Real Madridi me fitore të thellë ndaj Kairat Almaty, shkëlqen Mbappe me het-trik

Real Madridi ka shënuar fitore të thellë me rezultat 5-0 në udhëtim ndaj Kairat Alamtyt në kuadër të raundit të dytë të Ligës së Kampionëve.
‘Los Blancos’ serinë e golave e hapën në minutën e 25-të përmes Kylian Mbappe, i cili e shndërroi në gol penalltinë e fituar nga Franco Mastantuono për rezultatin 1-0.
Arda Guler dhe Mbappe patën secili nja një rast tjetër të mirë shënimi në pjesën e parë, por nuk ia dolën ta gjejnë rrjetën.
Me të filluar pjesa e dytë, Thibaut Courtois bëri një asistim perfekt te Mbappe (54’), i cili nuk dështoi përballë portierit duke shënuar për 2-0.
Vetëm disa minuta më vonë, Mbappe (58’) pati një mundësi perfekte për të kompletuar het-trikun, por dështoi të shënojë nga afërsia.
🎩 KYLIAN HAT-TRICK MBAPPÉ pic.twitter.com/tGVSRuvC0F
— Real Madrid C.F. (@realmadrid) September 30, 2025
Sidoqoftë, ylli francez e gjeti edhe golin e tretë duke realizuar në minutën e 74-të pas asistimit nga Arda Guler (3-0).
Për golin e katërt të Real Madridit u përkujdes Eduardo Camavinga (83’) i cili shënoi për 4-0 pas një aksioni të bukur, i asistuar nga Rodrygo.
Brahim Diaz në minutën e 93-të u përkujdes për rezultatin përfundimtar të ndeshjes 5-0 duke realizuar me ndihmën e shtyllës
Me këtë fitore Real Madridi shkon në kuotën e gjashtë pikëve në Ligën e Kampionëve, pas triumfit në xhiron hapëse ndaj Marseille.
‘Los Blancos’ tani do të luajnë dy ndeshje në kampionat (Villarreal, Getafe) para se të rikthehen sërish në Ligën e Kampionëve, ku do të presin Juventusin në shtëpi./Telegrafi/



































