LAJMI I FUNDIT:

Remo Girone në Shqipëri, për xhirimet e filmit të Namik Ajazit

Remo Girone në Shqipëri, për xhirimet e filmit të Namik Ajazit

Nisën dje xhirimet e filmit më të ri me regji të Namik Ajazit, “Portreti i pambaruar i Clara Bellinit”. Së bashku me skenaristin Ruzhdi Pulaha dhe një kast të zgjedhur aktorësh shqiptarë e italianë, Ajazi sjell një histori të pamundur dashurie gjatë viteve të diktaturës. Bëhet fjalë për historinë e dashurisë mes një djali shqiptar dhe vajzës së një diplomati të lartë Italian.

Ngjarjet zhvillohen në fund të viteve 1970, fillim i 1980-ës, dhe krahas historisë së dy të rinjve tenton të sjellë edhe atmosferën e atyre viteve të vështira për shqiptarët.


Për të ndërtuar këtë histori, regjisori Ajazi thotë se ka punuar për gati tre vjet dhe ka bërë kërkime në ish-Arkivin e Ministrisë së Brendshme.

Rrëfimi është mbështetur në katër histori të vërteta, njëra prej të cilave i qaset më shumë asaj të filmit. Por, Ajazi thotë se nuk mund të flitet për personazhe realë, pasi ajo ka marrë copëza nga disa syresh.

“Është homazh për të gjithë ata njerëz që kanë kaluar nëpër situate të tilla. Disa nuk jetojnë më, disa tashmë janë gjyshër”, thotë Ajazi, teksa shton që përzgjedhja e temave nga e kaluara vjen si një detyrim karshi një brezi që përjetoi kohëra të vështira, por edhe për t’i treguar brezit të ri se ç’kanë qenë këto vite. Kasti i aktorëve përbën një surprizë më vete.

Ajazi ka arritur të bindë e të sjellë në Tiranë aktorin Remo Girone, i cili së bashku me aktoren Victoia Zinny do të interpretojnë prindërit e vajzës.

“Kemi një kast të mirë aktorësh shqiptarë, që nga Alfred Trebicka, Gulielm Radoja, Raimonda Bulku, Mehdi Malkaj dhe një djalosh i ri që jeton në Firenze, Anton Kodrinaj, të cilit i kemi besuar rolin kryesor, atë të Artur Erzenit”, thotë regjisori.

Filmi mbështetet nga QKK, Ministria Italiane e Kulturës dhe Eurimages. /Shqip/