ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Mënyra se si mediat në Kosovë raportojnë për ballafaqimin me të kaluarën vazhdon të mbetet një nga sfidat më të mëdha të gazetarisë, pavarësisht numrit të madh të storieve që publikohen. Mungesa e gazetarëve të specializuar, raportimi sipërfaqësor, mungesa e kontekstit dhe dominimi i narrativave të njëanshme ishin ndër temat kryesore të diskutimit gjatë prezantimit të një punimi mbi rolin e mediave në drejtësinë tranzicionale.

Autori i punimit, gazetari Besian Beha gjatë tryezës me temë “Raportimi i përgjegjshëm mbi ballafaqimin me të kaluarën dhe sfidat e mediave në Kosovë”, të organizuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike, tha se përgjegjësia e mediave është shumë më e madhe kur trajtohen tema të ndjeshme si krimet e luftës, viktimat dhe personat e zhdukur, teksa ngriti shqetësimin edhe për mungesën e të dhënave zyrtare që, sipas tij, e vështirëson raportimin profesional.


"Shteti nuk e ka një databazë konkrete me të dhëna se sa njerëz kanë qenë të vrarë në konfliktin e fundit, sa janë të zhdukur. Të gjitha këto të dhëna ofrohen prej shoqërisë civile. Normalisht një punë shumë e mirë që është bërë është Instituti për Krimet e Luftës, i cili tashmë është në punë e sipër që ta bëjë këtë databazë, sepse mbase mundet me u tingllu që nuk ka përgjegjësi të mediave. Në shumë raste e përmend për shembull që, kur raportojnë për pasojat që i ka pasë konflikti në vitin '98-'99, theksi është vetëm te shqiptarët, ose për shembull ka pasë ekstremisht pak storie kur flasim për viktimat që janë të komuniteteve tjera: rom, ashkalinj, egjiptianë edhe serbë. Edhe gjithashtu mediat nuk e kanë bërë punën më të mirë të mundshme që me ndiku në mënyrën se qysh perceptohen komunitetet në Kosovë. Për shembull, komunitetet rom, ashkalinj, egjiptianë në shumë raste nëse flet me njerëz, është paragjykimi edhe është ajo mënyra e të menduarit që këta kanë qenë me regjimin, këta kanë qenë me pushtuesin. Mediat nuk kanë treguar që ka pasur romë, serbë edhe ashkalinj që kanë qenë viktima civile, por që kanë qenë edhe pjesëtarë të UÇK-së", tha Beha.

Ndërsa, gazetarja hulumtuese Serbeze Haxhiaj tha se raportimi për luftën në Kosovë është i dominuar nga narrativa politike dhe nacionaliste, gjë që, sipas saj, e ka varfëruar gazetarinë.

Haxhiaj tha se Serbia duke mohuar krimet dhe duke ndjekur politika që synojnë minimin e shtetit të Kosovës, po e mban edhe diskursin në Kosovë shumë nacionalist, e që sipas saj, mediat janë ‘armatosur’ me këtë diskurs.

"Në fakt, është një narrativë rrënjosur e cila është shpesh herë thellësisht politike dhe thellësisht nacionaliste, e cila po shkon duke u bërë gjithnjë e më e fortë për shkak se e gjithë çështja e debatit publik në Kosovë është ajo që një farë lloj kopjimi që ne e bëjmë Serbisë, ose qysh ne Serbia na mban. Duke mohuar krimet dhe duke ndjekur një politikë të minimit të shtetit të Kosovës, Serbia po e mban gjithashtu diskursin politik në Kosovë shumë nacionalist rrjedhimisht edhe mediat të armatosura me këtë diskurs. Dhe kjo ka krijuar një zonë komoditeti për mediat vazhdimisht në Kosovë. Domethënë, çka raportohet në Kosovë, shumë pyetje e mirë, është që hajde domethënë është trend me bë shkrime për kritike për Gjykatën Speciale, me bë këtë kush ka qenë viktima, kush ka qenë agresori, që është pak a shumë e qartë, edhe në vijat e qarta pra arsye kemi një intervenim të NATO-s në Kosovë. Por se çka sheh në mediat e Kosovës edhe çka është kjo thellësisht politike në kuptimin që lufta i ka, ose luftën e ka bërë një subjekt politik që tenton të derivojë. Kemi pasur dy lloj luftash, të dy lloj luftash, për merita, në raport me UÇK-në ose në përgjithësi rezistencën e armatosur dhe rezistencën paqësore.. Domethënë është një diskurs goxha komod i krijuar domethënë rreth luftës, rreth viktimave, rreth Gjykatës Speciale, kështu. Dhe çka ke në mediat në Kosovë e ke një raportim shpesh herë të çoroditur", tha ajo, raporton KosovaPress.

Kurse, Blerta Dalloshi nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, tha se tashmë kanë filluar trajnime të specializuara për gazetarë për raportimin mbi drejtësinë tranzicionale.

Ajo kërkoi që edhe universitetet të përfshijnë më shumë përmbajtje për raportimin mbi të kaluarën.

"Sigurisht Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është duke punuar në këtë drejtim, sa i përket çështjes së trajnimit të gazetarëve për ballafaqimin me të kaluarën, për raportimin për ballafaqimin me të kaluarën. Së fundmi kemi pasur edhe një trajnim për trajnerë, do të thotë, sepse kemi mungesë të ekspertëve për këtë çështje. me sa e di unë edhe në Universitetin e Prishtinës në Degën e Gazetarisë, nuk ka do të thotë programe të veçanta, dhe duhet një fokus i veçantë që të ketë edhe programe të veçanta, që edhe gazetarët e rinj sa janë në universitet të mësojnë më shumë se si duhet trajtuar këto tema kaq të ndjeshme për vendin. E kemi rastin e trazirave të marsit e cila u cek edhe Serbezja, ku tregon saktësisht se si një informacion i paverifikuar dhe do të thotë një raportim i nxituar ndikon në ngritjen e tensioneve. Ne jemi një vend që jemi edhe kemi edhe komunitete të tjera dhe sigurisht që duhet të kemi do të thotë kujdes në raportimin kur është fjala për ballafaqimin me të kaluarën, por kjo nuk do të thotë që nuk duhet të merremi me këto tema sepse mund të ndikojnë", tha ajo./kp/