Dorëheqja e kryetarit Gjorge Ivanov./Telegrafi/