LAJMI I FUNDIT:

RASTI I RRALLË I BENJAMIN KOPSËS

RASTI I RRALLË I BENJAMIN KOPSËS
F. Scott Fitzgerald

Nga: F. Scott Fitzgerald (tregimi i shkurtë “The Curious Case of Benjamin Button”, 1922)
Përktheu: Klodi Briçi

I

Shumë kohë më parë, në vitin 1860, ishte më se e përshta­tshme që gratë të lindnin në shtëpi. Pikërisht tani, sipas të thënave, zotat e madhërishëm të mjekësisë kanë dekretuar se të qarat e para të vogëlushëve duhej të shqiptoheshin në mjedisin anestezik të spitalit, më saktë në një spital të modës. Kësisoj, zoti dhe zonja Kopsa ishin pesëdhjetë vjet përpara modës kur, një ditë të bukur të verës të vitit 1860, vendosën që fëmija i tyre i parë duhej të lindte në spital. Nëse anakronizmi i tyre kishte ndonjë lidhje me historinë e mahnitshme që unë kam për të shkruar, ai s’ka për t’u marrë vesh ndonjëherë.


Do t’ju rrëfej se ç’ndodhi, kështu që ju mbetet ju të gjykoni vetë nga ana juaj.

Roxher Kopsa gëzonte një pozitë të lakmueshme shoqërore dhe financiare në Baltimorën e paraluftës[1]. Ata bëheshin me filan dhe me aksh familje, gjë që nga ana e saj, sikundër e dinte çdo jugor, u jepte të drejtë të anëtarësoheshin në fisnikërinë e stërmadhe të vendit që popullonte në një masë të jashtëzakonshme konfederatën. Kjo na ishte përvoja e tyre e parë sa i përket zakonit të vjetër e magjepsës të lindjes së fëmijëve – z. Kopsa afërmendsh që ishte nervoz. Ai ecte me shpresë që fëmija të ishte djalë me qëllim që ta dërgonte në Universitetin e Jejllit në Konektikat, ngaqë në atë institucion vetë z. Kopsa kishte qenë i njohur për katër vjet me radhë me nofkën deri dikur të spikatshme “Pranga”.

Mëngjesin e ditës së shtatorit shuguruar ngjarjes së jashtë­zakonshme ai u ngrit gjithë nervozizëm në gjashtë, u vesh, u pispillos si mos më mirë dhe më pas ngarendi rrugëve të Balti­morës drejt spitalit, për të marrë vesh se mos terri i natës kishte lindur ndonjë jetë të re në gjirin e vet.

Kur ndodhej afërsisht njëqind jardë larg spitalit privat për zonjat dhe zotërinjtë e Merilendit atij i zunë sytë doktor Kinin, mjekun e familjes, teksa po zbriste shkallët e përparme, duke fërkuar duart për t’i pastruar – sikurse u kërkohet të bëjnë të gjithë doktorët me anë të rregullave të mirësjelljes të pashkru­ara të zejes së tyre.

Z. Roxher Kopsa, presidenti i Roger Button & Co., furnizuesi me shumicë i pajisjeve metalike, nisi të fugonte kah doktor Kini me një dinjitet të atillë që nuk pritej nga një zotëri jugor i asaj periudhe piktoreske. Doktor Kini! – e thirri ai. – Oh, doktor Kini!

Doktori e dëgjoi, ktheu fytyrën drejt tij, dhe nisi ta priste, një pamje kureshtare i kaploi fytyrën prej mjekuesi të sertë teksa z. Kopsa i avitej.

– Si ndodhi? – e pyeti z. Kopsa, kur ngjiti shkallët me ngut gulçues. – Ç’ishte? Si është ajo? Djalë? Çfarë është? Çfarë…?

– Ore, flitni siç është për të folur! – ia ktheu doktor Kini vrazhdë që u inatos disi.

– Vallë, a lindi fëmija? – iu përgjërua të dinte z. Kopsa.

Doktor Kini vrenjti vetullat. – Po, ma merr mendja se… njëfarësoj. – Ai i hodhi rishtas një vështrim të shpejtë plot kërshëri z. Kopsa.

– A është ime shoqe mirë?

– Po.

– Djalë apo vajzë?

– Shikoni, – i bërtiti doktor Kini si pasojë e shpërthimit të zemëratës së flaktë që e kaploi, – unë ju kërkoj të shkoni të shihni vetë. Njeri i pacipë! Këtë fjalën e fundit e këputi thuajse në një rrokje, pasandaj u largua duke mërmëritur: – Pse, si jua merr mendja ju se si një rast i tillë do të ma rritë namin tim profesional? Një më shumë si ky do të më rrënonte… do të rrënonte gjithkënd.

– Si qëndron puna? – pyeti z. Kopsa, i tmerruar. – Trinjakë?

– Jo, jo trinjakë! – ia pat doktori prerazi. – Nëse doni, atëherë shkoni dhe shikojeni vetë. Dhe gjeni një doktor tjetër. Unë të solla në botë, more djalosh, dhe kam qenë mjeku i familjes sate për dyzet vjet me radhë, s’dua të kem më punë me një si puna jote apo me të afërmit e tu! Mirupafshim!

Atëherë ai u vrenjt në fytyrë, dhe pa thënë një gjysmë fjale më tej, kërceu në pajtonin që po e priste buzë këmbësores dhe e nisi atë gjithë ashpërsi.

Z. Kopsa qëndroi te këmbësorja, i trullosur dhe ndërkohë dridhej nga maja e kokës gjer te thembrat. Ç’e papritur kishte ndodhur? Befas ai nuk kishte pikën e dëshirës për të hyrë në spitalin privat të Merilendit për zonjat dhe zotërinjtë, veç me vështirësi të jashtëzakonshme, një çast më pas, ai e detyroi veten të ngjiste shkallët dhe të futej përmes portës kryesore.

Një infermiere rrinte ulur prapa tryezës së informacionit në zymtinë e paqartë të sallonit. Pasi kapërdiu turpin, z. Kopsa u avit drejt saj.

– Mirëmëngjesi, – vërejti ajo që ngriti sytë dhe e pa përzemër­sisht.

– Mirëmëngjesi. Unë… jam z. Kopsa.

Sakaq, tmerrnaja ia pushtoi fytyrën vajzës. Ajo brofi në këmbë dhe u duk sikur u bë gati t’ia mbathte me të katra nga salloni, duke e përmbajtur veten me vështirësi që binte shumë në sy.

– Dëshiroj ta shikoj fëmijën tim, – i tha z. Kopsa.

Infermierja lëshoi një piskamë të vogël. – Oh… sigurisht! – klithi ajo gjithë histerizëm. – Sipër. Pikërisht lart. Shkoni… sipër!

Ajo tregoi me gisht drejtimin, ndërsa z. Kopsa, mbytur prej djersëve të ftohta, u kthye gjithë ngurrim dhe filloi të ngjitej në katin e dytë. Në sallonin e sipërm ai iu drejtua një tjetër infermiereje që iu afrua, me legen në dorë. – Jam z. Kopsa, – ia doli të nyjëtonte ai. – Dëshiroj të shikoj tim…

Ia pat një kërcitje! Legeni rrapëlliu në dysheme dhe mori drejt shkallëve. Pasuan kërcitje të tjera! Ai nisi të zbriste në mënyrë sistematike thua sikur në këtë mënyrë ndante llah­tarinë e përgjithshme të këtij zotërie të provokuar.

– Dëshiroj ta shikoj fëmijën tim! – z. Kopsa mend sa nuk klithi. Gati sa nuk po i binte pika.

Prau! Legeni kishte arritur në katin e parë. Infermierja rimori kontrollin e vetes dhe i hodhi z. Kopsa një shikim me përçmim të thellë.

– Në rregull, z. Kopsa, – pranoi ajo me zë të mbytur. – Shumë mirë! Veç ta dini se në ç’gjendje na vuri të gjithë këtë mëngjes! S’ka turp më të madh se ky! Spitali s’do të ketë gjasa kurrë të ngrejë më kokën pas…

– Nxitoni! – i klithi ai me të ngjirur. – S’më durohet dot derisa të shkoj ta shoh!

– Atëherë ejani këtej, z. Kopsa.

Ai u hoq zvarrë pas saj. Në fund të një mesoreje të gjatë ata mbërritën te një dhomë nga e cila dilnin një larmi britmash – vërtet, dhomë që, në të folmen e mëvonshme, do të njihej si “dhoma e të qarave”. Ata u futën. Radhitur anembanë mureve ndodheshin një gjysmë duzine krevate të përkundshëm të emaluar me të bardhë fëmijësh, ku secili prej tyre kishte nga një etiketë të lidhur te koka.

– E po, – dihati z. Kopsa, – ku është i imi?

– Atje! – ia ktheu infermierja.

Z. Kopsa ndoqi me sy gishtin e saj tregues, dhe çka pa ishte kjo: Mbështjellë me një batanije të bardhë fort të vëllimshme, dhe rrasur pjesërisht te një nga krevatet lëkundëse, na rrinte ulur një plakush me gjasa gati shtatëdhjetëvjeçar. Flokët e rrallë i kishte gati-gati të thinjura, ndërsa mjekërgjata e tij ndotur prej duhanit, që i tundej në mënyrë krejt qesharake sa para-mbrapa, i bënte veri flladi që vinte nga dritarja. Ai ngriti kokën dhe e pa z. Kopsa me ata sytë e tij të zbehtë dhe të zymtë tek të cilët përvidhej një pyetje enigmatike.

– Mos jam çmendur gjë, vallë? – gjëmoi z. Kopsa, që llahtaria iu kthye në zemëratë. – Kjo mos është gjë ndonjë shaka e ndonjë spitali të kobshëm?

– Ne s’na u duk e tillë, – iu kundërpërgjigj infermierja me acari. – Dhe unë s’e di nëse ju jeni apo jo i çmendur… por biri juaj me siguri që është i tillë.

Z. Kopsa zu t’i kullonte djersa nga balli. Kopsiti sytë dhe, pasandaj, kur i shkopsiti, pa sërithi. Nuk e kishte asfare gabim – para syve kishte një burrë që mbi supe i rëndonin gjashtë­dhjetë dimra dhe behare bashkë – një foshnjë shtatëdhjetë­vjeçare, foshnjë këmbët e të cilit i vareshin nga ana e krevatit përkundës në të cilin po prehej.

