Kryetari i Kryeqytetit të Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se Prishtina dhe përfaqësues të komunitetit arbëresh janë dakorduar për krijimin e Shtëpisë Arbëreshe në Kryeqytet, një hapësirë që do t’i kushtohet ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore, historike dhe shpirtërore arbëreshe.

Këtë njoftim Rama e bëri përmes një postimi në Facebook, pas takimit me Zia Lucia, të cilën e cilësoi si figurë me peshë të veçantë kulturore.


“Sot, me zemër të hapur dhe me respekt të thellë, mirëprita Zia Lucia, një figurë që sjell me vete urtësi, traditë dhe shpirt arbëresh”, ka shkruar Rama.

Sipas tij, Shtëpia Arbëreshe në Prishtinë do të shërbejë si qendër ku do të bashkohen arti, kultura, vlerat shpirtërore dhe gastronomia arbëreshe.

“U dakorduam për një ëndërr të përbashkët: krijimin e Shtëpisë Arbëreshe në Prishtinë, një hapësirë ku historia nuk harrohet, por jeton”, theksoi ai.

Rama ka vlerësuar komunitetin arbëresh si një pasuri të gjallë kulturore, duke nënvizuar se Kryeqyteti e sheh si nder dhe përgjegjësi ruajtjen e kësaj trashëgimie.

“Arbëreshët nuk janë thjesht kujtesë e së shkuarës, por frymëzim për të ardhmen, shembull i rrallë i dashurisë për gjuhën, rrënjët dhe dinjitetin”, ka shtuar kryetari i Prishtinës.

Ai po ashtu ka theksuar se kjo shtëpi do të shërbejë si urë lidhëse mes brezave dhe kulturave.

“Kjo shtëpi do të jetë urë mes brezave, mes historisë dhe sotmes, mes shpirtit arbëresh dhe Kryeqytetit Prishtina që i mirëpret me krenari”, ka deklaruar Rama.

Në përmbyllje, kryetari i Kryeqytetit ka përcjellë një mesazh mikpritjeje dhe mirënjohjeje për komunitetin arbëresh, duke theksuar se Prishtina do të jetë gjithmonë shtëpia e tyre. /Telegrafi/