Lajmi për dorëheqjen e presidentit gjerman, Horst Köhler solli shumë ndryshime në agjendat e kryeqytetit: Ministri i jashtëm dhe kryetari i partisë liberale, Guido Westerwelle, për këtë shkak e anuloi konferencën e shtypit me homologun e tij serb, Vuk Jeremic, ndërsa kancelarja Angela Merkel, ndërpreu udhëtimin e saj për në Tirolin e Jugut, ku do të shkonte të inkurajonte kombëtaren gjermane në prag të kampionatit të futbollit në Afrikën e Jugut.

Në një deklaratë të bërë të hënën pasdite para gazetarëve, Merkel tha se lajmi e kishte befasuar. “U përpoqa t’ia ndryshoja mendjen, por për fat të keq nuk arrita”, rrëfeu ajo më tej. “Me vjen jashtëzakonisht keq për këtë dorëheqje. Mendoj se njerëzit në Gjermani do të jenë të trishtuar, sepse Horst Köhler, ishte presidenti i njerëzve, i qytetareve dhe qytetarëve në Gjermani".


Ministri i Jashtëm Westerwelle tha se ishte përpjekur t'ia kthente mendjen presidentit në një bisedë telefonike: “Presidenti e mori këtë vendim, më vjen shumë keq për të, por na duhet ta respektojmë. Falënderoj presidentin për punën e bërë në vitet e fundit për shtetasit tanë”, tha më tej kryetari i partisë liberale dhe zëvendëskancelari Westerwelle.

Keqardhje për këtë vendim, që vjen pikërisht në një fazë shumë kritike për Gjermaninë - kriza financiare dhe e euros, papunësia e lartë - shprehu edhe kryetari i Partisë Socialdemokrate, Sigmar Gabriel: "Nuk jam patjetër dakord me deklaratat e tij, por unë e çmoj shumë punën e tij si president".

Më pak keqardhëse u shpreh E Majta. Kryetarja e Partisë së Majtë, Gesinne Loetzsch, tha se me deklaratat e tij për angazhimin e ushtarëve gjermanë në Afganistan Köhler nuk pat thënë asgjë tjetër, veç të vërtetën: “I bëj thirrje zonjës Merkel që ta marrë këtë dorëheqje të Horst Köhler-it si sinjal për të ri-menduar edhe më mirë politikën e jashtme të Gjermanisë dhe që të angazhohet për t'i dhënë fund çdo misioni luftarak, e sidomos atij të Afganistanit.”

Ndërsa Të Gjelbrit treguan keqardhje për vendimin, por kritikuan faktin që ai u tërhoq mbas kritikës së parë: “Kush bën vetë kritika, duhet të përballojë edhe kritika, kjo është pjesë e demokracisë", tha kryetari i „Të Gjelbërve", Cem Özdemir.

Köhler dha dorëheqjen të hënën në mesditë, për shkak të një interviste dhënë më 22 maj mbas kthimi të tij nga Afganistani. Për radion kombëtare Deutschlandradio Kultur ai pat thënë ndër të tjerash se „një vend i madhësisë sonë dhe me këtë orientim të tregtisë së jashtme duhet ta dijë, se ndoshta në raste të jashtëzakonshme është i nevojshëm edhe angazhimi ushtarak për të mbrojtur interesat tona, si për shembull rrugët e lira tregtare...".

Kjo deklaratë u kritikua ashpër nga opozita, ndërsa përfaqësuesit e pozitës nuk patën reaguar. Socialdemokrati, Sigmar Gabriel e shpjegoi dorëheqjen e presidentit Köhler pikërisht me këtë mungesë mbështetjeje nga ana e atyre që e kishin sjellë atë në post, gjashtë vjet më parë. E pyetur për heshtjen e saj për deklaratat e Köhler-it ndaj Afganistanit, Merkel tha se asaj si kancelare nuk i takonte të komentonte deklaratat e një organi tjetër kushtetues. /Deutsche Welle/