Kampioni i Kosovës, Rahoveci, fituesi i Kupës, Kastrioti, dhe finalistja e Kupës, Besa Famgas, paraqiten në Kupën Evropiane (EHF European Cup) për hendbollistë, teksa tashmë dinë edhe kundërshtarët me të cilët do të ndeshen. 

Besa Famgas fillon prej raundit të parë. Skuadra pejane do të përballet me skuadrën turke, Depsas Enerji, dhe do ta synojë avancimin në raundin e dytë të EHF European Cup.


Ndeshjet zhvillohen më 6/7 dhe 13/14 shtator.

Në anën tjetër, kampioni i Kosovës në hendboll, Rahoveci, do të fillojë garimin në raundin e dytë të Kupës Evropiane për hendbollistë.

Por, për ta mësuar kundërshtarin, Rahoveci duhet ta presë përfundimin e ndeshjeve të raundit të parë.

“Vreshtarët” do të përballen me fituesin e ndeshjeve mes Dudelange të Luksemburgut dhe Butelit të Maqedonisë së Veriut.

Fituesi i Kupës së Kosovës, Kastrioti, do të udhëtojë në Luksemburg për ndeshjen e raundit të dytë të Kupës Evropiane.

Shorti i së martës përcaktoi që Kastrioti të luajë me skuadrën nga Luksemburgu, Red Boys Differdange. Ndeshja e parë luhet në Luksemburg, ndërsa e kthimit në Ferizaj.

Ndeshjet e raundit të dytë të EHF European Cup do të zhvillohen më 11/12 dhe 18/19 tetor. /Telegrafi/

telegrafi sport app