Përktheu dhe përgatiti: Ermal Nurja, osmanist dhe osmanolog

Ravziu [Ravzî] është një poet osman i shekullit XVI, prej të cilit deri më sot ka mbërritur një Divan (libër poezish), i botuar me transliterim nga gjuhëtari turk Jashar Ajdemir [Yaşar Aydemir].


Në botimin e tij gjendet edhe një poezi e titulluar Rruga më çoi në një vend, e quanin Dukagjin.

Përveç përshtypjeve të tija nga udhëtimi në Dukagjin, poeti osman ka regjistruar edhe disa fjalët shqip: kumbulla, rrush, zot, qethtuer (që i jep me kuptimin e tyre në turqisht).

Versioni qethtuer (e shënuar me përkthimin turqisht berber) është hera e parë e njohur deri tani për dokumentimin e këtij emri profesioni në gjuhën shqipe.

***

Poezia e Raziut

Do të them një llaf, ta mbash vath në vesh
Mos bëjë gabim që të shkosh edhe ti
Tek shëtitja botën, plot derte, brengë dhe pikëllim
Rruga më çoi në një vend, e quanin Dukagjin

Populli aty, i gjithi këmbëzbathur dhe kokërruar kaba
Ky është qafiri shqiptar, shumë i njohur si llomotitës
Kush pranon të shkojë aty kadi, duhet të jetë budalla
Rruga më çoi në një vend, e quanin Dukagjin

Njërin e quajnë Prenda, tjetrin Qeçnosh
Erik në gjuhën e tyre kumbulla, üzümit i thonë rrush Askush që shkon tek kadiu, nuk vjen duarbosh
Rruga më çoi në një vend, e quanin Dukagjin

I sillnin hudhra, qepë ose djathë
Nuk e dinë ç’është vishnja, as bugaçeja
Në mesin e frutave fiku është i pakrahasueshëm
Rruga më çoi në një vend, e quanin Dukagjin

Kadiut në gjuhën e tyre i thonë zot!
Po fole turqisht, berberit i thonë qethtuer! Qafirë shtatmëdhenj, secili si një Nemrut!
Rruga më çoi në një vend, e quanin Dukagjin

Kadiu banon në një fshat e quajnë Xherevin
Përpara tij rrjedh një lumë i madh, emrin e ka Drin
Kadiut të Dukagjinit ia kanë djegur shtëpinë
Rruga më çoi në një vend, e quanin Dukagjin

Në atë vend vetëm tre persona dinë të flasin!
I pari quhet Xhafer Kryeziu, i dyti Hëzër, i treti Burak!
Kush shoqërohet me ta, Zotit i iri larg!
Rruga më çoi në një vend, e quanin Dukagjin

Me krundet e miellit të thekrës gatuajnë një brumë
Pa kripë dhe pa yndyrë, as qeni i uritur nuk e qas
Askush prej tyre në këtë jetës s’ka vënë në gojë çorbë
Rruga më çoi në një vend, e quanin Dukagjin

Nuk gjen as oriz, as gjalpë, as mjaltë
Populli fatin e ka të paracaktuar të jetë varfanjak
Me pak fjalë, më mirë ti vësh flakën anembanë
Rruga më çoi në një vend, e quanin Dukagjin

Aty gjendet një kala me emrin e neveritshëm Lesh
[Në turqisht lesh do të thotë ngordhësirë]
Ky vend është aq i nxehtë a thua se je brenda në zjarr
Populli aty është ose qafir [jomysliman], ose turk [mysliman]
Rruga më çoi në një vend që i thoshin Dukagjin

Aty është një emin, që ta varësh nga gabzherri
Fytyrëzi që gjynahet ia kanë zbardhur mjekrën
Kush ka punë me të, më mirë të shkojë të q...t
Rruga më çoi në një vend që i thoshin Dukagjin

Ravziu s’ka parë në botë një të dytë
ka shëtitur Asfahan, Horasan, Kinë dhe përtej
nuk krahasohet kurrë me të Adeni, qyteti Jemenit
Rruga më çoi në një vend që i thoshin Dukagjin