Rasti i gjykatësit Laban, Kurti: Absurde që dikush që vlerësohet si i papërshtatshëm për sigurinë të gjykojë mbi një çështje kushtetuese

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, një ditë më parë ka bërë të ditur se ka tërhequr kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Osmani ka thënë se vendimi për tërheqjen e kërkesës është marrë si reagim ndaj caktimit të gjyqtarit Radomir Laban si raportues i kësaj lënde, të cilin ajo e cilëson si figurë problematike për sigurinë e shtetit.
E lidhur me këtë ka folur sot kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
I pyetur se si e sheh tërheqjen e kërkesës nga Gjykata Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit, Kurti tha se presidentja Osmani nuk ka qenë në dijeni se ai do të jetë kryesues i çështjes që do të trajtohet nga Kushtetuesja.
“Ne që nga viti 2018 kemi qenë të informuar për gjyqtarin Laban, atëherë kur ai pati aplikuar që të bëhet anëtari i Gjykatës Kushtetueses”, tha Kurti.
Kryeministri në detyrë tutje tha se deputetja Albulena Haxhiu në emër të grupit parlamentar të LVV aso kohe sa ishin në opozitë i ka shkruar letër zyrtare Zyrës së Presidentit dhe kryetares të atëhershme të Gjykatës Kushtetuese.
“Deputetja Albulena Haxhiu në emër të Grupit parlamentar aso kohe sa ishim në opozitë i ka shkruar letër zyrtare Zyrës së Presidentit, por fatkeqësisht as presidenti i atëhershëm në vitin 2018, as kryetarja e Gjykatës Kushtetuese e atëhershme, në vitin 2018 nuk e kanë parë të arsyeshme që të ndalin një proces të tillë sepse është absurde që dikush i cili sipas informacioneve që kemi nga institucionet e sigurisë se është i papërshtatshëm, rrezik për rendin tonë kushtetues tash të gjykojë mbi një çështje kushtetuese”, tha Kurti. /Telegrafi/

















































