Rama-Costa diskutojnë për anëtarësimin në BE dhe situatën në rajon: Negociatat synohet të përmbyllen në vitin 2027

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe zhvillimet në rajon kanë qenë dy temat kryesore të diskutimit mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, gjatë takimit të zhvilluar sot në Tiranë.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp, kryeministri Rama tha se përmbyllja e negociatave për anëtarësimin në BE deri në vitin 2027 është objektivi ambicioz dhe i jashtëzakonshëm që Shqipëria synon të realizojë.
“Diskutuam për të dyja aspektet që na lidhin me Këshillin Evropian dhe BE-në për procesin e anëtarësimit që po ecën shumë mirë. Sot Shqipëria është zyrtarisht në tryezën e negociatave me 16 kapituj të hapur, 8 të tjerë do të hapen në ditët në vijim dhe synojmë të hapim të gjithë kapitujt brenda vitit,” deklaroi Rama. “Plani i përbashkët me Komisionin Europian, i mbështetur nga vendet anëtare, është që negociatat të mbyllen në vitin 2027. Është një plan ambicioz, por një mundësi e jashtëzakonshme për ne.”
Rama theksoi se ky është një moment historik që nuk duhet humbur, duke iu bërë thirrje liderëve të rajonit që të përfitojnë nga gatishmëria aktuale e BE-së për të pranuar anëtarë të rinj.
“Përfitoj nga rasti sot dhe nesër që t’i ftoj të gjithë kolegët e rajonit, miqtë e mi, që të mos e humbasin këtë moment që historia na ka sjellë në derë dhe të shfrytëzojmë gatishmërinë e BE,” u shpreh ai, duke theksuar edhe rëndësinë e kontekstit gjeopolitik për shtimin e vëmendjes së BE-së ndaj rajonit.
Në konferencë ishte e pranishme edhe ish-Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, për të cilën Rama nuk i kurseu batutat.
“Më vjen mirë që këtu kemi edhe një mike të shtrenjtë të Shqipërisë, ish-mike se tanimë është shqiptare nga Italia, Federica Mogherini, që nuk e kuptoj akoma pse nuk e ka bërë aplikimin për pasaportë shqiptare. Vetëm një justifikim ka: që pret të marrë pasaportën europiane të Shqipërisë,” tha ai me humor.
Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, ndodhet në Tiranë në kuadër të vizitës në rajon, ndërsa nesër do të marrë pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Europian, që do të mbahet në kryeqytetin shqiptar./Telegrafi/


















