Plakareci shikoi për një çast qejfpaprishur sa nga z. Kopsa sa nga infermierja, paskëtaj tha papritmas me zë të lashtë dhe të ngjirur. – Ju jeni im atë? – pyeti ai.

Z. Kopsa dhe infermierja brofën gjithë shkundullimë.

– Sepse në qofshi, – vazhdoi plakushi gjithë ankim, – dëshiroj që të më nxjerrësh nga ky vend… ose, së paku, thuaju të më vënë në një karrige lëkundëse këtu.

– Prej ku dreqin erdhe ti more? Kush je ti? – shpërtheu z. Kopsa gjithë tërbim.

– S’ta them dot se kush jam me saktësi, – iu kundërpërgjigj zëri qaraman, – sepse s’kam veçse disa orë që kam lindur… por mbi­emrin doemos që e kam Kopsa.

– Ti gënjen! Ti s’je tjetër veçse mashtrues!

Burri i moshuar iu kthye infermieres i sfilitur. – Ç’mënyrë e bukur për t’i uruar mirëseardhjen një foshnjë të sapolindur, – u qa ai me zë të dobët. – Thuaji se e ka gabim, apo s’ta ka qejfi ta bësh një gjë të tillë?

– E keni gabim, z. Kopsa, – i tha infermierja me të ashpër. – Ky është fëmija juaj, prandaj bëni si të bëni me të. Do t’ju kërkojmë që ta çoni në shtëpi sa më shpejt që të mundeni… në çfarëdo orë të ditës së sotshme.

– Në shtëpi? – përsëriti z. Kopsa me mosbesim.

– Jo, s’e mbajmë dot këtu. Vërtet s’mundemi, apo s’e dini?

– Unë për vete jam shumë i lumturuar të shkoj në shtëpi, – u përlosh plakushi. – S’ka vend më të mirë se ajo për të mbajtur një vogëlush të qetë. Me gjithë këto çirrma dhe piskama, nuk kam mundur të vë fare gjumë në sy. Kërkova të më sillnin gjësendi për të ngrënë, – pikërisht tani zëri i tij mori trajtën e një vikatje në shenjë kundërshtimi, ndërsa ata ja se ç’më sollën: vetëm një shishe qumështi!

Z. Kopsa u plas te një karrige që ndodhej afër të birit dhe vuri duart në fytyrë. – Perëndi e madhe! – pështëlliu ai, kapluar nga jermi i lemerisë. – Ç’do të thotë njerëzia? Nga t’ia mbaj?

– Duhet ta shpini në shtëpi, – nguli këmbë infermierja, – … menjëherë bile!

Një tablo groteske u përftua me një qartësi të frikshme para syve të burrit të munduar – pikturë ku ai ecte përmes rrugëve të qytetit të tejmbushura me njerëz me përhitjen e lemerishme që ecte vjedhurazi anës tij. – S’mundem, s’mundem dot, – ofshi ai.

E ç’do t’u thoshte ai njerëzisë kur ta ndalonin për t’i folur? Ai do të ishte i detyrohej ta paraqiste këtë – këtë shtatëdhjetë­vjeçar: “Ky është im bir, që më lindi herët në mëngjes”. E atëherë plakareci do të mbështillej me batanije kurse ata do të ecnin me hap të rëndë, do të kalonin tregtoret plot lëvizje e gjallëri, tregun e skllevërve – për një çast të zi z. Kopsa uroi gjithë zjarrmi që i biri të ishte i zi – shtëpitë luksoze të rajonit të banesave, do të kalonte shtëpinë që ta çonte plakushin…

– Hajt, pra, bashkërendoni forcat, – dha urdhër infermierja.

– Pa mbaj vesh, – i shpalli plakushi befas, – në besofsh se unë mund të vete në shtëpi me këtë batanije, atëherë gabohesh rëndë.

– Po foshnjat mbështillen gjithnjë me batanije.

Duke bërë një zhurmë kërcitëse prej dashaligësi plakushi ngriti një petk të mbështjellë me shpërgënj. – Qe, – tha ai duke iu dridhur zëri, – këtë kanë bërë gati për mua.

– Foshnjat veshin gjithmonë të tilla, – i tha infermierja duke përmbajtur veten.

– E po, – ia pati plakushi, – ja që kjo foshnja si puna ime ka për t’u zhveshur fare pas rreth dy minutash. Kjo batanije më shkakton të kruara. Së paku të më kishin dhënë ndonjë çarçaf.

– Mbaje! Mbaje! – i tha z. Kopsa me nxitim. Ai iu kthye infermieres. – Ç’të bëj?

– Zbritni në qytet që t’i blini ca tesha tyt biri.

Zëri i të birit e ndoqi z. Kopsa poshtë në sallon:

– Dhe një bastun, atë. Dua të kem një bastun.

Z. Kopsa çeli gjithë zhurmë portën kryesore dhe u largua i inatosur…

II

– Mirëmëngjesi, – i tha z. Kopsa, gjithë nervozizëm, shitësit të Shoqërisë së Stofrave dhe Metrazheve të Çespikut[2]. – Dëshiroj të blej disa rroba për tim bir.

– Ç’moshë ka fëmija juaj, zotëri?

– Afërsisht gjashtë orësh, – iu gjegj z. Kopsa, duke mos treguar respektin e duhur.

– Njësia me teshat e foshnjave ndodhet prapa.

– Shiko, s’besoj se… as unë vetë s’jam i sigurt se çfarë dua. Ai është… ai është një fëmijë me përmasa tmerrësisht të mëdha. Është në mënyrë të pazakontë… ah… i stërmadh.

– E po, atje kanë tesha edhe për fëmijët me përmasa shumë të mëdha.

– Ku ndodhet linja e shitjeve për djemtë? – kërkoi të dinte z. Kopsa, që u largua i dëshpëruar nga vendi ku qe ngulur. Ai ndiente se shitësi do të binte patjetër në gjurmë të së fshehtës së tij të turpshme.

– Pikërisht atje.

– E po… – ngurroi ai. Vetë mendimi për ta veshur të birin me rroba burrash ishte i neveritshëm për të. Sikur t’ia dilte të gjente një kostum për djalin e tij tejet trupmadh, atëherë ai do t’ia priste atë mjekrën e madhe dhe të tmerrshme dhe do t’ia ngjyente flokët thinjoshë me të kafenjtë, duke u mundur kështu të fshihte më të keqen, dhe të ruante diçka nga vetërespekti i tij – për të mos përmendur pastaj pozitën e tij në shoqërinë e Baltimorës.

Porse nga kontrolli si i tërbuar që kreu në njësinë e teshave të fëmijëve arriti të zbulonte se nuk kishte kurrfarë kostumi të përshtatshëm për të birin e tij të porsalindur. Afërmendsh, për këtë ai ia vuri fajin shitores – sikurse ndodh gjithnjë në raste të tilla kur s’ke ç’i bën gomarit i bie samarit.

– Sa vjeç thatë se ishte yt bir? – e pyeti shitësi i kërshëritur.

– Ai është… gjashtëmbëdhjetë vjeç.

– Oh, ju kërkoj ndjesë. Pandeha se thatë që ishte gjashtorësh. Njësinë e të rinjve do ta gjeni në korridorin tjetër.

Z. Kopsa u kthye dhe u largua tejet i trishtuar. Më pas, ndaloi, gjithë optimizëm, dhe drejtoi gishtin kah një manekini e veshur në vitrinë. – Ai atje! – klithi ai.

Shitësi e vështroi fort i habitur. – Çne, – kundërshtoi ai, – ai s’është kostum fëmije. Ia bën mu që s’është i tillë; ai është kostum maskarade. Ai bën për ju!

– Mbështillmani! – këmbënguli blerësi me nervozizëm. – S’dëshiroj asnjë tjetër veç tij.

Shitësi i mahnitur u bind.

Z. Kopsa u kthye në spital dhe pasi hyri në dhomën e fëmijëve, ia flaku dengun të birit. – Ja ku i ke rrobat, – i tha ai me harbutëri.

Plakushi zgjidhi dengun dhe pa se çfarë gjendej brenda me sy hetues.

– Mua këto më duken fort qesharake, – u ankua ai. – S’dua të tregohem gomar…

– Ti më ke bërë gomar e çfarë gomari se! – e kundërshtoi z. Kopsa flakë për flakë. – S’ka gajle se sa qesharak dukesh. Vishi… ose… përndryshe do të të heq ndonjë pëllëmbë vitheve. – Ai e gëlltiti me trazim të madh fjalën e fundit, duke qenë megjithatë i mendimit se nuk ishte aspak e pavend që u tha ajo fjalë.

– Shumë mirë, baba… – këtë e shprehu me shtirjen groteske të respektit birnor, – ju e keni parë dritën e diellit para meje, dhe prandaj dini se ç’bëni. Po veproj siç më thatë.

Pikërisht si më parë, shqiptimi i fjalës “baba” bëri që z. Kopsa të brofte i habitur.

– Dhe nxito, të shkretën.

– Atë po bëj, baba.

Kur i biri mbaroi së veshuri z. Kopsa e pa i dëshpëruar. Veshja përbëhej nga çorapet pikaloshe, pantallonat ngjyrëkarafili, një bluzë vija-vija që kishte një jakë të gjerë të bardhë. Pikërisht përmbi këtë tundej e shkundej mjekra bardhëllemë, që i shkonte gjer në bel. Pamja nuk ishte e bukur.

– Prit!

Z. Kopsa mbërtheu një palë gërshërë spitali dhe me tri lëvizje të vrullta i preu të birit një pjesë të madhe të mjekrës. Por, me gjithë këtë përmirësim pamja e përgjithshme ishte shumë larg përsosurisë. Furçimi i qimeve të shpupurishura, sytë e ujët dhe dhëmbët e moçëm, çuditërisht binin ndesh me pamjen gazmore të petkave. Prapëseprapë, z. Kopsa ishte kokëngjeshur – ai shtriu dorën. – Eja me mua! – i tha ai me të ashpër.

