LAJMI I FUNDIT:

Reagimet, shkarkimet e procedura disiplinore – gjithçka që dihet deri tani pas publikimit të audio-incizimeve

Reagimet, shkarkimet e procedura disiplinore – gjithçka që dihet deri tani pas publikimit të audio-incizimeve
Foto: Ilustrim

Ditë më parë në media kanë filluar të publikohen audio-incizime që kanë bëjnë me sektorin e drejtësisë, saktësisht në prokurori prej ku mund të hedhen dyshime për keqpërdorim të detyrës dhe korrupsion.

Pas këtyre audio-incizimeve kanë pasuar reagimet e institucioneve të drejtësisë dhe të shoqërisë civile.

Deri tani Këshilli Prokurorial i Kosovës ka filluar procedurë disiplinore ndaj prokurores Shemsije Asllani, e apostrofuar në këto audio-incizime, ndërsa pas inicimit për shkarkimin e Driton Muharremit nga Këshilli Gjyqësor të Kosovës, Muharremi të premten ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë si dhe është shkarkuar drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu, pas audio-incizimeve të publikuara në media, të cilat e implikojnë në raste të ndryshme të ndikimit te personat e caktuar nëpër institucione.


Përgjimet, Këshilli Prokurorial i Kosovës fillon procedurë disiplinore ndaj prokurores Shemsije Asllani

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka bërë të ditur se kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në kuadër të kompetencave ligjore, ka parashtruar në KPK kërkesë për inicim të procedurës disiplinore ndaj një prokurori të kësaj prokurorie që ka të bëjë me audio-incizimet e publikuara në media.

Në një njoftim për media thuhet se KPK, në kuadër të kompetencave ligjore, do ta trajtojë këtë kërkesë të kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, duke themeluar panelin hetimor i cili është kompetent për të trajtuar shkeljet e pretenduara.

KPK thotë se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për ta trajtuar këtë rast dhe njëherësh njofton tërë opinionin publik dhe institucionet e pushtetit ekzekutiv se nuk do t’i nënshtrohet asnjë lloj presioni apo tentim-ndikimi nga jashtë, por veprimet e veta gjithnjë do të jenë në përputhje me kompetencat që ia garanton Kushtetuta dhe ligji.

Pas publikimit të audio-incizimeve, shkarkohet drejtor i Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu

Drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu, është shkarkuar pas audio-incizimeve të publikuara në media, të cilat e implikojnë në raste të ndryshme të ndikimit te personat e caktuar nëpër institucione.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Bordit Mbikëqyrës të Njësisë për Inteligjencë Financiare (NJIF), në mënyrë unanime është shkarkuar Dardan Nuhiu nga pozita e Drejtorit të NJIF-it.

Mbledhja e jashtëzakonshme ishte thirrur nga ministri Murati në cilësinë e kryesuesit të Bordit Mbikëqyrës të NJIF, pas publikimit të audio-incizimeve në media ditëve të fundit të cilat implikojnë edhe Drejtorin e NJIF-it, Dardan Nuhiun.

Siç theksohet, gjuha e përdorur në bisedat e publikuara shpërfaq qartazi abuzimin me detyrën e besuar.

Audio-incizimet ku i përmendej emri, Driton Muharremi jep dorëheqje nga pozita e anëtarit në KGJK

Pas publikimit të audio-incizimeve nga portali Shqip.com, anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Driton Muharremi ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e anëtarit në këtë këshill.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK),  përmes një njoftimi për media njofton se ka pranuar sot deklaratën e dorëheqjes së parevokueshme të anëtarit të KGjK-së, Driton Muharremi.

“Z. Muharremi, në deklaratën drejtuar Kryesuesit dhe anëtarëve të KGjK-së, thekson se, jep dorëheqje të parevokueshme me të vetmin qëllim që institucioni i KGjK-së të mbetet i pa kontestuar jo vetëm për publikun, por edhe nga grupet e interesit që kanë tendenca të ndërhyrjes në sistemin gjyqësor. KGjK, do të njoftoj Kuvendin e Republikës së Kosovës për zëvendësimin e anëtarit të dorëhequr”, thuhet në njoftim.

Përfshirja e prokurores në një audio-incizim, reagon ministrja Haxhiu: Ky skandal sikurse edhe të tjerat nuk guxojnë të na heshtin

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se publikimi i përgjimeve në disa media, ku pretendohet se një prokurore e krimeve të rënda tenton të shtrij ndikimin e saj në një rast të një personi, është cenimi më i rëndë dhe skandali më i madh në sistemin e drejtësisë.

Tutje ka kërkuar që të ketë reagim shoqëror për këtë rast, derisa nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial ka kërkuar që të ndërmarrin masa adekuate përbrenda kompetencave të tyre ndaj këtij rasti.

Ajo ka theksuar se publikimi i përgjimeve të tilla dëshmon se nuk është i përfshirë vetëm i shkarkuari i djeshëm, ish-drejtori i Njësisë për Inteligjencë Financiare, por tha se bëhet fjalë edhe për prokuror të departamentit të krimeve të rënda përbrenda Prokurorisë Themelore në Prishtinë, gjyqtar të Gjykatës së Apelit të departamentit për krime të rënda, e flitet për emra duke nisur edhe nga kryeprokurori i shtetit.

Audio-incizimet, mediat dhe shoqëria civile kritikojnë ministren Haxhiu

Lidhur me këto audio-incizime dhe kërkesën e ministres për reagim kanë reaguar edhe nga mediat e shoqëria civile.

Kryeredaktori i Telegrafit, Muhamet Hajrullahu thotë se ministrja e Drejtësisë po sillet sikur të ishte në opozitë.

“Mediat, gazetarët, opinionistët dhe shoqëria civile i kanë mendimet dhe qëndrimet e veta. Kjo qeveri, kjo ministre dhe asnjë qeveri tjetër, apo parti politike nuk mund të kenë ndikim te mediat për t’iu treguar atyre se çfarë duhet bërë dhe si duhet të raportojnë ato”, ka deklaruar për RTV Dukagjinin Muhamet Hajrullahu.

Kritika për deklaratat e ministres Albulena Haxhiu kanë edhe nga shoqëria civile.

“Haxhiu nuk mund të sillet si opozitë, por duhet të sillet si ministre e Drejtësisë dhe të adresoj çështjet për aq sa kompetencë. Ministrja e Drejtësisë këtë skandal dhe skandalet tjera që janë raportuar vazhdimisht duhet t’i adresoj përmes procesit të Vettingut në Drejtësi”, deklaroi Gëzim Shala nga IKD, përcjell Telegrafi.

Por ndryshe mendoi juristi Asdren Bytyçi i cili po i jep të drejtë ministres së Drejtësisë.

“Ministrja e Drejtësisë ka kërkuar më shumë vëmendje dhe analizë më serioze nga ana e mediave dhe shoqërisë civile për këtë çështje që është në fushën e tyre të interesit”, deklaroi Asdren Bytyçi. /Telegrafi/