Reperi i njohur Sean Kingston është dënuar me tre vite e gjysmë burg federal për një skemë mashtrimi që kapte vlerën e mbi një milion dollarëve.

Autori i hitit “Beautiful Girls”, emri i vërtetë i të cilit është Kisean Anderson, u shpall fajtor më herët këtë vit së bashku me nënën e tij, në një rast mashtrimi përmes transfertave bankare. Ata kishin përvetësuar sende luksoze, përfshirë orë të shtrenjta, një televizor LED gjigant prej 232 inçësh, një Cadillac Escalade të blinduar dhe mobilie, duke tejkaluar vlerën prej 1 milion dollarësh.


Sipas prokurorëve, Kingston dhe nëna e tij përdornin statusin e reperit për të bindur viktimat t’iu jepnin produktet, ndërsa në momentin e pagesës dërgonin mandate bankare të falsifikuara, shkruan BBC.

Në seancë, këngëtari kërkoi falje para gjykatës dhe tha se kishte nxjerrë mësime nga veprimet e tij, sipas mediave amerikane. Ndërkohë, në korrik, nëna e tij Janice Turner u dënua me pesë vite burg.

Kingston, reper me origjinë xhamajkane-amerikane i njohur edhe për hitet “Fire Burning”, “Take You There” dhe “Eenie Meenie” (ft. Justin Bieber), u arrestua në vitin 2024 në Kaliforni, ku ishte planifikuar të performonte në një bazë ushtarake në shkretëtirën Mojave. Arrestimi ndodhi pas një bastisjeje në shtëpinë e tij pranë Fort Lauderdale, ku u arrestua edhe nëna e tij.

Prokurorët thanë se Kingston kontaktonte viktimat përmes rrjeteve sociale duke u shprehur se dëshironte të blinte mallra luksoze, e më pas i ftonte në shtëpitë e tij në Floridën Jugore. Ai premtonte se do t’i promovonte produktet në rrjetet e tij sociale ose do t’i referonte te “të famshëm të tjerë me profil të lartë”. Por kur vinte momenti i pagesës, ai ose nëna e tij u dërgonin mandate bankare të rreme.

Sipas autoriteteve, shumica e viktimave nuk u paguan kurrë, megjithëse disa prej tyre morën pagesa vetëm pasi u përfshi policia ose u ngritën padi.

Një provë kyçe në gjyq ishin mesazhet mes Kingston dhe nënës së tij, ku flitej hapur për mandatet false të pagesës. Në një prej tyre, Kingston shkruante: “Të thashë të bësh një mandat të rremë”.

Avokati i tij, Zeljka Bozanic, e përshkroi këngëtarin si “një djalë i butë që u rrit në varfëri dhe që u bë i famshëm brenda natës”, duke shtuar se Kingston ende kishte mentalitetin e një adoleshenti dhe nuk dinte si të menaxhonte financat apo biznesin e tij.

Reperi do të nisë menjëherë vuajtjen e dënimit.