Kur fillon moti i ftohtë, mbajtja e shtëpisë ngrohtë bëhet përparësi. Edhe ndryshimet më të vogla mund të bëjnë diferencë, prandaj ia vlen të sigurohesh që sistemi yt i ngrohjes po punon siç duhet – duke filluar nga radiatorët.

Sipas inxhinierit të kompanisë Boxt, Will Scholfield, nëse radiatorët nuk po ngrohin mirë ose duken sikur punojnë me “pengesa”, atëherë duhet t’i çlirosh nga ajri i bllokuar (proces që quhet “bleeding”).


Në thelb, kjo do të thotë të lejosh ajrin e mbetur brenda radiatorëve të dalë jashtë. Nëse ajri ngelet brenda, ngrohja nuk shpërndahet siç duhet dhe radiatorët bëhen më pak efikasë.

Foto: Getty

Nëse kjo nuk bëhet për një kohë të gjatë, ajri i bllokuar mund të shkaktojë edhe gërryerje (korrozion) në sistemin e ngrohjes qendrore.

Kjo është një detyrë e thjeshtë që duhet bërë rregullisht, në mënyrë që ngrohja të funksionojë mirë dhe shtëpia të qëndrojë e ngrohtë.

Scholfield shpjegon:

“Nëse i çliron radiatorët nga ajri rreth dy herë në vit, sistemi i ngrohjes do të punojë më me efikasitet dhe do të ndihmosh në uljen e faturave të energjisë.”

Çfarë të duhet për të çliruar radiatorët nga ajri:

Zakonisht, mjetet i ke në shtëpi:

Një çelës për radiatorin ose një kaçavidë, në varësi të llojit të valvulës.

Një leckë ose një enë e vogël për të mbledhur ujin që mund të rrjedhë.

Si ta bësh:

Fike ngrohjen dhe lëre sistemin të ftohet plotësisht;

Vendos një peshqir ose leckë poshtë radiatorit për të mbrojtur dyshemenë;

Gjej valvulën e ajrit – zakonisht ndodhet në krye të radiatorit, në njërën anë. Ajo është e rrumbullakët dhe ka një vrimë për çelësin ose një prerje për kaçavidë;

Fut çelësin në valvul dhe ktheje ngadalë në drejtim të kundërt të akrepave të orës derisa të dalë ajri;

Kur fillon të dalë ujë, ktheje përsëri në drejtim të akrepave të orës për ta mbyllur valvulën;

Përsërite këtë proces për të gjithë radiatorët në shtëpi;

Në fund, kontrollo presionin e ujit në bojlerin e ngrohjes – ai duhet të jetë midis 1 dhe 2 bar. Nëse nuk është, rregulloje sipas nevojës.