LAJMI I FUNDIT:

Respektimi i sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës

Respektimi i sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës

Gjatë Forumit të Grave, Paqes dhe Sigurisë – të mbajtur në Prishtinë para disa javësh, – iu bashkova duartrokitjeve të qindra pjesëmarrësve, kur presidentja Osmani i dekoroi gratë e Ukrainës me Medaljen Presidenciale të Meritave. Të gjithë u prekëm nga fjalët e deputetes së Parlamentit të Ukrainës, Yevgenia Kravchuk, e cila e pranoi këtë medalje në emër të tyre. Zonja Kravchuk rrëfeu se si sulmi brutal, i pajustifikueshëm i presidentit Putin, ka prekur – dhe vazhdon të prek – jetën e të gjithëve në Ukrainë. Ajo i përshkroi sulmet e tmerrshme ajrore në qytetet paqësore të Ukrainës dhe se si fëmijët ukrainas po rriten në kohë lufte – në vend se të shkojnë në shkollë, ata zgjodhën për të shkuar në strehimore nga bombardimet. Në fakt, zonja Kravchuk vuri në pah se në çastin kur po fliste para nesh në Prishtinë, vajza e saj ishte në strehimore për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore.

Pushtimi i Rusisë dhe agresioni i vazhdueshëm ka shkaktuar pasoja të tmerrshme te aq shumë njerëz. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë sovranitetin e Ukrainës në Kombet e Bashkuara dhe do të ofrojmë mbështetje për popullin e Ukrainës përderisa Rusia po bën gjithçka në fuqinë e saj për ta minuar atë sovranitet: dëbime të detyruara dhe operacione “filtrimi”, vrasjen pa gjyq të civilëve, kërcënime të vazhdueshme ndaj jetës dhe mjeteve të jetesës, dhe instalim të satelitëve rusë. Dhe, do të vazhdojmë të punojmë me aleatët dhe partnerët tanë për të imponuar kosto Rusisë.


Shtetet e Bashkuara mirëpritën dënimin e shpejtë të Kosovës të pushtimit të paprovokuar dhe të pabazë të Kremlinit dhe shprehjen e solidaritetit të plotë me popullin e Ukrainës. Kosova i hapi dyert për ukrainasit që gjetën strehim këtu, përfshirë gazetaret ukrainase që tani banojnë në Kosovë, shumë prej të cilave ishin në skenë për të pranuar medaljen nga Presidentja Osmani. Këto gazetare vazhdojnë që me trimëri të bëjnë të mundur që njerëzit anembanë botës të kenë qasje në informatat e besueshme dhe të sakta për atë që po ndodhë në Ukrainë.

Kosova, gjithashtu, menjëherë u rreshtua me sanksionet e ShBA-së dhe të BE-së në mbështetje të Ukrainës. duke shfaqur sërish përkushtimin e saj për të qenë pjesë e botës së demokracive të lira dhe sovrane.

Përkushtimi ynë ndaj Ukrainës është i hekurt. Veprimet e Kremlinit në Ukrainë paraqesin sulm të drejtpërdrejtë ndaj Kartës së OKB-së dhe të parimeve të saj kryesore: sovraniteti, integriteti territorial, paqja dhe siguria për të gjitha shtetet – të mëdha e të vogla. Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e aleatët tanë i kanë mbështetur prej kohësh këto parime, të cilat janë themeli i rendit ndërkombëtar të ndërtuar dhe të mbështetur nga vendet anembanë botës – që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Duke i sfiduar këto parime, Rusia kërkon të minojë vetë sistemin ndërkombëtar.

Presidenti Biden ka thënë: “Bota ka dërguar porosi të qartë: Rusia nuk mund ta fshijë një shtet sovran nga harta. Rusia nuk mund t’i ndryshojë kufijtë me forcë. Rusia nuk mund të kapë territorin e një vendi tjetër si të vetin”.

