Në disa hulumtime ad-hoc të realizuara në shumë vise rurale të Kosovës, në pyetjen e vetme: Cila është pasuria më e madhe e Kosovës? Morëm përgjigje shumë interesante. Disa mendonin linjiti (qymyri), të tjerët hekuri. Një më i moshuar na dha një përgjigje shumë interesante Rinia. Vazhduam me tej me hulumtimin derisa gjetëm edhe një përgjigje tjetër interesante: Qeverisja e mirë.

Nga shumë përgjigje që morëm, në këtë shkrim do fokusohem tek këto katër përgjigjet e lartpërmendura.

Tradicionalisht qytetarët e Republikës së Kosovës e dinë që Kosova është e pasur me linjit. Në gjendjen çfarë ai është sot ai përdorët vetëm për energjinë. Edhe pse në këtë formë ne e sigurojmë energjinë bashkë me energjinë në pako nga linjiti ne marrim edhe këto produkte: Tymin pluhurin dioksidin e karbonit dhe shumëçka tjetër që krijon ndotje, papastërti të pamatshme nga shkaktarët rajonal të ndotjes. Alarmante a?

Hekuri

Vlerësohet si një nga pasuritë tjera që i ka Kosova. Duke iu referuar hulumtimit, ai nuk përpunohet në masë të kënaqur edhe pse ky metal që gjendet në vendin tim është katalizator i zhvillimit ekonomik normal. Pse ndodh kjo? Janë politikat makroekonomike apo zhvillimore që i ka në dispozicion qeveria e nuk i vë në funksion apo ka një ministër i cili nuk guxon t’i kaloj rrethojat e oborrit qeveritar? Këtë nuk e di.

Mbesim tek dy përgjigjet tjera. Përgjigjja e tretë është Rinia

Rinia është kapitali që ka Kosova e që i mungon investimi. Investimi në terminologjinë ekonomike është shndërrimi i një kapitali normal në kapital të ri real. Rinisë së Kosovës i duhet investimi, nga i cili investim mund të nxjerrim produkte reale, të pranueshme dhe konkurruese në tregun e punës.

Qeverisja e mirë

Më lart u përmend si një nga kapitalet më të rëndësishme të Kosovës.
Do të mundohem gradualisht ti dekonstruktoj këto elemente për ti determinuar problemet me të cilat perballet vendi im, duke u munduar të konstruktoj forma të reja të zgjidhjes së problemeve në vendin tim.

Arsimi


Viti 1989 shënon botërisht thyerjen e perdes së hekurt. Ndarjen e botës në dy pole. Polin e veriut perëndimor dhe paktin e Varshavës. Edhe pse një hallkë e dobët në zinxhirin komandues të Moskës, vendi im trashëgoi leksionet e një ekonomie të centralizuar. Një sistem arsimor që i përshtatej asaj ekonomie.

Sot vendi im mëton të jete pjesë e një tregu të lirë të mallrave, shërbimeve, ideve, dhe kapitalit. Rinia është forca më e madhe e zhvillimit në vendin tim. Me këtë sistem arsimi që pranon, nuk mund ti përshtatet këtyre trendeve të zhvillimit rajonal, andaj reformat në arsim në këtë frymë janë të domosdoshme, sikur në arsimin zyrtar ashtu edhe në trajnimet profesionale që duhet organizuar për tu përshtatur këtyre trendeve.

Sistemi iarsimit tonë është linear. Dihet pikëfillimi dhe pikëpërfundimi igradimit. Në orë mësimi nxënësi-studenti është marrës i diturisë, nga ai kërkohet të përsërisë mendime.
Kjo nuk është e mjaftueshme, nxënësi-student ynë duhet të jetë edhe dhënës ose krijues i mendimit të ri. Jo opurtunist por shqyrtues kritik i atyre formave të studimit karshi nevojës për përgatitje në tregun e punës dhe përcjelljeve të arritjeve teknologjike e shkencore.

Lexuesit tim ashtu sikur edhe mua do të doja që ti shkonin në mëndje disa pyetje logjike: mendon qeveria për qytetarin e saj? Për mirëqenien e tij? Për punësimin? Për krijimin e vendeve të reja të punës? Për shërbimet? Për zhvillimin ekonomik? Për blegtorinë? Bujqësinë? A i intereson qeverisë me çka ushqehet qytetari i saj, a ka kapacitete prodhuese, kualitet të tokës që në Kosovë të prodhohen produkte ushqimore biologjike-natyrale apo duhet të konsumojmë prodhime artificiale vlera ushqyese e të cilave është shumë me e vogël dhe freskia e tyre tretet nëpër depo kamion transporti apo diku tjetër.

Sa importon mallra shteti im pa nevojë nga jashtë? Sa eksporton? Sa është GDP dhe GNP? Sa janë të ardhurat për kokë banori? Çfarë është cilësia e shërbimeve shëndetësore e dilema tjera të pafundme. A a ka qeveria e vendit tim platformë për ndryshimin e kësaj gjendje?

Në përfundim të këtij shkrimi lexuesi im do të doja ta pyes veten. Pse i duhet ky koalicion qeverisës? Në programet e tyre a ka parti politike që i trajton këto probleme dhe propozon zgjidhje të këtyre problemeve. Pse nuk duhet provuar një qeverisje ndryshe. Shpresoj që bashkërisht të debatojmë mbi këto probleme dhe të marrim mendimet tuaja për çështjet e parashtruara.

(Autori është drejtor ekzekutiv i Institutit Ballkanik për Hulumtim dhe Zhvillim. Qëndrimet në këtë shkrim janë personale)