I biri ia shtrëngoi dorën gjithë mirëbesim. – Ç’emër ke për të më ngjitur, babi? – atij iu drodh zëri teksa po largoheshin më këmbë nga dhoma e fëmijëve. – … Më thirr “foshnjë” veç për një kohë të shkurtër, derisa të më kesh gjetur një emër më të mirë.

Z. Kopsa hungëriu. – S’e di, – iu përgjigj ai vrazhdë. – Ma merr mendja se do të të quajmë Metuselah[3]).

III

Edhe pasi ai u bashkua me familjen Kopsa e cila e detyroi t’i priste flokët shkurt dhe më pas t’i ngjyente me një bojë të zezë vende-vende, ndërsa mjekrën e rroi aq shumë aq sa i shkëlqeu, dhe i veshën rroba prej djaloshi të vogël qepur nga një rroba­qepës i mahnitshëm, prapëseprapë z. Kopsa e kishte krejt të pamundur të shpërfillte faktin se i biri nuk e kishte hak të quhej fëmija i parë i familjes. Pavarësisht se ishte i kërrusur nga pleqëria, Benjamin[4] Kopsa – sepse këtë emër i vunë në vend se emrin e përshtatshëm ndonëse të papëlqyeshëm në rastin e tij Metuselah – ishte pesë këmbë dhe tetë inçë i gjatë. Rrobat e tij s’e fshihnin dot një gjë të tillë, as vetullat e prera shkurt dhe të ngjyera nuk fshihnin dot faktin se sytë që gjendeshin poshtë tyre ishin të zbërdhulur, të ujët e të lodhur. Në të vërtetë, dadoja e foshnjës që ishte pajtuar në punë që më përpara u largua nga shtëpia sapo e pa për herë të parë atë, tejet e zemëruar.

Mirëpo, z. Kopsa nguli këmbë sa i përket plotësimit të qëllimit palëkundshëm të tij. Benjamini ishte foshnjë, dhe i tillë duhej të mbetej. Fillimisht, ai bëri të ditur se në rast se Benjaminit nuk i pëlqente qumështi i ngrohtë atëherë ta mbante barkun me dorë, porse në fund iu mbush mendja t’i lejonte të birit të hante bukë dhe gjalpë, madje edhe bollgur, shenjë kjo e epjes nga ana e tij. Një ditë prej ditësh qëlloi që ai solli në shtëpi një rraketake dhe, pasi ia dhuroi Benjaminit, këmbënguli me fjalë të paqarta se ai duhej të “luante me të”, prandaj plakushi e mori fytyrëlodhur dhe dëgjohej zhurma që lëshonte ajo teksa ai luante me të në mënyrë të bindur me copa gjatë gjithë asaj dite.

Gjithsesi, nuk kishte pikë dyshimi se rraketakja e mërziti atë, kështu që ai gjeti zbavitje të tjera më qetësuese pasi e lanë të qetë. Për shembull, z. Kopsa zbuloi një ditë të javës para­prijëse se ai kishte tymosur cigare si kurrë më parë – dukuri që mori shpjegim vetëm disa ditë më vonë, kur teksa hyri në dhomën e fëmijëve papritmas, ai pa dhomën të mbushur plot e përplot me tymin e dendur blu të çelur dhe Benjaminin, me shikim prej fajtori, duke u orvatur të fshihte bishtin e puros së errët të Havanës. Kjo doemos bëri që t’i hiqte një pëllëmbë të fortë vitheve të birit, porse z. Kopsa kuptoi se e kishte krejt të pamundur ta vinte nën kontroll një gjë të tillë. Ai, thjesht, e paralajmëroi të birin se pirja e duhanit do t’i “pengonte rritjen”.

Sidoqoftë, ai vazhdoi me zakonin e tij. Ai i sillte të birit në shtëpi ushtarë prej plumbi për lojëra, trena lodër, kafshë të mëdha e të bukura prej pambuku dhe, si për ta përplotësuar iluzionin që po krijonte – së paku për vetveten – ai e pyeti gjithë zjarr shitësin e shitores së lodrave se mos “rosës ngjyrë karafili i dilte boja në qoftë se foshnja e fuste atë në gojë”. Por, pavarësisht tërë përçapjeve të të atit, Benjamini nuk pranoi që nuk pranoi t’i ngjallej interesi. Ai zbriste shkallët e shërbimit vjedhurisht dhe kthehej në dhomën e fëmijëve me një vëllim të Enciklopedisë britanike, mbi të cilin zhytej duke kaluar një pasdite të tërë, ndërsa shpërfillte lopët prej pambuku dhe Arkën e Noes në dysheme. Kundrejt një kokëfortësie të tillë përpjekjet e z. Kopsa nuk kishin kurrfarë dobie.

Ndjesia që u krijua në Baltimorë në fillim ishte ogurzezë. Çmimi i peripecive që u ngjanë Kopsave dhe farefisit të tyre nuk mund të përcaktohet, ngaqë shpërthimi i Luftës Civile e drejtoi vëmendjen drejt gjërave të tjera. Një grusht njerëzish që pa dyshim ishin të sjellshëm shtrydhën mendjen se ç’urime t’u përcillnin prindërve të Benjaminit dhe, në fund, sajuan marifetin duke shpallur se foshnja i përngjiste të gjyshit, fakt që sipas gjendjes së pandryshueshme të rënies që ishte i njëjtë për të gjithë burrat shtatëdhjetëvjeçar, nuk kishte si të mohohej dot. Kjo nuk i kënaqi z. dhe znj. Kopsa, ndërsa gjyshi i Benja­minit u fye aq shumë sa iu ngritën nervat paq.

Me t’u larguar nga spitali, Benjamini e mori jetën ashtu siç i erdhi. Atij i sillnin disa djem të vegjël për t’u takuar, dhe kaloi një pasdite i ngrirë i tëri duke u përpjekur t’i ngjallej interesi në lidhje me lojën me rruzuj dhe çukat – madje ai ia doli, krejt rastësisht, ta thyente xhamin e dritares së një kuzhine me anë të gurit që lëshoi me hobe, një veprim prej trimoshi për të cilin i ati u kënaq në fshehtësi.

Mbas kësaj, Benjamimi ia doli të thyente gjësendi përditë, mirëpo ai i bënte këto gjëra ngaqë pritej të vepronte kështu, dhe se prej natyre ishte njeri që lejonte ta detyronin.

Kur antagonizmi fillestar iu davarit të gjyshit, Benjamini dhe ai zotëri kënaqeshin jashtë mase në shoqërinë e njëri-tjetrit. Ata rrinin së bashku për orë të tëra, këta dy njerëz që ndryshonin shumë qoftë në moshë e qoftë në përvojë dhe, bash si miq të vjetër e të ngushtë, diskutonin me monotoni të palodhshme ngjarjet e ngadalta të ditës. Benjamini ndihej më rehat në praninë e të gjyshit sesa në atë të prindërve të tij – ata gjithmonë dukeshin sikur e nderonin gjithë frikë dhe, pava­rësisht prej autoritetit diktatorial që ushtronin tek ai, i drej­toheshin gjithnjë me “z”.

Ai ishte po aq i hutuar sa gjithkush tjetër në dukje në moshën e thyer të mendjes dhe të trupit të tij qëkurse lindi. Ndonëse lexonte me kujdes të madh gazetën mjekësore, prapëseprapë zbuloi se asnjë rast tjetër i ngjashëm me të tijin nuk ishte doku­mentuar më parë. Me nxitjen e të atit ai bëri përpjekje të çiltra për të luajtur me djemtë e tjerë, dhe zako­nisht bashkohej me ta në lojëra që ishin pa qeder – futbolli e trondiste aq shumë dhe kishte frikë se mos në rast thyerje kockat e tij të moçme nuk do t’i ngjiteshin.

Kur mbushi pesë vjeç e çuan në kopshtin e fëmijëve, ku e mësuan të ngjiste letra të blerta me ato portokalli, të ngjyroste harta dhe të bënte gjerdanë prej kartoni. Ai kishte prirjen ta zinte gjumi pikërisht në mes të këtyre detyrave, zakon që jo vetëm e inatoste, por edhe i shtinte frikën mësueses së tij rioshe. Për lehtësimin e tij ajo iu ankua prindërve të tij, dhe Benjamimin e hoqën nga shkolla. Roxher Kopsa u tregoi miqve të familjes së tij se ata ishin të mendimit se ai ishte mjaft i ri.

Kur Benjamini mbushi dymbëdhjetë vjeç prindërit e tij qenë mësuar me të. Në të vërtetë, aq e madhe është forca e përkrahjes nga ana e tyre saqë ata nuk kishin mendimin se ai ndryshonte nga gjithë fëmijët e tjerë – përveç kur ndonjë anomali kureshtje-ngjallëse u sillte atyre ndër mend faktin në fjalë. Mirëpo, një ditë prej ditësh, disa javë mbas ditëlindjes së tij të dymbëdhjetë, teksa shikohej në pasqyrë, Benjamini bëri, apo pandehu se bëri, një zbulim tronditës. Mos po e gënjenin gjë sytë, apo mos flokët e tij qenë kthyer në vitet e jetës së hershme të jetës së tij ku nga thinjoshe i qenë kthyer në të hirtë metalike si pasojë e bojës që ka aftësi fsheharake? Vallë, rrjeti i rrudhave në fytyrë mos po i dilte më pak në pah? Vallë, lëkurën mos e kishte më të shëndetshme dhe më të fortë, madje edhe një grimë të ngjyrës së kuqe dimërore? Ai nuk arrinte ta kuptonte dot. Dinte vetëm se nuk ishte më i kërrusur dhe se gjendja e tij fizike i qe përmirësuar qysh nga ditët e hershme të jetës.

“A thua të jetë vallë…?” – mendoi ai apo, më saktë, guxoi të mendonte.

Ai vajti tek i ati. – Tani jam rritur, – shpalli ai i vendosur. – Ndaj dua të vesh pantallona të gjata.

I ati ngurroi. – E po, – i tha ai në fund, – s’e di. Kur të bëhesh katërmbëdhjetë vjeç është koha për të veshur pantallona të gjata… ndërsa ti je veçse dymbëdhjetë.

– Por ti s’ke si ta mohosh, – kundërshtoi Benjamini, – se unë jam shumë i bëshëm për moshën time.