Referendumet e fundit fiktive të Kremlinit nuk ishin gjë tjetër veçse pretekst i rremë për të tentuar aneksimin e pjesëve të Ukrainës me forcë. Këto dredhi propagandistike ishin tentim për ta maskuar përpjekjen e kotë të Rusisë për të rrëmbyer tokë në Ukrainë. “Rezultatet” u sajuan në Moskë – ato nuk u mblodhën në Ukrainë dhe ato tregojnë vullnetin e Moskës, jo vullnetin e lirë të Ukrainës dhe të popullit të saj. Rusia i detyroi qytetarët e Ukrainës, të bllokuar nga ushtria ruse, për të votuar nën tytat e pushkëve. Më 30 shtator, Rusia u përpoq të mbrohej nga llogaridhënia dhe nga përgjegjësia duke vënë veton në rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara – që dënonte të ashtuquajturat “referendume” dhe përpjekjet për aneksim. Por, Rusia ishte e izoluar – asnjë vend i vetëm nuk votoi krah Rusisë.

Ne kurrë nuk do t’i njohim këto zona si pjesë të ndonjë vendi tjetër, përveçse të Ukrainës, dhe do ta mbështesim Ukrainën për aq kohë sa duhet. Teksa Ukraina rifiton kontrollin mbi më shumë territore të saj dhe përderisa dalin në shesh pasojat e tmerrshme në njerëz nga agresioni i Rusisë, Kremlini po nxiton dëshpërimisht të largojë vëmendjen e botës nga humbjet ushtarake dhe nga krimet e luftës.

Veprimet e Presidentit Putin vetëm se e kanë izoluar më tej Rusinë dhe kanë forcuar vendosmërinë ndërkombëtare për të qëndruar përkrah Ukrainës. Kërcënimi i tij me shpërthim bërthamor, referendumet e rreme, mobilizimi i detyruar dhe shtypja e gjerë – dhe ndonjëherë e dhunshme – e rusëve që ushtrojnë të drejtat e tyre për t’u shprehur, kanë elektrizuar publikun, por jo në mënyrën që ai synonte.

Në reagim, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët dhe partnerët tanë, përfshirë Kosovën, po vendosin kosto të shpejtë dhe të rëndë që synojnë zyrtarët e qeverisë ruse, anëtarët e familjeve të tyre, zyrtarët ushtarakë rusë dhe bjellorusë dhe rrjetet e prokurimit të mbrojtjes, duke përfshirë furnizuesit ndërkombëtarë që mbështesin kompleksin ushtarako-industrial të Rusisë. Nga kufizimet për viza e deri te sanksionet, veprimet nga e tërë qeveria e ShBA-së vazhdojnë t’i shtojnë masat e gjera ekonomike të vendosura ndaj Rusisë, për t’i kërkuar përgjegjësi për luftën e paprovokuar në Ukrainë.

Populli i Ukrainës, publikisht dhe vazhdimisht, ka shprehur dëshirën e vet për të ardhme të lirë dhe demokratike. Ata janë të vendosur të mbesin të pavarur dhe sovran. Ukrainasit po luftojnë trimërisht. Ata po luftojnë dhe po u bëjnë ballë përpjekjeve të Rusisë për të ndryshuar me forcën brutale kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës.

Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë bashkë me partnerët tanë, përfshirë Kosovën, në mbrojtjen e parimeve thelbësore të Kartës së OKB-së. Dhe, do të vazhdojmë të ndihmojmë popullin e Ukrainës dhe t’i ofrojmë mbështetje për t’i ndihmuar ata të mbrojnë veten dhe territorin e tyre kundër pushtimit të paligjshëm të Rusisë.

(Jeffrey M. Hovenier është ambasador i ShBA-së në Kosovë)

Në trend

Më shumë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme

"Vuçiq e mendonte Slloveninë Eldorado serbe, kurse diplomatët e saj vegla të tij", ish-diplomatë serbë flasin për skandalin e fundit të Vuçiqit

Lajme
Pasuria e guvernatorit të BQK-së, drejtorit ATK-së dhe drejtorit të Doganës

Pasuria e guvernatorit të BQK-së, drejtorit ATK-së dhe drejtorit të Doganës

Ekonomi
John Terry zbulon historinë e patreguar se si ai udhëhoqi kryengritjen te Chelsea ndaj një trajneri

John Terry zbulon historinë e patreguar se si ai udhëhoqi kryengritjen te Chelsea ndaj një trajneri

Premier League
“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

Drejtësi
Çfarë dihet për varrezat masive në Gaza dhe çfarë ka ndodhur me ato të zbuluara në vende të tjera më parë?

Çfarë dihet për varrezat masive në Gaza dhe çfarë ka ndodhur me ato të zbuluara në vende të tjera më parë?

Botë
Kalo në kategori