Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur në Odën e Kryeqytetit karateistin kosovar Islam Selmani, i cili u shpall nënkampion bote në Kampionatin Botëror të Karatesë që po mbahet në Kajro.

Rama u shpreh “super krenar” për arritjen historike të sportistit, duke e përgëzuar për suksesin dhe përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në arenën ndërkombëtare.


Islam Selmani arriti medaljen e argjendtë në kategorinë deri në 60 kilogramë, pasi në finalen e madhe u përball me turkun Eray Samdan, një prej karateistëve më të suksesshëm në botë.



Pas një dueli të fortë, Selmani u rendit i dyti, duke shënuar një rezultat që hyn në historinë e sportit kosovar.

Ditë më parë, ai kishte siguruar kualifikimin në finale pas një fitoreje bindëse 9:1 ndaj sportistit uzbek, Mekhriddin Turakhonov.

Me këtë arritje, Selmani bëhet karateisti i parë nga Kosova që fiton medalje të argjendtë në një Kampionat Botëror, duke e ngritur lart emrin e vendit dhe duke dëshmuar potencialin e jashtëzakonshëm të sportistëve të rinj.

Kryetari Rama theksoi se të rinj të tillë po e bëjnë Kosovën krenare çdo ditë. /Telegrafi/