I ati e pa me një vështrim fort ngashënjyes. – Oh, unë për vete s’jam i sigurt për këtë, – i tha ai. – Në moshën dymbë­dhjetëvjeçare isha po aq trupmadh sa ti.

Kjo nuk ishte asfare e vërtetë – ishte pjesë e marrëveshjes së heshtur që Roxher Kopsa kishte bërë me vete për t’i besuar gjendjes së zakonshme të të birit.

Në fund u arrit marrëveshja. Benjamini duhej të vazhdonte t’i ngjyente flokët. Duhej të përpiqej më shumë që të luante me djemurinë e moshës së tij. Nuk duhej të mbante gjyzlykë apo të ecte me bastun në rrugë. Në këmbim për lëshime të tilla atij i lejohej të mbante kostumin e tij të parë me panta­llona të gjata…

IV

Sa i përket periudhës së Benjamin Kopsës nga mosha dym­bëdhjetë deri në njëzet e një vjeç kam ndër mend të flas pakëz. Mjafton të thuhet se ato ishin vite të mosrritjes nga ana e tij. Kur ishte tetëmbëdhjetë vjeç Benjamini ishte shtatdrejtë si një pesëdhjetëvjeçar; kishte më shumë flokë të cilët i kishin marrë ngjyrë thinjoshe të errët; hapin e kishte të sigurt, zëri i kishte humbur atë dridhjen e çjerrë dhe i kishte rënë në zërin e një baritoni të shëndetshëm. Kësisoj, i ati e çoi në Konektikat që t’u nënshtrohej provimeve për të hyrë në Universitetin e Jejllit. Benjamini i mori provimet dhe u bë student i klasës së vitit të parë.

Ditën e tretë të pranimit të tij në universitet ai mori një lajmërim nga z. Hart, kryesekretari i universitetit, në mënyrë që t’i bënte një vizitë të shkurtër në zyrë për ta rregulluar pro­gramin mësimor të tij. Benjamini, tek u hodhi një vështrim të shpejtë flokëve, vendosi se atyre u nevojitej një lyerje e re me bojë kafe, por nga një kontroll i shpejtë që bëri në sirtarin e tryezës së tij të shkrimit zbuloi se shishja me bojë nuk ndodhej atje. Atëherë, atij iu kujtua se e kishte zbrazur një ditë më parë gjë të cilën më pas e kishte hedhur.

Ai ishte mëdyshas. I duhej të paraqitej pikërisht pas pesë minutash te zyra e kryesekretarit. Dukej se nuk kishte ç’të bënte – duhej të shkonte ashtu siç ishte. Dhe pikërisht ashtu vajti.

– Mirëmëngjesi, – i tha kryesekretari me mirësjellje. – Keni ardhur të pyetni për tët bir?

– Ç’është e vërteta, ndonëse mbiemrin që mbaj është Kopsa… – filloi të thoshte Benjamini, por z. Hart ia preu fjalën në mes.

– Më bëhet qejfi që po ju takoj, z. Kopsa. Pres të vijë biri juaj nga minuta në minutë.

– Unë jam ai! – shpërtheu Benjamini. – Jam student i vitit të parë.

– Çfarë?!

– Jam student i vitit të parë.

– Sigurisht që po talleni.

– Aspak.

Kryesekretari vrenjti vetullat dhe i hodhi një vështrim të shpejtë kartës së anëtarësisë që ndodhej para tij. – Çne, në këtë kartë anëtarësie Benjamin Kopsa ka moshën tetëmbëdhjetë vjeç.

– Kaq jam edhe unë, – pohoi Benjamini, që i ra një i kuq i lehtë në fytyrë.

Kryesekretari ia nguli sytë gjithë mërzi. – Tani, afërmendsh, z. Kopsa, që ju nuk pritni që unë t’i zë besë kësaj.

Benjamini qeshi i mërzitur. – Unë jam tetëmbëdhjetë vjeç, – i përsëriti ai.

Kryesekretari tregoi vrazhdë me gisht nga dera. – Shporru, – i tha ai. – Jashtë nga universiteti dhe nga qyteti. Ti nuk je tjetër veçse një i përhënur i rrezikshëm.

– Po unë jam tetëmbëdhjetë vjeç.

Z. Hart hapi derën. – Hajde mendje, hajde! – bërtiti ai. – Një burrë në moshën tënde që orvatet të hyjë këtu si student i vitit të parë. The se ishe tetëmbëdhjetë vjeç, apo jo? E po, unë po të jap tetëmbëdhjetë minuta kohë që të largohesh nga qyteti.

Benjamin Kopsa u largua me dinjitet nga dhoma, dhe gjysmë duzine studentësh të padiplomuar që po pritnin në sallon, e përcollën me sy gjithë kërshëri. Mbasi qe larguar paksa ai ktheu kokën, pa në fytyrë kryesekretarin e tërbuar, që po rrinte ende te pragu i derës, dhe i përsëriti me zë të prerë: – Unë jam tetëmbëdhjetë vjeç.

Benjamini iu largua korit të kukurisjeve që u ngritën nga togu i studentëve të padiplomuar.

Por nuk kishte qenë e thënë që ai të shpëtonte kaq lehtë. Gjatë trishtimit që ndiente teksa përshkonte rrugën drejt qëndresës së hekurudhës ai pa se po e ndiqte një grumbull, më pas një dyndje dhe në fund nga një masë e dendur studentësh të padiplomuar. Fjala kishte marrë dhenë se një i marrë kishte kaluar provimet hyrëse në Universitetin e Jejllit dhe qe orvatur të shtirej sikur ishte riosh tetëmbëdhjetëvjeçar. Ethet e emocioneve kishin kapluar gjithë universitetin. Burrat vraponin pa kapela nga klasat, skuadrat e futbollit lanë stërvitjen dhe iu bashkuan turmës, bashkëshortet e profesorëve me kapuçat skiç dhe me krinolinat e çrregullta ngarendën dhe me të bërti­tura iu bashkuan varganit, nga i cili dilnin një sërë vërejtjesh që u drejtoheshin ndjenjave të buta të Benjamin Kopsës.

– Ai duhet të jetë Çifuti Endacak[5]!

– Me moshën që ka ai duhet të shkojë në shkollën parapërga­titore!

– Pa shikoni dhuntinë e tij të hatashme prej fëmije!

– Ai pandehte se kjo ishte shtëpi pleqsh.

– Shko në Harvard, more!

Benjamini i shpejtoi hapat dhe pas pak ia dha vrapit. Do t’ua tregonte mirë qejfin! Do të shkonte në Harvard, dhe atëherë ata do të pendoheshin për këto tallje të papeshuara!

Kur hipi shëndoshë e mirë në bordin e trenit për në Baltimorë, ai e nxori kokën nga dritarja dhe u thirri me sa kishte në kokë. – Do të pendoheni për këtë që më bëtë!

– Ha-ha! – qeshën me të madhe studentët e padiplomuar. – Ha-ha-ha! – Ky na ishte gabimi më i madh që kishte bërë ndonjëherë Universiteti i Jejllit…

V

Në vitin 1880 Benjamin Kopsa mbushi njëzet vjeç, dhe ai e sinjalizoi ditëlindjen e tij duke vajtur të punonte për llogari të të atit në Roger Button & Co., në Shitjen me Shumicë të Artikujve Metalikë. Pikërisht në këtë vit ai nisi “të bëhej me shoqërinë” – domethënë, i ati nguli këmbë ta çonte në disa vallëzime të modës. Tanimë Roxher Kopsa ishte pesëdhjetë vjeç dhe tani ai dhe i biri shoqëroheshin më shumë me njëri-tjetrin – në të vërtetë, qëkurse Benjamini kishte reshtur së ngjyeri flokët (të cilat i kishte ende thinjoshe) ata dukeshin moshatarë, prandaj ngjanin si vëllezër.

Një mbrëmje të gushtit ata hipën në pajton veshur me frak dhe vajtën për të vallëzuar në shtëpinë e Shevlinit në fshat, që ndodhej pikërisht në të dalë të Baltimorës. E mahnitshme ishte mbrëmja. Hëna e plotë e lagte udhën duke i dhënë ngjyrën e platinit të pashkëlqimtë, ndërsa lulet e të korrave të çelura së voni hukatnin erëmirat në ajër që ishin bash si të qeshura të ulëta dhe kukurisëse. Vendi i hapur, i cili në të dyja anët e rrugës qe shtruar me një qilim prej gruri bardhosh, ishte gjysmë i tejdukshëm pikërisht si në mes të ditës. Ishte krejt e pamundur të mos ndikoheshe nga bukuria e plotësishme e qiellit – përnjëmend krejt e pamundur.

– Stofrat dhe metrazhet i pret një e ardhme e ndritur, – po thoshte Roxher Kopsa, që nuk është se ishte ndonjë njeri fetar – ndjenja e tij estetike ishte krejtësisht fillestare.

–  Të moshuarit si puna ime s’mësojnë më dot marifete të reja, – vërejti ai seriozisht. – Kjo e ardhme ju pret pikërisht juve të rinjve që keni energji dhe gjallëri.

Tutje në rrugë u shfaqën dritat e shtëpisë së fshatit të Shev­linëve, dhe mbas pak drejt tyre nisi të vinte me ngulm një zhurmë rënkuese – duhej të ishte ankimi i shkëlqyer i violi­nave apo feshfërima e grurit të argjendtë poshtë hënës.

Ata u ndalën prapa një pajtoni të hijshëm udhëtarët e të cilit po zbritnin nga dera. Doli një zonjë, më pas një zotëri i moshuar, dhe në fund një zonjushë, e bukur si vetë mëkati. Benjamini brofi; thuajse një ndryshim kimik u duk sikur ia shpërbëri dhe bashkoi rishtas elementet e trupit të tij. Shtangësia e pushtoi, gjaku i vajti gjer te faqet dhe balli, ndërsa veshët i buçitnin pareshtur. Kjo ishte dashuria e tij e parë.

Vasha ishte thatanike dhe e brishtë, flokët i kishte të përhirta nën dritën e hënës dhe në ngjyrën e mjaltit nën rrezet stër­pikëse të llambave me gaz në verandë. Supeve kishte hedhur një shall prej mëndafshi spanjoll me ngjyrë të verdhë shumë të çelur, me pala zijoshe; te mëkrejsa ku dalloheshin këmbët kishte sumbulla vezulluese që bashkë me fustanin i tundeshin gjithë gjallëri.

