Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka mirëpritur në Odën e Kryeqytetit përfaqësuesit e Shqipërisë në Eurovision 2025, grupin “Shkodra Elektronike”.

Ai ka nderuar dhe vlerësuar Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca duke i dhënë figurën ‘Hyjnesha në Fron’.


Dyshja, të cilët ndezën skenën e Eurovisionit, u renditën sivjet në vend të tetë, duke shënuar kështu një rezultat mjaft të mirë për Shqipërinë.

Foto: Screenshot/Facebook

Të njëjtit duhet theksuar se ndodhen në Prishtinë për të performuar, ku do të jenë para publikut në Kosovë në AMC Hall.

Më poshtë ndiqni të plotë postimin e Ramës:

“Kur përfaqësimi bëhet përmes artit që rrënjët i ka në shpirtin tonë kolektiv, atëherë jemi të gjithë bashkë, një zë, një ritëm, një emocion.

Mirëprita në Odën e Kryeqytetit grupin Shkodra Elektronike, krijues të një muzike që tejkalon kufij dhe e bën krenar secilin prej nesh.

Në shenjë simbolike, u dhurova edhe Hyjneshën në Fron, një figurë që mishëron shpirtin tonë krijues.

Energjia e tyre, origjinaliteti dhe fuqia artistike janë frymëzim për të gjithë ata që e duan artin si formë identiteti.

Kryeqyteti është gjithmonë hapësirë e mirëseardhjes për artin që flet me zemër”. /Telegrafi/