Reperi shqiptar, Finem, ka publikuar së fundmi videoklipin e tij më të ri, të titulluar “Esobar”, një projekt që ka tërhequr vëmendje të madhe jo vetëm për përmbajtjen muzikore, por mbi të gjitha për vendin ku është xhiruar: Kabul, Afganistan.

Klipi, i publikuar vetëm pak ditë më parë, u realizua në një nga zonat më të rrezikshme, nën një atmosferë të tensionuar dhe me praninë e vazhdueshme të forcave talibane.


Në një prononcim për emisionin Prive të Liberta Spahiut, Finem ndau për herë të parë detaje nga kjo eksperiencë e jashtëzakonshme.

Foto: Screenshot/YouTube

“E kam xhiruar këtë klip në Kabul, Afghanistan. Ishte ndoshta eksperienca më ekstreme që kam kaluar ndonjëherë. U futëm në zemër të territ, në vende ku shumica nuk guxojnë as të shkelin. Rreth nesh talibanë. Ishim të rrethuar, çdo lëvizje matej, çdo fjalë kontrollohej. Na duhej të qëndronim të kthjellët, të qetë, por me sy gjithmonë në krahë, gati për gjithçka”.

Ai shton se “Esobar” nuk është thjesht një këngë, por një histori e vërtetë.

“Ne nuk njohim rrezik. Kemi lindur për të kapërcyer limite, për me i jetu gjërat që të tjerët veç i shikojnë në filma. Dhe këtë herë, nuk ishte film. Ishte realitet. Ky klip është dëshmi e guximit, e jetës jashtë zonës së rehatisë. E kam sjell këtë histori në ekran, për ta treguar me sy, jo me fjalë. Të jetosh si artist, do të thotë të rrezikosh si burrë”, tha ndër tjerash artisti.

Publikimi i “Esobar” është pritur me shumë interes nga publiku dhe fansat e tij, të cilët kanë vlerësuar jo vetëm autenticitetin dhe mesazhin e fortë, por edhe gatishmërinë e artistit për të kapërcyer çdo kufi në emër të artit.

Ky projekt i vendos një standard të ri jo vetëm në skenën shqiptare të muzikës urbane, por edhe në mënyrën se si artistët shqiptarë zgjedhin të tregojnë historitë e tyre - me guxim, me përkushtim dhe pa frikë. /Telegrafi/