Roxher Kopsa u anua pas të birit. – Ajo, – i tha ai, – është rioshja Hildegard Monkrifi, e bija e gjeneralit Monkrif.

Benjamini tundi kokën ftohtë. – Ç’krijeskë e hijshme, – tha ai me moskokëçarje. Por kur djaloshi zezak largoi kaloshinin, ai shtoi: – Babi, më njihni me të.

Ata iu afruan një grumbulli ku zonjusha Monkrif qëndronte në qendër të tij. Meqë ishte rritur sipas traditës së vjetër, ajo përkuli kurmin cazë në shenjë mirësjelljeje para Benjaminit. Po, ai duhej të vallëzonte me të. E falënderoi dhe u largua – duke iu marrë këmbët.

Ndërkoha derisa t’i vinte radha mënoi aq shumë sa u duk sikur nuk do të mbaronte kurrë. Ai rrinte ngjitur pas murit, i heshtur, i pahetueshëm, duke këqyrur me vështrim prej vrasësi gjakun e ri të Baltimorës teksa shtilleshin rreth Hildegardë Monkrifit, admirimi i zjarrtë u dallohej në fytyrë. Sa të padu­rueshëm që i dukeshin ata Benjaminit; sa i pështirë optimizmi i tyre! Mustaqet e tyre të kafenjta të përdredhura i zgjuan atij një ndjesi të përngjashme me mostretjen.

Por kur i erdhi radha, dhe bëri përpara së toku me të në sallë për të vallëzuar valsin e fundit që kishte ardhur nga Parisi, smira dhe ankthi iu tretën porsi shtresë dëbore. I verbuar nga magjepsja, ai ndjeu sikur jeta sapo kish filluar.

– Ju dhe yt vëlla erdhët këtu njëlloj si ne, apo jo? – e pyeti Hildegarda, e cila ngriti kokën dhe e vështroi me ata sytë që i kishte si llak blu i shndritshëm.

Benjamini ngurroi. Në qoftë se ajo e kishte marrë për vëllanë e të atit, atëherë a nuk do të ishte më mirë sikur ai t’ia sqaronte të vërtetën? Sakaq, atij iu kujtua përvoja që kishte kaluar në Universitetin e Jejllit, kështu që vendosi kundër saj. S’kishte gjë më të pahijshme sesa të kundërshtoje një zonjë; do të ishte vërtet kriminale të shkatërroje një rast të tillë të hatashëm duke i treguar historinë groteske të prejardhjes së tij. Më vonë, mbase mund ta bënte një gjë të tillë. Kështu që ai pohoi me kokë, vuri buzën në gaz, mbajti vesh dhe u lumturua.

– Unë i kam qejf njerëzit e moshës suaj, – i bëri me dije Hildegarda. – Djemtë rioshë janë kaq idiotë. Ata më tregojnë se sa shampanjë pinë në universitet dhe sa para lënë në kumar. Burrat në moshën tuaj dinë si t’ua bëjnë qejfin grave.

Benjamini e pa veten në prag të bërjes së propozimit, porse e përmbajti nxitjen.

– Ju ndodheni pikërisht në moshën më romantike, – vazhdoi ajo. – … Pesëdhjetë vjeç. Për mua mosha njëzet e pesë vjeç është mosha kur njeriu nuk është se merr vesh shumë nga bota; tridhjetë vjeç është mosha kur njeriu ka prirjen të zbehet jashtë mase nga puna rraskapitëse; dyzetë vjeç është mosha kur nevojiten net dimri për të treguar histori të gjata; ndërsa gjashtëdhjeta është mosha… oh, është shumë afër të shtatë­dhjetave, por të pesëdhjetat është mosha e pjekurisë së plotë. Unë mbaroj pas pesëdhjetëvjeçarëve.

Pesëdhjetë vjeç i dukej Benjaminit mosha e artë. Sa shumë gjakonte të ishte pesëdhjetë vjeç.

– Unë e kam thënë gjithmonë, – vazhdoi Hildegarda, – se më mirë do të pranoja të martohesha me një burrë pesëdhjetë­vjeçar sesa ta vritja mendjen të martohesha me një tridhjetë­vjeçar që më pas të përkujdesesha për të.

Për Benjaminin pjesa e mbetur e mbrëmjes qe mbështjellë me një tis në ngjyrën e mjaltit. Hildegarda vallëzoi me të edhe dy vallëzime të tjera, dhe ata zbuluan se merreshin vesh me njëri-tjetrin në mënyrë të mahnitshme mbi gjithë çështjet e ditës. Ajo do të udhëtonte së toku me të në të njëjtën karrocë të dielën tjetër, duke i shtjelluar më tej çështjet në fjalë.

Teksa po ktheheshin në shtëpi pikërisht para se t’ia shkrepte perëndimi, kur bletët e para zunë të zukatnin dhe hëna e zbehtë vezullonte në vesën e freskët, Benjamini kuptoi nëpër të se i ati po fjalosej për shitjen me shumicë të pajisjeve metalike.

– … Çfarë beson se duhet ta meritojë vëmendjen tonë pas çekanëve dhe gozhdëve? – po thoshte plaku Kopsa.

– Dashuria, – iu gjegj Benjamini i hutuar.

– Dorezat?! – thirri i habitur Roxher Kopsa. – Çne, unë sapo e kam mbyllur çështjen e dorezave.

Benjamini e pa i habitur ndërkohë që në lindje në qiell po shkrepte drita, dhe një beng po gogësinte me zë therës te pemët e gjallëruara…

VI

Gjashtë muaj më vonë, kur fejesa e zonjushës Hildegarde Monkrif me z. Benjamin Kopsa u shpall (them “u shpall”, sepse gjeneral Monkrifi bëri me dije se do të pranonte më mirë të hidhej mbi shpatën e tij sesa ta shpallte), tollovia arriti një pikë të ethshme. Historia pothuajse e harruar e lindjes së Benjaminit u kujtua dhe u përhap me anë të erërave skan­daloze në trajta me kusarë e vjedhacakë fort të pabesueshme. Sipas të thënave, Benjamini ishte vërtet babai i Roxher Kopsës, se ai ishte i vëllai që kishte qenë i burgosur për dyzet vjet me radhë, se ai ishte Xhon Uilks Buthi i maskuar dhe, në fund fare, se ai kishte dy brirë konikë të vegjël që i dilnin nga koka.

Shtojcat e gazetave të Nju-Jorkut të së dielës e zmadhuan çështjen me skeçe magjepsëse që e paraqitnin kokën e Benjamin Kopsës të lidhur me atë të një peshku, gjarpri dhe, në fund, me trupin e ndonjë cope tunxhi të fortë. Ai u bë i njohur, nga ana e gazetarisë, si Njeriu i Mistershëm i Merilendit. Mirëpo, historia e tij e vërtetë, si zakonisht, pati përhapje të vogël.

Sidoqoftë, kushdo ishte në një mendje me gjeneral Monkrifin se ishte “kriminale” që vajza e tij e dashur që fare mirë mund të kishte hedhur kurorë me këdo bandill në Baltimorë qe hedhur në krahët e një burri që nuk kishte pikën e dyshimit se ishte pesëdhjetë vjeç. Më kot z. Roxher Kopsa botoi dëshminë e lindjes së të birit të zmadhuar në Baltimore Blaze. Askush nuk e besoi. Njerëzve nuk u kishte mbetur tjetër vetëm se ta shihnin vetë Benjaminin.

Nga ana e dy personave që kishin shumë lidhje me gjëra të tilla nuk kishte kurrfarë lëkundjeje. Ngaqë pjesa më e madhe e historive për bashkëshortin e saj ishin të rreme, kështu që Hildegarda nuk pranoi të besonte me kokëfortësi as atë që ishte e vërtetë. Më kot gjenerali Monkrif i nxori në pah shkallën e lartë të vdekshmërisë që ekzistonte te burrat pesëdhjetë­vjeçarë ose, të paktën, te burrat që ngjanin si të tillë; më kot ai i tregoi për paqëndrueshmërinë e tregtisë së shitjes me shumicë të mjeteve metalike. Hildegarda kishte zgjedhur pjekurinë – dhe u martua vërtet…

VII

Së paku, vetëm në një hollësi miqtë e Hildegarda Monkrifit e kishin pasur gabim. Tregtia e shitjes me shumicë të pajisjeve metalike lulëzoi mahnitshëm. Vetëm në pesëmbëdhjetë vjet që shënonte kohën nga martesa e Benjamin Kopsës dhe tërheqjes së të atit më 1895, pasuria e familjes u dyfishua kryesisht në saje të anëtarit më të ri të shoqërisë tregtare.

S’është nevoja të thuhet, Baltimora e pranoi çiftin në gji të vet. Madje edhe gjenerali Monkrif u pajtua me të dhëndrin kur Benjamini i dhuroi të hollat për të botuar Historinë e Luftës Civile në njëzet vëllime, vepër që nuk ia kishin pranuar nëntë botues të mirënjohur.

Gjatë atyre pesëmbëdhjetë vjetëve Benjamini kishte pësuar ndryshme të mëdha. Atij i dukej se gjaku i rridhte duke i dhënë fuqi të re përmes damarëve. Ai po fillonte të kënaqej tek ngrihej në mëngjes, ecte me hap të gjallërishëm nëpër rrugën e tejmbushur me diell, punonte pa u lodhur me dërgesat e çekanëve dhe me ngarkesat e gozhdëve. Pikërisht në vitin 1890 ai kreu lëvizjen e shkëlqyer tregtare: doli me këshillën se gjithë gozhdët që përdoreshin për mbërthimin e kutive me të cilat transportohen ato janë pronë e dërgesës, propozim që u bë statut, u miratua nga kryetari i gjykatës së lartë që kishte mbetur prapa botës, dhe kjo gjë i kurseu Roxher Kopsës dhe Shoqërisë së tij, të Shitjes me Shumicë të Pajisjeve Metalike, më shumë se gjashtëqind gozhda çdo vit.

