Ramadan Morinës, të dyshuarit për krime lufte i caktohet 30 ditë paraburgim - dyshohet se mund të arratiset për shkak të shtetësisë serbe

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar 30 ditë paraburgim Ramadan Morinës – i dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile.
Sipas njoftimit bëhet e ditur se Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe përmes Aktvendimit ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji ndaj të pandehurit R.M., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile.
"Gjyqtari i procedurës paraprake, pas seancës dëgjimore vlerësoj se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin R.M., pasi ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti në bashkëkryerje ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile", thuhet në njoftim.
Po ashtu siç bëhet e ditur në njoftim ekziston dyshimi i bazuar se me datë 31 mars 1999, i pandehuri R.M kishte qenë pjesëmarrës në krimet e kryera në fshatin Burim të Malishevës, po ashtu dyshohet se në të njëjtën datë, kishte marr pjesë edhe në vrasjen e 34 viktimave të këtij fshati.
"Gjykata vlerësoj se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë dhe komplekse, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme, për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale. Gjykata konstatoj se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri R.M. nëse gjendet në liri, mund të arratiset duke pasur parasysh faktin se ai ka shtetësinë e Serbisë, ka vendbanimin e përhershëm në Serbi, andaj ka gjasa reale se mund të arratiset dhe i njëjti mund të jetë i pa arritshëm për fazat tjera të procedurës penale, gjithashtu Gjykata konstaton se nëse i pandehuri lihet në liri paraqet rrezik real se i njëjti mund të identifikoj dëshmitarët dhe të ushtroj ndikim tek të njëjtit", thuhet në njoftim.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Telegrafi/

















































