Real Madrid dhe avokati i Asencionit nën presion pas skandalit të videove private - marrëveshje jashtë gjykatës
Raul Asencio është përfshirë në një skandal me video intime, ku disa lojtarë të rinj të Real Madridit janë në qendër të hetimeve. Sipas disa burimeve, mbrojtësi ka arritur një marrëveshje jashtë gjykatës me viktimat e përfshira në këtë rast.
Avokati i Asencios, Alfonso Morales Camprubi — i cili përfaqëson edhe klubin Real Madrid — ka ndërmjetësuar këtë marrëveshje, që synon uljen e përgjegjësisë penale të lojtarit.
Rasti ka të bëjë me një incident në jug të Gran Canarias, ku pamje intime të aktit seksual janë regjistruar dhe shpërndarë pa pëlqimin e personave të përfshirë.
Marrëveshja i riklasifikon veprimet e Asencios si kundërvajtje të lehtë, duke e distancuar atë nga akuzat më serioze që rëndojnë mbi tre lojtarët e tjerë të përfshirë.
Në kuadër të saj, Asencio pritet të përballet vetëm me një gjobë sipas Nenit 197 të Kodit Penal Spanjoll, i cili trajton zbulimin dhe përhapjen e paligjshme të sekreteve personale, për të mbrojtur privatësinë.
Megjithatë, prokuroria nuk ka hequr dorë nga hetimet. Sipas raportimeve nga Canarias, Zyra e Prokurorit Publik vazhdon të shqyrtojë akuzat që do të ngrejë kundër Asencios dhe nuk ka ndërmend ta përjashtojë nga çështja.
Akuzat më serioze lidhen me shpërndarjen e përmbajtjes private seksuale dhe përfshirjen e një personi të mitur, duke përfshirë akuza për zbulim të sekreteve dhe pornografi me fëmijë.
Prokurorët po kërkojnë një dënim deri në katër vjet burg për Asencion, i cili dyshohet se ka shpërndarë me vetëdije materiale intime që përfshijnë një viktimë të mitur.
Për lojtarët e tjerë në hetim — Juan Rodriguez, Ferrán Ruiz dhe Andres García — prokuroria kërkon dënime me nga dhjetë muaj burg secili, sipas të njëjtave burime.
Edhe pse marrëveshja mund të ulë rrezikun ligjor për Asencion, ajo nuk e përjashton atë nga gjyqi. Aktualisht, të katër lojtarët mbeten nën hetim dhe pritet që procedurat gjyqësore të zhvillohen në muajt në vijim. /Telegrafi/






























