LAJMI I FUNDIT:

Rama kërkon njohjen e Kosovës nga vendet anëtare të NATO-s

Rama kërkon njohjen e Kosovës nga vendet anëtare të NATO-s

Punimet e ditës së dytë të Samitit të NATO-s u përqendruan mbi ecurinë e misioneve të Aleancës dhe projektimin e stabilitetit në krahun jugor dhe atë lindor.

Gjatë takimit të kryetarëve të shteteve dhe qeverive, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, insistoi mbi nevojën për një vëmendje edhe më të madhe të Aleancës kundrejt rajonit të Ballkanit.


Ai konfirmoi edhe një herë mbështetjen e politikës së dyerve të hapura të NATO-s dhe zgjerimin e saj në rajon.

“NATO dhe Bashkimi Evropian, nuk janë shtrirë ende plotësisht në Ballkan. Shtrirja e plotë e Aleancës në rajon është një investim strategjik për sigurinë e përbashkët. Kosova ende vijon përpjekjet e saj për integrimin në NATO”, tha Kryeministri, ndërsa nënvizoi se institucionalizimi i marrëdhënies së Aleancës me Kosovën do të shërbente si katalizator për gjithë hapësirën e Evropës Adriatike.

Ai kërkoi njohjen e plotë të Kosovës nga vendet anëtare të NATO-s, duke e konsideruar këtë një domosdoshmëri që rrit stabilitetin dhe sigurinë në rajon.