LAJMI I FUNDIT:

Refleksion për dramën “Shkamat” të Fadil Hysajt

Refleksion për dramën “Shkamat” të Fadil Hysajt

Nga: Agron Gërguri

Një analogji me “Karriget” e Ionescos:


Tek Ionesco: Qifti i moshuar në një ishull, kujtojnë ditët e shkuara me plotë zhgënjim dhe dështim. Kështu disi ua lexon jetën pleqëria. Çështje që të tundojnë mendimin… Për të thyer monotoninë, Plaku vendos të thërras mysafirë imagjinarë. Ata kanë për t’ua komunikuar një mesazh shpëtimtar për njerëzimin, e që është “kuptimi i humbur i jetës”. Mesazhin do ta komunikojnë përmes oratorit memec. Një refleksion mbi kotësinë e jetës, shkëputjen e komunikimit apo “asgjënë” e Beckettit.

Tek Hysaj: Tema është mungesa, mungesa e dashurisë, e atij emocioni real i cili është shndërruar në para, ose është përthyer në veprim politik.

Fadil Hysaj ndez një qiri në shpirtin e atyre që mungesën e kanë të gravuar në shpirt, për të ndriçuar hapësirat e kontaminuara. Shfaqja sikur evidenton se kemi arritur fundin e poshtërimit të dashurisë. Duke kalëruar nëpër ndjenja, prodhon emocione që na përpijnë totalisht duke shkaktuar tek ne, si spektatorë, edhe ndryshime fiziologjike, stërkeqjen e zvetënimin e kudondodhur rreth nesh e në ne.

Për të na e thënë këtë, personazhet e Hysajt jetojnë dhe veprojnë kryekëput në kohën psikologjike, të varur nga fuqia e kujtesës e kriposur me jetën bashkëshortore e cila në ato kushte edhe s’mund të ofronte diçka më shumë. Ata thërrasin zëra që ta kujtojnë melodinë e jetës së tyre fëmijën e vrarë në luftë… dhe kthehen në gjenezë si përpjekje për të gjetur ku është ngjizur e keqja, por nuk e gjejnë. Fat i keq. Dhe, cili është kumti i kësaj fatkeqësie. Oratori i Fadil Hysajt flet përçart, na jep një mesazh të çoroditur si vetë jeta e kontaminuar me politiko-patriotizma ku emrat përmenden si numra e fluiditetet shndërrohen në vlera kombëtare si skulpturë.

Në kulm artistik të shfaqjes, rri aktrimin maestral i Sheqeries e cila në kohën aktive të shfaqjes e krijon, e ruan dhe e zhvillon aq filigranisht personazhin me hipertension të brendshëm që eskalon në bllokadë emocionale, si një vdekje e gjallë së cilës s’ke se si i shmangesh dot. Ajo të merr dhe të dërgon atje ku synon jeta për t’i dhënë kuptim asgjësë dhe si njësi vlerore e interpretimit kulminant, e bën këtë shfaqje klithmë dashurie të munguar.

Për ta dërguar deri në meditim këtë formë të interpretimit, kontribuuojnë Xhevdet Doda me dialog simultan realizuar me natyrshmëri filmike dhe shndërrimin domethënës të Bislim Muçajt i cili mjeshtërisht e bie fjalorin bosh të neo-politikanëve.

Ndjenjat primare, frika, gëzimi, zemërimi dhe pikëllimi thuhet se janë trashëguese, e nëse kjo është kështu, atëherë shfaqja e Fadil Hysajt e evidenton këtë ligjësi duke na shkaktuar dhembje deri palcë për ta përzënë prej aty pikëllimin. Fundja këtë mision ka teatri, që t’na lirojë nga bagazhi i tepërt emocional, përkatësisht të na i edukojë emocionet, duke e ruajtur e stimuluar njerëzoren.