Rasti i vdekjes së dyshimtë në Podujevë – policia sekuestron një kallashnikov

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për një rast të rëndë që ndodhi të dielën në mëngjes në Podujevë, ku një person është gjetur pa shenja jete.
Rasti është cilësuar si hetim mbi vdekjen, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë të gjitha rrethanat për të kuptuar shkakun e ngjarjes.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, viktima është një mashkull kosovar, i cili është gjetur i pajetë rreth orës 07:32. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore dhe një ekip mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës.
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri të tipit AK-47, një karikator, pesë fishekë dhe shtatë gëzhoja, të cilat po konsiderohen si prova të rëndësishme në hetim.
Me vendim të prokurorit të rastit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, në mënyrë që të përcaktohet shkaku i saktë i vdekjes.
Hetimet janë në vazhdim dhe autoritetet nuk kanë dhënë ende informacione shtesë lidhur me rrethanat apo motivin e mundshëm të vdekjes. /Telegrafi/
















































