Rama: "Stacioni Kulturor" po bëhet gati në Prishtinë

Kryetari i Prishtinës Perparim Rama ka njoftuar se "Stacioni Kulturor" po bëhet gati, duke bërë të ditur se kryeqyteti së shpejti do të ketë edhe një qendër të re të dedikuar artit dhe kulturës.
Sipas Ramës, hapësira e re do të shërbejë si vendtakim për artistët, krijimtarinë, dialogun dhe komunitetin, ku idetë do të takohen, frymëzimi do të zhvillohet dhe kultura do të vazhdojë të lulëzojë.
Projekti synon ta shndërrojë një hapësirë të harruar në një qendër të gjallë për artin dhe qytetin, duke krijuar mundësi të reja për aktivitete kulturore dhe përfshirje të komunitetit.
Rama ka theksuar se Prishtina vazhdon të investojë në kulturë, kreativitet dhe hapësira publike që i japin jetë qytetit, ndërsa "Stacioni Kulturor" pritet të jetë një tjetër pikë e rëndësishme në zhvillimin e jetës kulturore të kryeqytetit. /Telegrafi/





































