LAJMI I FUNDIT:

Revolucioni digjital i Kosovës, një storie suksesi

Revolucioni digjital i Kosovës, një storie suksesi
Foto: Ilustrim

Përditë dëgjojmë për teknologji të reja digjitale dhe premtimet që ato sjellin. Bota digjitale mund të zgjidhë shumë probleme dhe shpesh arrin t’i zgjidhë. Por shpesh harrojmë se miliarda njerëz nuk e kanë përdorur kurrë internetin. E pse jo? Sepse nuk kanë pasur kurrë qasje në radhë të parë. Ata jetojnë në realitet tjetër.

Shumica e personave pa qasje në teknologji digjitale jetojnë në vende në zhvillim ku interneti me shpejtësi të lartë është një privilegj i lokalizuar gjeografikisht që pakkush mund ta përballojë. Ata që jetojnë larg qyteteve – të cilëve “ura” digjitale u duhet më së shumti – janë më të shkëputurit. Edhe pse shumica e vendeve e kanë një lloj programi për adresimin e kësaj mangësie, pak prej tyre kanë pasur sukses.


Përjashtim bën Kosova, një nga vendet më të varfra në Evropë. Në vitin 2018 filloi zbatimi i Projektit pesëvjeçar për Ekonominë Digjitale të Kosovës (KODE) me mbështetjen e Bankës Botërore. Qëllimi i tij ishte i thjeshtë por i fuqishëm: të sigurohej që kosovarët që jetojnë në çdo skaj të vendit të kishin qasje të barabartë në mundësitë digjitale, qoftë për punë, arsim, shërbime sociale apo argëtim. Projekti ka qenë i suksesshëm. Sot, në vitin 2023, pothuajse të gjithë në Kosovë e përdorin internetin dhe numri i abonentëve në shërbimet fikse brez-gjera është një nga më të lartët në Evropë.

Programi tërhoqi investime nga sektori privat në fshatra ku më parë, të paktë ishin ata që kishin menduar të investonin. Tani banorët po kthehen në fshatra nga qytetet sepse interneti është më i mirë atje, dhe kjo ndihmoi shumë gjatë pandemisë COVID-19, shkruan blogs.worldbank.org.

Lidhja e çdo fshati në internet

Më 21 mars 2023, vizitova fshatin e largët dhe piktoresk të Herticës, në verilindje të Kosovës, për të marrë pjesë në një event që shënon një arritje të madhe – lidhjen e fshatit të fundit në vend në internet me shpejtësi të lartë.  Bënte ftohë dhe binte shi në Herticë, por të gjithë ishin të mbushur me gëzim dhe krenari. Fëmijët e shkollës lokale vraponin me duksa të zinj me fjalët Kosovo Connected (Kosova e Lidhur), ndërkohë që politikanë, udhëheqës të fshatit dhe operatorë të internetit flisnin me kënaqësi për këtë arritje. Përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe qeverisë e shtypën së bashku butonin e madh simbolik që solli shërbimet brez-gjera në fshatin e fundit të palidhur në vend.

Si e arriti Kosova lidhshmërinë për të gjithë?

Projekti KODE ofroi grante që përputheshin me investimet e operatorëve të internetit për ngritjen e rrjeteve të tyre në fshatra të palidhura. “Përputhja” nënkuptonte se mbulohej vetëm një pjesë e kostove – pjesa tjetër u pagua nga operatorët e internetit. Prej këtyre rrjeteve të bashkëfinancuara u kërkua të siguronin internet me shpejtësi të lartë (100 Mbps) në çdo shtëpi, shkollë dhe qendër shëndetësore. Edhe çmimet u rregulluan që të ishin të njëjta si në qytete. Qeveria u dha grante operatorëve të internetit me zgjidhje për rrjet me kosto më të ulët. Konkurrenca ishte e fortë: Në Kosovë ka më shumë se 60 operatorë, shumë prej të cilëve janë firma lokale. Njëzet e një operatorë fituan të paktën një grant.

Falë konkurrencës, pothuajse secili grant ishte më i vogël seç ishte planifikuar, duke çuar në kursime për 40 për qind. Gjithashtu, shumë grante u dhanë paralelisht, duke e përshpejtuar ndërtimin e rrjetit. Teksa programi iu afrohej fshatrave më të largëta, qeveria ofroi grante më të mëdha për t’i arritur ato – deri në 80 për qind. Gjithsej, operatorët e internetit kontribuuan me 30 për qind të financimit të nevojshëm për të lidhur çdo fshat. Siç më tha një operator, ishin para të shpenzuara mirë. Secili grant solli klientë të rinj dhe bëri të mundur punësimin e më shumë qytetarëve. Secili punësim i tillë sjell një punë tjetër cilësore në Kosovën rurale dhe nxit ekonominë lokale.

Fshatrat e largët lulëzojnë me lidhshmëri

Dikur mendoja se njerëzve në fshatra nuk ka seç iu duhet interneti. Por e kisha gabim: Pothuajse secila shtëpi në secilin fshat ku ofrohen shërbime nga programi, zgjodhi të abonohej në internet. Interneti i mirë është shpëtimtar për industrinë lokale të turizmit, si dhe për bizneset e tjera lokale.

Për më tepër, ishte i domosdoshëm për popullatën në përgjithësi gjatë mbylljeve për shkak të COVID-19. Qytetarët arritën të merrnin shërbime sociale, të konsultoheshin me mjekë, kurse fëmijët arritën të vazhdonin arsimin online. Kam dëgjuar raste të individëve që janë zhvendosur në fshatrat përreth qyteteve të mëdha sepse interneti është më i mirë atje, dhe kjo është diçka që e dëgjon shpesh.

Kur pyeta operatorë të internetit se çka e bëri programin të funksiononte, ata të gjithë thanë se ishte i thjeshtë dhe i shpejtë. Ata gjithashtu thanë se për shkak se dizajni ishte bashkëpunues, ata të gjithë ndiheshin pjesë e tij. Të gjithë e ndanë vërtet suksesin e tij. Konkurrenca dhe vendosjet paralele sollën efikasitet në proces. Njësoj kontribuoi ekipi i motivuar dhe i kualifikuar në Ministrinë e Ekonomisë së Kosovës.

Tanimë, vendi është gati të ecë përpara në frontin digjital. Teknologjitë e reja për të cilat dëgjojmë çdo ditë do t’i prekin jetët e të gjithëve në këtë vend të vogël të Ballkanit Perëndimor.