"Rasti tragjik në Restelicë, flasin fqinjët për dorasin

Banorët e Restelicës u zgjuan mëngjesin e sotëm të tronditur nga lajmi se fqinji i tyre, një 30-vjeçar, dyshohet se ka vrarë nënën e tij.
Sipas banorëve të zonës, nënë e bir jetonin të vetëm në shtëpi.
KosovaPress ka mësuar se në natën kritike bashkëshorti i viktimës ndodhej në Mal të Zi për arsye pune, ndërsa djali tjetër i familjes, mbi të 20-tat, jeton në Gjermani. Gjatë kohës sa KosovaPress po qëndronte në vendin e ngjarjes, në shtëpi ka arritur edhe kryefamiljari, i cili ka refuzuar të japë deklaratë për media.
Fqinjët e familjes kanë deklaruar se 30-vjeçari, i dyshuar për vrasjen e nënës së tij, kishte probleme të shëndetit mendor. Sipas tyre, ai nuk kishte shkaktuar telashe në lagje dhe problemet i shfaqte vetëm brenda familjes, kryesisht ndaj nënës së tij.
Nesim Hoxha, një nga fqinjët, ka deklaruar se mes nënës dhe djalit kishte telashe të shpeshta. Sipas tij, nëna shpesh dilte nga shtëpia dhe shkonte në punëtorinë e tij, si mënyra e vetme për t’u larguar nga situata e vështirë me djalin, i cili vuante nga probleme shëndetësore.
“Këta fqinj kanë pasur telashe çdo ditë, nëna dilte nga shtëpia, vinte te ne në punëtori, në një formë ishte e vetme përballë njeriut të sëmurë…Kanë qenë vetëm këta nënë e birë, të gjithë fqinjtë janë jashtë vendit”, tha ai.
Ndërsa, Avzir Hoxha pronar i një marketi që ndodhet shumë pranë shtëpisë ku ndodhi vrasja për KosovaPress thotë se në përgjithësi si familje kanë qenë e urtë, por djali 30 vjeçar ka pas probleme të shëndetit mendor.
Megjithatë, sipas tij ai nuk u ka sjell telashe asnjëherë atyre si fqinj, përkundër që dyqanin e tij e frekuentonte çdo ditë.
“Familja e urtë djali ka pas probleme mendore.. jo askujt nuk i ka bërë asgjë, vetëm kjo tragjedi na ka çuditur të gjithëve…. ka qenë e vështirë kur e kemi marr vesh…për dite kanë ardhur çdo mëngjes, çdo mbrëmje kanë ardhur… Ai u kanë me probleme mendore ne e kemi kuptuar të gjithë”, tha ai.
F.B i cili dyshohet se në orët e hershme të mëngjesit të sotëm vrau nënën e tij është arrestuar dhe është ndaluar për 48 orë. Ndërsa, me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML.
F.B ishte i njohur edhe më parë për organet e rendit dhe drejtësisë pasi për dhunë në familje ishte akuzuar për dy raste në vitin 2021 dhe për një rast në vitin 2023, dhe kishte edhe aktgjykime dënuese.




















