Mandej Benjamini arriti të zbulonte se ai po tërhiqej gjithnjë e më shumë pas anës së gëzueshme të jetës. Ishte tipike shtimi i entuziazmit të tij për kënaqësi aq sa ai u bë njeriu i parë në qytetin e Baltimorës që zotëronte dhe ngiste një automobil. Teksa e takonin në rrugë, bashkëkohësit e tij ia ngulnin sytë me smirë pamjes së shëndetshme dhe gjallërisë që shfaqte ai.

“Duket se çdo vit që kalon ai sa vjen dhe rinohet gjithnjë e më shumë”, – e kishin zakon të vërenin ata. Dhe në qoftë se Roxher Kopsa, i cili tani ishte gjashtëdhjetë e pesë vjeç, nuk ia kishte dalë dot mbanë në fillim t’i jepte mirëseardhjen e duhur të birit, në fund e shleu fajin duke i dhënë atë që quhet miklim.

Tani ai po përballej me një çështje të pakëndshme që do të bënte mirë ta kalonte sa më shpejt që të mundej. Veç një gjë e shqetësonte Benjamin Kopsën: bashkëshortja e tij s’e tërhiqte më.

Atëkohë Hildegarda ishte një grua në moshën tridhjetë e pesëvjeçare, kishte lindur një djalë, Roskon, i cili tanimë ishte katërmbëdhjetë vjeç. Gjatë ditëve të para të martesës së tyre Benjamini e kishte adhuruar të shoqen. Por, teksa vitet kalonin, flokët e saj në ngjyrën e mjaltit i kishin marrë një ngjyrë kafe asfare joshëse, shkëlqimi blu i syve i kishte marrë pamjen e fajancave që kushtojnë lirë – mbasandaj, mbi të gjitha, mënyra e saj e të sjellit qe shtruar, grishja e saj ishte jashtë mase e qetë, tejet gjakftohtë, jashtëzakonisht anemike, ndërsa shijet shumë të përmbajtura. Si nusja që ishte qe ajo që e kishte “tërhequr osh e zvarrë” Benjaminin drejt vallëzimeve dhe darkave – por ja që tani gjendja kishte ndryshuar kryekëput. Ajo dilte shoqërisht me të, porse pa entuziazëm, ngaqë tashmë e kishte përpirë ajo plogëtia e përhershme që ndonjë ditë prej ditësh ia beh të bashkëjetojë me secilin prej nesh dhe nuk na ndahet gjer në fund të jetës.

Pakënaqësia e Bejnaminit u thellua edhe më shumë. Gjatë shpërthimit të Luftës Amerikano-Spanjolle më 1898 shtëpia e tërhiqte aq pak sa ai vendosi të bashkohej me radhët e ushtrisë. Me anë të ndikimit të tregtisë së tij ai arriti ta siguronte gradën e kapitenit dhe ia mori dorën punës aq mirë sa u bë major, në fund lejtnantkolonel pikërisht në kohën e mësymjes së dëgjuar ndaj Kodrinës të Shën Huanit. Ai u plagos lehtë, dhe për këtë mori medalje.

Benjamini qe lidhur kaq shumë me veprimtarinë dhe gëzimin që i falte jeta e ushtrisë sa i vinte keq të largohej prej saj, mirëpo puna kërkonte vëmendjen nga ana e tij, kësisoj ai dha dorëheqjen në lidhje me gradën e tij dhe u kthye në shtëpi. Te qëndresa e pritën me një bandë frymore e cila e shoqëroi gjer në shtëpi.

VIII

Hildegarda, që valëviste një flamur të madh prej mëndafshi, e përshëndeti në verandë dhe, ndonëse e puthi, ai ndjeu ta lëshonte zemra ngaqë tri vjetët e kishin bërë të tyren. Tanimë ajo ishte një grua në moshën dyzetvjeçare dhe thinja të lehta kishin filluar t’i dalloheshin në kokë. Kjo pamje e dëshpëroi mjaft Benjaminin.

Sipër në odë ai pa pasqyrimin e tij te pasqyra e mirënjohur – ai iu qas më afër dhe shqyrtoi fytyrën me ankth, duke e kraha­suar një copë herë më pas me një fotografi ku ai kishte dalë i veshur me uniformë pikërisht para lufte.

“Perëndi e madhe!” – tha ai me zë të lartë. Procesi po vazh­donte. Nuk kishte grimë dyshimi për këtë – tani ai përngjante si një burrë tridhjetëvjeçar. Në vend që të kënaqej, atë e pushtoi trazimi – ai po rinohej. Gjer tani ai kishte ecur me shpresa se sapo të arrinte një moshë trupore të barasvlershme me moshën e viteve të tij, dukuria groteske që kishte shënuar lindjen e tij do të reshte së vepruari. Atij i shkuan të rrëqethura. Fati i tij i dukej pabesueshmërisht i frikshëm.

Kur zbriti një kat më poshtë pa se Hildegarda po e priste. Ajo dukej e mërzitur, dhe ai vrau mendjen se mos ajo kishte arritur të zbulonte më së fundmi se diç nuk shkonte. Meqë synimi i tij ishte që ta çlironte nderjen që qe krijuar mes tyre ai ia çiku çështjen në drekë në një mënyrë që ai e cilësonte si të ndjeshme.

– E po, – vërejti ai lehtë, – të gjithë thonë se unë ngjaj si kurrë më parë i ri.

Hildegarda e pa me përçmim, dhe u ngërdhesh. – Pse ju besoni se kjo është për t’u mburrur?

– S’po mburrem, – u mbrojt ai gjithë siklet.

Ajo u ngërdhesh rishtas. – Ç’ide! – tha ajo, dhe një copë herë më pas: – Besoj se jeni aq shumë krenar sa duhet t’i jepni fund.

– Si do të mundja? – e pyeti ai.

– S’do të debatoj me ju, – e kundërshtoi ajo. – Por gjërat ose mund t’i bëni mirë, ose keq. Në rast se e keni ndarë mendjen të jeni ndryshe nga gjithkush tjetër, atëherë s’ma merr mendja se mund t’ju ndaloj, por vërtet s’besoj se kjo është shumë e sjellë nga ana juaj.

– Hildegardë, s’kam ç’t’i bëj.

– Mundeni që ç’keni me të. E keqja është se ju jeni veçse kokëfortë. Ma merr mendja se ju nuk dëshironi të jeni si gjithë të tjerët. Gjithmonë i tillë keni qenë dhe i tillë do të mbeteni. Por mendoni se ç’do të bëhej sikur gjithsekush tjetër t’i shikonte gjërat ashtu siç i shikoni ju… si do t’i vinte filli botës atëherë?

Ky ishte një argument kaq i pakuptimtë dhe i pamohueshëm saqë ai nuk mori mundimin t’i kthente kurrfarë përgjigje dhe qysh nga ajo kohë mes tyre filloi të thellohej një hendek. Ai hamendej nëse ajo kishte ushtruar ndonjëherë ndonjë joshje mbi të.

Si për ta thelluar edhe më shumë ndasinë, ai kuptoi, teksa shekulli i ri po ia behte me vrullimë, se etja e tij për hare iu bë më e fortë. Nuk qëllonte asnjëherë që ai të mos shkonte në ndonjë pritje që zhvillohej në qytetin e Baltimorës, duke kërcyer me gratë rioshe dhe më të bukura të martuara, duke u fjalosur me fillestaret më popullore, dhe shoqëria e tyre i dukej magjep­sëse, ndërkohë që e shoqja, tanimë një zonjë e moshuar ogur­zezë, rrinte ulur mes shoqërueseve të vashave, që tani e shpërmira­tonte fort, dhe që e përcillte me vështrim qortues, të habitur dhe hijerëndë.

“Qe, – vërente njerëzia, – sa keq! Një burrë i ri si puna e tij që është i lidhur me një grua dyzet e pesë vjeçe. Ai duhet të jetë njëzet vjet më i ri se e shoqja”. Atyre u kishte dalë nga mendja – sikurse ndodh me njerëzit në mënyrë të pashmangshme – se pikërisht në vitet 1880 mamatë dhe baballarët e tyre kishin shprehur vërejtjet e tyre pikërisht për këtë çift të paujdisur.

Palumturia që ndiente Benjamini në shtëpi që sa vinte dhe i zmadhohej gjithnjë e më shumë u zhdëmtua duke ndjekur shumë nga interesat e tij. Ai nisi të merrej me golf dhe korri sukses të madh. U regjistrua për vallëzim: më 1906 ai ishte ekspert i The Boston, ndërsa më 1908 ai cilësohej shumë i zoti në Maksiks[6], kurse më 1909 Castle Walk-u i tij i ngjallte smirë çdo burri të ri në qytet.

Sigurisht që veprimtaritë e tij shoqërore i ndikuan deri në njëfarë masë në punë, porse deri atëherë ai kishte punuar pa u lodhur për njëzet vjet me radhë sa iu përket shitjeve me shumicë dhe e kuptonte se së shpejti do t’ia linte të birit, Roskos, i cili ishte diplomuar së fundmi në Harvard.

Ai dhe i biri, në të vërtetë, ngatërroheshin shpeshherë me njëri-tjetrin. Kjo i pëlqente Benjaminit – ai harroi shumë shpejt frikën tinëzare që e pat pushtuar gjatë kthimit të tij nga Lufta Amerikano-Spanjolle, dhe gjente kënaqësi prej të padjallëzuari lidhur me paraqitjen e tij. Mirëpo, luga e katranit në fuçinë e mjaltit fort të shijshëm ishte e shoqja – ai e kishte zët të shfaqej në sytë e botës me të. Hildegarda ishte pothuajse pesëdhjetë vjeçe, dhe pamja e saj e bënte Benjamin të ndihej qesharak e pa kuptim…

IX

Një ditë shtatori të 1910-s, vetëm ndoca vite që oger Button & Co., Shitje me Shumicë i qe dorëzuar Rosko Kopsës – një burrë, me ç’dukej njëzet vjet më i ri se ai – Benjamini u fut si student i vitit të parë në Universitetin e Harvardit në Kembrixh. Ai nuk bëri gabimin që të shpallte se nuk do të takonte kurrë ndonjë burrë pesëdhjetë vjeç as përmendi faktin se i biri qe diplomuar nga i njëjti institucion dhjetë vjet më parë.

