Rama: Prishtina pjesë aktive e dialogut evropian për të ardhmen urbane

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se Kryeqyteti po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në forume ndërkombëtare ku diskutohen politikat urbane dhe vizioni për qytetet e së ardhmes.
Përmes një postimi në Facebook, Rama njoftoi se javën e kaluar i është drejtuar asamblesë së Shoqatës së Politikës së Jashtme dhe Shoqatës së Kombeve të Bashkuara të Austrisë, në një takim të nivelit të lartë kushtuar përgjegjësisë dhe zhvillimit urban. Diskutimi, sipas tij, është moderuar nga ish-kancelari i Austrisë, Wolfgang Schüssel.
Ai theksoi se para një audience të përbërë nga diplomatë dhe vendimmarrës të lartë ndërkombëtarë, përfshirë edhe ish-zëvendëssekretaren e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Angela Kane, ka prezantuar rrugëtimin e transformimit urban të Prishtinës, duke e cilësuar Kryeqytetin si shembull të një qyteti që po ndryshon me vizion, guxim dhe përgjegjësi publike.
Sipas Ramës, pjesëmarrja e Prishtinës në këto forume nuk është simbolike, por dëshmi se Kryeqyteti është shndërruar në një pjesë aktive të dialogut evropian mbi zhvillimin, përfshirjen dhe qëndrueshmërinë urbane, ndërsa përvoja e tij po trajtohet si model diskutimi për qytetet që synojnë avancimin.
Në fund, kryetari i Prishtinës shprehu mirënjohje për organizatorët e ngjarjes, në veçanti për Sekretarin e Përgjithshëm të UNA-Austria, Bernd Hermann, për ftesën dhe mundësinë e krijimit të një dialogu të nivelit të lartë që, sipas tij, e vendos Kryeqytetin në qendër të diskutimeve për të ardhmen e qyteteve. /Telegrafi/









































