Rekuiem për deputetët e “harruar”
Gjithmonë do t’i kujtojmë me mall ata deputetë që na kanë harruar
Deputetë të “harruar”. T’ju them edhe të nderuar, nuk e meritoni aspak. Nuk e meritoni sepse ju harruat për ne, kur ne shpresonim në ju. S’di a ju kujtohet nëntori i vitit 2007? Ishte një nëntor i bukur, pakëz i ftohtë, por plotë shpresë. Ju buzëqeshnit, premtonit, e ne shpresonim e lavdëroheshim me ju. Vallë, ju kujtohet? Nuk ma merr mendja, sepse kurrë s’ju pamë më. Bile as në TV gjatë mbledhjeve të Kuvendit. Ne megjithatë ju kërkonim. Ju kërkonim kur ishim të shqetësuar, kur kishim nevojë për ju, sepse ju na thatë: “Votoni për ne sot, ne do të jemi afër jush për shumë mot”. Andaj ju votuam, e pastaj ju kërkuam. S’linim skutë e qoshe pa ju kërkuar. Ne u besuam fjalëve tuaja, andaj ju kërkuam. Gjithkah ju kërkuam, por, s’ju pamë që s’ju pamë dot. S’di se ku fshiheshit. Nëpër sallën madhështore të Kuvendit? Nëpër veturat me xhama të nxirë? Duke krijuar ligje në favorin tuaj? Apo diku në ndonjë skaj të restoranteve...?
Ju mund të keni qenë gjithkah, por jo, assesi në vendin ku ne ju dërguam. Ju mund të ishit fizikisht, por mendjen s’e kishit aty. Ne provuam t’ju marrim në telefon, por ju i kishit ndërruar numrat. Provuam edhe nëpër e-mail adresa, por përgjigjja kthehej me postmaster. Ne bëmë peticione, ju asnjëherë s’i lexuat. Ne shpresonim në ju, ju na e thyet shpresën. Megjithatë ne pyesnim për ju, por askush s’na përgjigjej.
Kështu ju na harruat neve për një kohë shumë të shkurtër. Ju harruat shumë shpejt premtimet që i dhatë vetë, madje pa ju kushtëzuar askush. Nga njerëz të rëndomtë u bëtë shumë të paprekshëm, nga njerëz të thjeshtë u bëtë të “përbërë”, nga shërbyes të popullit u bëtë pushtuesit tanë. Një pjesë shumë e madhe prej jush pushtuat karriget e Kuvendit dhe kurrë s’e çelët gojën për ne. Një grumbull prej jush jeni marrë më shumë me vetveten sesa me interesin e qytetarëve. Dhe tash koha po vjen, bile më shpejtë se e kemi menduar. Që ne (të thjeshtit, por sovranë) të merremi përsëri me ju, por kësaj radhe më seriozisht. Që edhe ne t’ju harrojmë juve, e ju të mbeteni deputetë të harruar. Sepse, ju na keni “harruar” neve tërë kohën, ne s’ju kemi harruar juve për asnjë çast.
Ne s’ju kemi harruar juve në mënyrë që t’ju harrojmë te kutitë e votimit. Nëse ju keni “harruar” shpesh për ne, ne do të harrojmë vetëm një ditë për ju. Kjo s’do të thotë se ne nuk do të votojmë më. Ne gjithsesi do të jemi te kutitë e votimit, bile më madhështorë, por ata që na “harruan” tërë kohën do t’i harrojmë atë ditë. Nëse nuk e keni ditur, jua përkujtojmë se njerëzit në këtë botë vetëm në një ditë të caktuar janë të gjithë të barabartë, të gjithë e kanë një peshë, nuk kanë dallim nëse janë të bardhë apo të zinj, pleq apo të rinj, ta pasur apo të varfër... Dhe ajo ditë është dita e zgjedhjeve.
Gjithsesi, për fund, patjetër se duhet t’ju themi edhe diçka: Dikur në ish-Radio Televizionin e Prishtinës, transmetohej një emision zbavitës me titull: “Keni kërkuar, shikoni!”. Andaj edhe ne sot ju themi, por jo duke u zbavitur: Keni kërkuar, shikoni!
(Autori është koordinator i OJQ-së “SHARRI” në Shtërpcë dhe gazetar në “Zëri”)



