Atë e pranuan, dhe gati menjëherë ai arriti të siguronte një pozitë të shquar në klasë, pjesërisht ngaqë dukej vetëm pak më i madh se studentët e tjerë të vitit të parë, mosha mesatare e të cilëve ishte tetëmbëdhjetë vjeç.

Mirëpo, suksesi i tij ishte kryesisht si pasojë e faktit që gjatë lojërave të futbollit që luante në Universitetin e Jejllit ai luante kaq shkëlqyeshëm, me vendosmëri të paepur dhe me një zemërim të pashpirt dhe të ftohtë saqë ai shënoi shtatë gjashtë­pikësha[7] dhe katërmbëdhjetë gola në fushë për Harvardin, dhe bëri që një skuadër e tërë me njëmbëdhjetë lojtarë të Jejllit t’i mbartnin një nga një nga fusha, me humbje ndjenjash. Ai ishte njeriu më i njohur në universitet.

Për çudi, në vitin e tij të tretë në universitet ai mezi arrinte të “formonte” skuadrën. Trajnerët thoshin se ai kishte rënë nga pesha, dhe kur e këqyrën më nga afër, pikasën se ai nuk ishte më aq i gjatë sa më parë. Ai nuk shënonte më gjashtëpikësha – ç’është e vërteta, atë e mbanin në skuadër kryesisht me shpresën që emri i tij i tmerrshëm t’u kallte tmerr dhe çorganizim skuadrës së Jejllit.

Në vitin e tij të fundit në universitet ai nuk arriti ta ngrinte fare skuadrën. Ai qe holluar dhe bërë aq i brishtë saqë një ditë prej ditësh disa studentë të vitit të dytë në universitet e morën për student të vitit të parë, e papritur që e poshtëroi jashtë mase Benjaminin. Ai u bë i njohur si një njeri me dhunti të hatashme – student i vitit të fundit në universitet që nuk ishte më shumë se gjashtëmbëdhjetë vjeç – e ai shpesh skandalizohej nga llomotitë e shokëve të klasës së tij. Studimi i dukej i vështirë – ai ishte i mendjes se ato ishin tejet të përparuara. Ai kishte dëgjuar shokët e tij të klasës të flitnin për shkollën e Shën Midasit, shkolla e famshme përgatitore, ku shumë prej tyre qenë përgatitur për të vajtur në universitet, dhe pas diplomimit vendosi të regjistrohej në atë shkollë, në të cilën jeta e sigurt mes djemsh që kishin madhësinë e tij do të ishte më e pëlqyeshme për të.

Mbas ceremonisë së dhënies së diplomës më 1914 ai vajti fill në shtëpi në Baltimorë me diplomën e Harvardit në xhep. Tani, Hildegarda banonte në Itali, kështu që Benjamini vajti të banonte me të birin, Roskon. Por ndonëse atë e mirëpritën në përgjithësi, dukej qartë se ndjenjat e të birit ndaj tij nuk ishin aspak të çiltra – nga ana e të birit ishte më se i dukshëm mendimi se Benjamini, teksa pastronte shtëpinë me shtupë me atë ngath­tësinë e tij prej adoleshenti, i tillë ishte deri-diku. Tani Roskoja qe martuar dhe ishte i mirënjohur në jetën e Baltimorës, kështu që nuk dëshironte që asnjë skandal të dilte nga familja e tij.

Benjamini, që nuk ishte më person i dëshiruar në sytë e të dashurave dhe rrethit të të njohurve që ishin më të rinj se ai në moshë, e pa veten jashtë mase të vetmuar, përveç shoqërisë së tre apo katër djemve pesëmbëdhjetëvjeçarë të fqinjërisë. Atij i erdhi rishtas në mendje mendimi për t’u futur në shkollën e Shën Midasit.

– Dëgjo, – i tha ai Roskos një ditë prej ditësh. – Më ra goja duke të thënë se dëshiroj të shkoj në shkollën përgatitore.

– E po, shko, atëherë, – iu përgjigj Roskoja shkurtas. Kjo çështje ishte fort e neveritshme për të, kësisoj donte ta shmangte shtje­llimin e saj.

– S’shkoj dot vetëm, – i tha Benjamini si qyqar. – Do të të duhet të më regjistrosh dhe më pas të më shpiesh atje.

– S’më del koha, – i bëri me dije Roskoja vrazhdë. Picërroi sytë dhe e pa i trazuar të atin. – Në të vërtetë, – shtoi ai, – do të bëje mirë mos ta zgjatje më këtë çështje. Do të bëje mirë t’i jepje fund. Do të bëje… bën mirë… – ai ndaloi dhe fytyra iu skuq teksa mendoi fjalët, – … do të bëje mirë të ktheheshe dhe t’ia filloje përsëri nga e para ndryshe. Kjo e fundit i ka kapërcyer kufijtë e shakasë. S’është më për të qeshur… sillu mirë!

Benjami ia nguli sytë, gati të shpërthente në lot.

– Edhe diçka tjetër, – vazhdoi Roskoja. – Kur kemi mysafirë dua të më thërrasësh “xhaxha”… jo Rosko, por “xhaxha”. Më kuptove? Është qesharake që një djalosh pesëmbëdhjetë­vjeçar të më thërrasë në emër. Mbase do të bëje mirë të më thërritje “xhaxha” kurdoherë, me qëllim që të mësohesh.

Roskoja u largua prej tij duke e parë gjithë inat…

X

Me të përfunduar intervista, Benjamini u end në katin e sipërm i brengosur dhe u pa mirë në pasqyrë. Edhe pse kishte tre muaj që nuk kishte rruar mjekrën, prapëseprapë në fytyrë s’shikonte tjetër veçse ca push të bardhë e zbehtak që nuk është se e lypte nevoja të merrej me të. Kur së pari qe kthyer në shtëpi nga Harvardi, Roskoja i qe afruar duke i propozuar që të mbante syze dielli ndërsa në faqe duhej të ngjiste mjekër të rreme, prandaj për një çast atij i qe dukur se po i përsëritej farsa e viteve të hershme të jetës së tij. Mirëpo mjekra e rreme i kishte shkak­tuar shumë të kruara dhe turp të madh. Roskoja qe zbutur vetëm kur e kish parë Benjaminin të vajtonte me të madhe.

Benjamini hapi një libër me tregime për djem. Boiskautët në Gjirin Bimini dhe filloi ta lexonte. Mirëpo, atij nuk i ndahej nga mendja lufta. Amerika u qe bashkuar forcave aleate gjatë muajit të shkuar, kështu që Benjamini donte të futej në shërbim por, sa keq, mosha më e ulët e pranimit ishte ajo gjashtë­mbëdhjetë vjeç, e ai nuk ngjante aq i madh. Nejse, mosha e tij e vërtetë, pesëdhjetë e shtatë vjeç, do ta kishte përjashtuar nga shërbimi i lartpërmendur.

U dëgjuan të trokitura në derë dhe ia behu kryeshërbëtori me një letër që kishte mbishkrimin zyrtar në cep; ia dha z. Benjamin Kopsës. Benjamini e grisi nga padurimi dhe lexoi materialin e bashkëmbyllur me kënaqësi të madhe. Me anë të tij i bëhej me dije se mjaft oficerë rezervistë që kishin shërbyer në Luftën Amerikano-Spanjolle po thirreshin përsëri në shërbim me një rang më të lartë, dhe e mbyllte gradimin e tij si gjeneral brigade në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke e urdhëruar që të paraqitej menjëherë në shërbimin ushtarak.

Benjamini brofi në këmbë duke u drithëruar nga entu­ziazmi. Pikërisht këtë kishte dashur ai. Mbërtheu kapelën dhe dhjetë minuta më vonë ai gjendej në një repart rrobaqepësie të madh në Rrugën Çarls, dhe kërkoi me zë të lartë, por të pasigurt, që ta matnin për t’i qepur uniformën.

– Dashke të luash ushtar, or bir? – e pyeti shitësi krejt rastësisht.

Benjamini u skuq. – S’ka rëndësi se ç’dëshiroj unë! – e kundër­shtoi ai me inat. – Unë jam z. Kopsa dhe banoj në vendin e quajtur Mali Vernon, ndaj e dini se unë mund ta mbaj unifor­mën.

– E po, – pranoi shitësi, me ngurrim, – edhe sikur të mos jesh ai që thua, ma merr mendja se uniforma i shkon shumë mirë tyt eti.

Benjaminit i morën masat, dhe një javë më pas uniforma e tij përfundoi së qepuri. Ai e pati të vështirë ta siguronte shenjën dalluese të gjeneralit ngaqë agjenti i shitjeve vazhdonte të këmbëngulte se një distinktiv i bukur i Shoqatës së të Rejave të Krishtere do të dukej po aq i bukur dhe se do të ishte shumë më tepër zbavitëse të talleshe me të.

Duke mos i thënë asnjë fjalë Roskos, ai u largua nga shtëpia një mbrëmje dhe vajti me tren në fushimin Mosbi, në Karolinën e Jugut, ku do të komandonte një brigadë këmbësorie. Ai iu afrua hyrjes së fushimit një ditë prilli me vapë mbytëse, pagoi shoferin e taksisë që e kishte sjellë nga qëndresa, dhe iu kthye ushtarit që po bënte roje.

– Thuaji dikujt që të m’i mbajë plaçkat! – i tha ai gjithë gjallëri.

Roja i lëshoi një vështrim qortues. – A s’më thua, – vërejti ai, – ku po shkon kështu me rrobat e gjeneralit, more bir?

Benjamini, veteran i Luftës Amerikano-Spanjolle, iu soll atij vërdallë me sytë e përskuqur prej inati por, ububu, zëri i fortë i ndryshoi.

– Gatítu! – u orvat të gjëmonte; ai ndaloi që të mbushej me frymë… pasandaj pa rojën të kërciste takat me njëra-tjetrën dhe ta rrokte pushkën. Benjamini u përmbajt së buzëqeshuri nga kënaqësia por, kur hodhi sytë qark, buzëqeshja iu shua. Ai që kishte frymëzuar bindjen nuk kishte qenë Benjamini, por një kolonel artilerie që po afrohej kaluar.

