Analisti Sadri Ramabaja, ka reaguar ndaj qëndrimeve kritike të Visar Ymerit për Kurtin dhe LVV-në.

Ramabaja shprehu zhgënjimin e tij për ndryshimin politik dhe retorik të Ymerit, duke theksuar se nuk e njeh më njeriun me të cilin dikur ndanin të njëjtin ideal.


“Kur e dëgjoj Visarin, shpeshherë mendoj që s’e paskam njohur fare, edhe pse kam menduar se e njoh si kryetar të Vetëvendosjes”, tha Ramabaja, duke shtuar: “Dorën në zemër, ndryshimin më të madh e ka bërë Visari, dhe kjo është e drejta e tij – secili nga ne ka të drejtë të ndryshojë – mirëpo intensiteti i akuzave më detyron të flas”.

Ai e kritikoi Ymerin për atë që e cilësoi si paaftësi për të kuptuar situatën sociale dhe politike në të cilën po kalon Kosova.

“Ka një tendencë mos të lexohet situata në të cilën kalojmë si shoqëri”, u shpreh Ramabaja, duke iu referuar komenteve të Ymerit mbi vetë-izolimin dhe deklaratave për të dërguarin amerikan Gabriel Escobar.

Ramabaja gjithashtu ironizoi me ton deklaratën e Ymerit “si kemi dëgju, na ka ra keq; si s’kemi dëgju, prapë na ka ra keq”, duke thënë:

“Unë titistët jam mësuar t’i dëgjoj kështu, por jo ish-shokët e mi.”

Në fund, ai ishte i prerë në mbrojtjen e subjektit të tij politik:

“Kur të merresh me Vetëvendosjen, merresh edhe me mua. Unë jam pjesë e Vetëvendosjes”, përfundoi Ramabaja.