Burimet për informim që dilnin nga EULEX-i në dhjetor të vitit te kaluar bënin të ditur se në fillim të vitit te ri, domethënë në janar te 2010 do të prangosen “peshqit” e mëdhenj në vendit tonë, të cilët ishin zhytur në korrupsion apo kishin vepruar në kundërshtim me legjislacionin e Kosovës.

Kur i gjithë populli e kishte mirëpritur një gjë të tillë nga EULEX-i, papritmas ndodhi e kundërta, ndryshoj qëndrimi i planit të tyre dhe rihapen serish rigjykim ndaj liderit të Lëvizjes “VETVENDOSJE” z.Albin Kurti. Ky i fundit akuzohej për tri vepra penale dhe atë: për pjesëmarrje në një turmë njerëzish që kanë kryer vepra penale, pjesëmarrje në një grup qe kanë penguar personat zyrtar në kryerjen e detyrës së tyre zyrtare dhe thirrje për rezistencë, të cilat sipas deklaratave te EULEX-it janë kryer gjatë protestës së 10 shkurtit 2007. Mirëpo sa qëndrojnë këto akuza, kur dihet se ata që ishin viktima dhe u vranë nga policia ndërkombëtare, ishin qytetarët e Republikës së Kosovës. Pra në ketë rast arrestohet viktima e jo krimineli.


Rihapja e Gjykimit ndaj liderit të Lëvizjes “VETVENDOSJE” është i motivuar politikisht, për arsye se aktivistet e VETEVENDOSJES janë e vetmja opozitë reale ndaj EULEX-it.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, përkatësisht EULEX-i erdhi në Kosovë në dhjetor të vitit 2008, i cili punësoj në terren më se 1.622 punëtorë te BE-së dhe 1021 vendorë, (gjithsej 2643 sish). Synimi i tyre ka qen qe t’i ndihmojnë institucionet e sigurisë dhe atyre gjyqësore në vendosjen e drejtësisë dhe ja drejtësia e EULEX-it ndryshoj kahun, në vend që te dënon vrasësit i dënon qytetaret të cilët kërkojnë të drejtat fundamentale, gjegjësisht kërkojnë referendumin si materializim i së drejtës për Vetëvendosje.

Pse na ndalohet e drejta e Vetëvendosjes kur një gjë e tille është e paraparë me aktet dhe konventat me të larta ndërkombëtare, si dhe është një nga parimet kryesore të shteteve demokratike. Përse ne s’mund te vendosim për fatin tonë, ku këto parime kanë ekzistuar edhe në Mesjetë e deri në vendet me të skajshme të botës, përkatësisht në Afrikë, ndërsa në shek.XXI, mu në kontinentin e vjetër, në një vend të quajtur Kosovë na ndalohet një gjë e tillë.

Ç’janë këto të “drejta” simetrike, asimetrike, arbitrare, parabolike e diabolike, që na shfaqen herë si "Engjëll" e herë si Djallë?!
Çfarë i duhen vendit tonë, gjykatësit ndërkombëtarë kur mbi 8000 jurist rrjedhin rrugëve poshtë e lartë, të pa punë.

Gjykatat e EULEX-it nuk i dënojnë ata që na vranë, ata që kryen krimin, por i dënojnë ata që kërkojnë të drejtat e tyre, ata që dëshirojnë ta punojnë, kjo ndodh, sepse ata kanë frikë se po ju prishet vendi dhe rehatia.

Policia e UNMIK-ut u mundua ta mbyll ketë rast duke ju ofruar familjeve të viktimave një shumë parash, pa i dënuar kryesit e krimit, pa ju kërkuar falje familjeve të tyre, në mënyrë qe ta mbyllin ketë raste, duke menduar se jeta e tyre blihet me para, por ju dështoj ky plan intrigues.

Z.Kurti ishte prangosur disa herë nga policia e UNMIK-ut, vetëm e vetëm pse kundërshtonte gjerat negative që ndodhnin në vendin tonë, përkatësisht për kundërshtimin e decentralizimit mbi baza etnike, për kundërshtimin e paketës së Atihsaarit e cila kishte shume gjera negative për vendin tonë, për kundërshtimin e eksterritorialitetit, për kundërshtimin e sundimit ndërkombëtar etj, kurse tani arrestohet nga EULEX-i, me qellim të izolojnë nga jeta politike.

Udhëheqësit e institucioneve tona po pajtohen me ketë akuzë ndaj zotëri Kurtit me heshtje e tyre, sepse edhe heshtja është një lloj pajtimi dhe asnjë nga ata nuk del qe të ngre zërin në mbrojtje të tij - dhe kjo ndodh për arsye ende të panjohura për qytetarët deri tani.

Sipas deklaratave të EULEX-it, procesi gjyqësor kundër Albin Kurtit ka mbetur i hapur qe nga koha e UNMIK-ut dhe duhet të mbyllet ky proces ndaj tij.

Lideri i “VETEVENDOSJES” asnjë herë nuk i ka njohur gjykatat e UNMIK-ut dhe kurrë nuk është paraqitur para trupit gjykues me dëshirën e tij, por gjithmonë të prangosur e kanë dërguar, e njëjta gjë po ndodh edhe me EULEX-in.

Qëllimi i EULEX-it është që ta kufizoj lirinë e tij edhe ta mbaj sa ma larg nga politika qe ta izoloj dhe mos ti jep rast qe të kontribuoj për qeshjen mbarëkombëtare në vendin tonë, me shpresë që një dite të bëhemi të zot, që të vendosim vet për fatin tonë sepse askush nuk mund të vendos për fatin e shqiptarëve pos vet shqiptarët.

(Autori student i Fakultetit Juridik në studimet postdiplomike-master, drejtimi Ndërkombëtar në UP. Kontakti: lami209@hotmail.com)