– Kolonel! – thirri Benjamini me zë të çjerrë.

Koloneli ndaloi, tërhoqi frerët dhe e pa ftohtë nga sipër duke përpëlitur sytë. – Birushi i kujt je ti? – e pyeti ai dasha­mirësisht.

– Tani do të ta tregoj se birushi i kujt jam, more i mallkuar! – iu kundërpërgjigj Benjamini me zë të egër. – Pa zbrit nga kali!

Koloneli vrumbulliti nga të qeshurat.

– Dashkeni atë, gjeneral, kështu hë?

– Qe, – klithi Benjamini i dëshpëruar, – pa lexoje këtë. – Dhe ia flaku kolonelit urdhrin e gradimit.

Koloneli e lexoi, dhe sytë i dolën si topa pingpongu nga zga­vrat.

– Si e more këtë? – e pyeti ai, i cili e futi dokumentin në xhep.

– Nga qeveria, sikurse mund ta vërtetosh vetë pas pak!

– Ejani me mua, – i tha koloneli me pamje të pazakontë. – Do të shkojmë në shtabin e përgjithshëm që të flasim për këtë. Ejani.

Koloneli u kthye dhe filloi të ecte bashkas me kalin në drejtim të zyrave të shtabit të përgjithshëm. Benjaminit nuk i kishte mbetur tjetër vetëm se ta ndiqte atë me sa më shumë dinjitet që të mundej – ndërkohë që me vete po zotohej të kryente një shpagim të ashpër.

Mirëpo, ky shpagim nuk është se u njëmendësua. Dy ditë më pas, megjithatë, i biri Roskoja e jetësoi atë që nga Baltimora, i nxehur dhe i munduar nga udhëtimi ngutthi, e shoqëroi gjeneralin vajtimtar, sans[8] uniformë, drejt e në shtëpi.

XI

Më 1920 Rosko Kopsës i lindi fëmija i parë. Sidoqoftë, gjatë mbajtjes së kremtimeve askujt nuk i vajti në mendje të zinte ngoje se djalka i palarë që, me sa dukej, ishte dhjetë vjeç teksa luante rrotull shtëpisë me ushtarë prej plumbi dhe në një cirk të zvogëluar, ishte gjyshi i foshnjës.

Askush nuk e kishte zët djalkën fytyra e gëzueshme dhe e freskët e të cilit kishte një grimë pikëllimi, mirëpo për Rosko Kopsën ai përbënte një burim mundimesh të pafundme. Sipas gjuhës së brezit të tij Roskoja nuk mendonte se çështja në fjalë ishte “e frytshme”. Atij i dukej se i ati, ngaqë nuk ngjante që nuk ngjante kurrsesi gjashtëdhjetë vjeç, nuk është se ishte sjellë si një “burrë i vërtetë në damarët e të cilit rridhte gjak i shëndetshëm” – kjo na ishte shprehja e parapëlqyer e Roskos, por në një mënyrë kureshtare dhe të mbrapshtë. Ç’është e vërteta, mjaftonte që ai ta mendonte këtë çështje vetëm për një gjysmë ore dhe kjo e çonte në kufijtë e lajthitjes. Roskoja besonte se “njerëzit e gjallë” duhej të mbeteshin të rinj, porse zbatimi në një shkallë të këtillë ishte… ishte… e pafrytshme. Pikërisht, këtu ndalonte edhe Roskoja.

Pesë vjet më pas biri i Roskos ishte rritur aq sa të luante lojëra kalamajsh me Benjamin vocërrakun nën mbikëqyrjen e të njëjtës dado. Një ditë Roskoja i shpuri ata në kopshtin e fëmijëve dhe Benjamini nga ana e tij kuptoi se loja me shiritat e ngjyrosur, thurja e hasrave dhe e zinxhirëve dhe bërja e vizatimeve të bukura dhe kërshëringjallëse, ishin lojërat më të mahnitshme në botë. Një herë ai u soll keq kështu që iu desh të rrinte më këmbë te një qoshe – paskëtaj ai klithi – mirëpo në shumicën dërrmuese ato ishin orë të hareshme të kaluara në një dhomë plot gaz, teksa rrezet e diellit depërtonin nëpërmjet dritareve ndërsa zonjusha Beili ia vendoste atë dorën e saj dashamirëse në flokët e tij të shpupuritura.

Një vit më pas djali i Roskos u hodh në klasë të parë, kurse Roskoja vazhdoi të qëndronte në kopsht. Ai ishte shumë i lumtur. Kur kalamajtë e tjetër bisedonin se me se do të merreshin kur të rriteshin, fije dyshimi ia pushtonin fytyrën Benjaminit, ngaqë e kuptonte sipas mënyrës së turbullt prej fëmije se ai nuk do t’i bënte kurrë ato gjëra.

Ditët kalonin gjithë monotoni. Ai vajti rishtas vitin e tretë në kopshtin e fëmijëve, por tani ishte aq i vogël saqë nuk arrinte ta kuptonte se për çfarë ishin shiritat prej letre të shndritshme. Ai bërtiste ngaqë djemtë e tjerë ishin më trup­mëdhenj se ai e prandaj ai ua kishte frikën. Mësuesja i fliste, por edhe pse u mundua të kuptonte, ai nuk është se arriti të kuptonte ndonjë gjë.

Atë e larguan nga kopshti i fëmijëve. Dadoja e tij, Nana, me fustanin prej perkali të kollarisur, u bë qendra e botës së tij të vockël. Gjatë ditëve me diell ata shëtitnin në park; Nana i tregonte me gisht një përbindësh të hirtë të stërmadh dhe i thoshte “Elefant”, ndërsa Benjamini përsëriste pas saj, dhe kur po atë mbrëmje e zhveshën për ta vënë në gjumë, ai i thoshte asaj pa pushim: “Elifant, elifant, elifant”. Ngandonjë­herë, Nana e lejonte Benjaminin të hidhej përpjetë në krevat, gjë që ishte për të qeshur, ngaqë sikur të plasej fill atëherë ai do të brofte më këmbë sërithi, dhe në rast se thoshte “ah” një copë herë të gjatë ndërkohë që ai hidhej sipër atëherë efekti vokal ishte jashtë mase i këndshëm.

Atij i pëlqente shumë të merrte ndonjë bastun të madh nga varësja e kapelave dhe të ecte duke goditur karriget dhe trye­zat duke thënë: “Lufto, lufto, lufto”. Kur në to kishte njerëz, zonjat e moshuara e ndillnin duke i kakarisur, gjë që atij i ngjallte interesin, kurse zonjat e reja përpiqeshin ta puthnin, të cilave u nënshtrohej paksa i mërzitur nga ana e tij. Dhe kur sahati shënonte orën pesë të pasdites duke përmby­llur kështu ditën e gjatë ai ngjitej në katin e sipërm bashkërisht me Nanën e cila e ushqente me lugë teksa i jepte bollgur dhe me gatesa me mëmëligë me miell misri të butë.

Në gjumin prej fëmije që bënte nuk i vinin ndër mend asnjë kujtim trazues; kurrfarë shenje të ditëve prej guximtari që kishte kaluar në universitet, apo të viteve të spërndritura kur u plagoste zemrat shumë vajzave. Tani ai shihte vetëm muret e bardha dhe të sigurta të krevatit të tij prej fëmije dhe Nana dhe një burrë që vinin nganjëherë për ta parë, dhe një lëmsh porto­kalli të stërmadh që Nana ia tregonte me gisht pikërisht para se të vinte ora e gjumit ndajnatë që ajo e quante “dielli”. Kur dielli perëndonte gjumi ia pushtonte qepallat e ai nuk shikonte asnjë ëndërr, kurrfarë ëndrre që ta mundonte.

E shkuara – sulmi i egër që ai kishte kryer duke u qëndruar në krye njerëzve të tij për të pushtuar Kodrinën e Shën Huanit; vitet e para të martesës së tij kur ai punonte deri vonë për hir të Hildegardës që dashuronte kur binte muzgu i verës në qytetin e gjallërishëm; ditët para kësaj kur ai bashkë me të gjyshin rrinin ulur duke pirë duhan netëve në shtëpinë e zymtë të plakut Kopsa – gjithë këto i qenë fshirë nga mendja si ëndrra asfare të rëndësishme si të mos kishin ndodhur asnjëherë.

Ai nuk mbante mend. Nuk i kujtohej qartas nëse qumështi kishte qenë i ngrohtë apo i ftohtë gjatë vaktit të fundit apo se si kishin kaluar ditët – para sysh kishte vetëm krevatin prej fëmije dhe praninë e Nanës. E atëherë atij nuk i kujtohej gjë prej gjëje. Kur e merrte uria ai qante – vetëm kaq. Në mesditë dhe mbrëmjeve ai vetëm sa merrte frymë dhe nga sipër i thuheshin bërbëlitje dhe murmurima që vështirë se i dëgjonte, ndiente erëmirat e ndryshme dhe shihte dritat dhe terrinën.

Më pas errësira përpinte gjithçmos, bashkë me krevatin prej fëmije të tij, fytyrat e errëta që i lëviznin rrotull dhe hosia e ëmbël dhe e ngrohtë e qumështit, i zhdukeshin krejtësisht nga mendja. /Revista “Akademia”/

_____________

[1] Lufta Civile apo Vëllavrasëse që u zhvillua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga viti 1861 gjer në vitin 1865 midis veriut dhe shteteve të jugut që ishin pronare të skllevërve. Gjithashtu, kjo njihet edhe si Lufta midis Shteteve. (Të gjitha shënimet sqaruese janë të përkthyesit).

[2] Qytet në Virxhinia.

[3] Emri i një personazhi biblik që jetoi para Përmbytjes së Noes. Emri në fjalë është sinonim i jetëgjatësisë, sepse vetë Metuselahu, sipas Biblës, jetoi plot 969 vjet.

[4] Emër që vjen nga hebraishtja dhe do të thotë: Bir i së djathtës sime.

[5] I dënuar të endet nëpër botë, sipas gojëdhënës.

[6] Vallëzim brazilian që kryhet në masë me dy kohë.

[7] Shënimi i gjashtëpikëshit arrihet me marrjen e topit prapa vijës së shënimit të golit të kundërshtarit.

[8] Frëngjisht. Pa.